Reforma Territoriale | Zbardhet propozimi i PS; nga 61 në 46 bashki, rikthehet “Qyteti” si nivel i ri vendor. 

Sot, deputetët e grupit parlamentar të mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, kanë depozituar në Kuvend propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0. Gjithashtu, këtë propozim ua kanë përcjellë edhe Kryetarëve të Bashkive dhe Këshillave Bashkiakë. 

Modeli i propozuar ruan bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm. Në organizimin e brendshëm të bashkive, si përgjigje ndaj kërkesave të ngritura gjatë dëgjesave, gjetjeve të raportit analitik të ekspertëve dhe nevojës për një model më të mirë përfaqësimi, krijohet një nivel i ri organizimi vendor: “Qyteti”.

Në këtë mënyrë, skema aktuale “Bashki – Njësi Administrative” zëvendësohet me skemën “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”. Qyteti merr një rol më të qartë në planifikim, përfaqësim dhe organizimin e shërbimeve, me një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.

Në praktikë, 28 bashki konsolidohen në 13 bashki të reja. Ky konsolidim e ul numrin e përgjithshëm të bashkive nga 61 në 46. Struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.

Ja propozimi i njësive vendore:

Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë
Klos + Mat → Bashkia Mat
Rrogozhinë + Kavajë → Bashkia Kavajë
Dimal + Berat + Poliçan → Bashkia Berat
Patos + Fier → Bashkia Fier
Divjakë + Lushnjë → Bashkia Lushnjë
Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë
Maliq + Korçë → Bashkia Korçë
Këlcyrë + Përmet → Bashkia Përmet
Memaliaj + Tepelenë → Bashkia Tepelenë
Libohovë + Gjirokastër → Bashkia Gjirokastër
Cërrik + Elbasan + Belsh → Bashkia Elbasan
Prrenjas + Librazhd → Bashkia Librazhd

Në total, drafti parashikon konsolidimin e 26 bashkive aktuale në 13 bashki të reja, me synimin për të rritur eficiencën administrative, përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike dhe forcuar kapacitetet financiare e institucionale të pushtetit vendor.

Propozimi pritet të shqyrtohet në Kuvend në kuadër të punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, përpara se të kalojë për miratim në seancë plenare.

Shpërndaje