“Pavlefshmëria relative e veprimit juridik” | Rregullimet sipas Kodit Civil, Kodit të Familjes dhe Vendimit Njesues. 

Nga Olti Skrame

Rastet e listuara në nenin 94 të Kodit Civil, janë rrethana që shkaktojnë pavlefshmëri relative të veprimit juridik, të anulueshëm me vendim gjyqësor dhe vetëm me kërkesë të palës së interesuar. 

Këto rrethana prekin interesa të ngushta të palëve të veprimit juridik dhe lidhen me shfaqjen e vullnetit të tyre në botën e jashtme, ose me zotësinë e tyre për të vepruar. Si rrjedhojë, pala e dëmtuar ka të drejtën ta miratojë veprimin, për shkak se mund të disponojë lirisht të drejtat e saj. 

Rastet e pavlefshmërisë relative, të parashikuara në nenin 94 të Kodit Civil, nuk përbëjnë listë shteruese. 

Për konkretizim, parashikimet e neneve 57 dhe 94 të Kodit të Familjes, përbëjnë raste të pavlefshmërisë relative të veprimit juridik, të parashikuara me ligj të posaçëm (vendimi njësues nr. 4596 (393), datë 26.10.2022, i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë).

Në këto dy dispozita është parashikuar se, veprimi juridik i tjetërsimit të sendit në bashkësi, apo veprimet që tejkalojnë administrimin e zakonshëm të pasurisë në bashkësi, pa pëlqimin e njërit bashkëshort, ligjërohen nëpërmjet dhënies së pëlqimit të mëvonshëm, ose nëse nuk kundërshtohen para kalimit të afatit njëvjeçar, nga data e përfundimit të regjimit pasuror martesor.

Mandej, në rastet kur bëhet fjalë për veprimet juridike që kanë për objekt pasurinë e të miturve, duhet të mbahen në vëmendje parashikimet e Kodit të Familjes, në lidhje me përgjegjësinë prindërore për administrimin e kësaj pasurie. 

Në nenin 234 të Kodit të Familjes, është parashikuar se, për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme të të miturit, duhet të vlerësohet interesi më i lartë i tij dhe ky veprim mund të kryhet me autorizim paraprak të gjykatës së vendbanimit të të miturit. 

Veprimi juridik i realizuar në kundërshtim me nenin 234 të Kodit të Familjes, nuk shkakton pavlefshmëri absolute, por relative. Kjo rezulton nga paragrafët e dytë dhe të tretë, të nenit 234 të Kodit të Familjes, ku është parashikuar se, një veprim i tillë mund të shpallet i pavlefshëm me kërkesë të prindit, kujdestarit ligjor, ose prokurorit dhe po ashtu se, autorizimi i gjykatës mund të jepet edhe pasi është kryer veprimi juridik, duke “ndrequr” rrethanën e pavlefshmërisë. 

Në këtë drejtim, mbahet parasysh se, pavlefshmëria absolute nuk rregullohet me veprime të mëvonshme dhe as me plotësimin e afateve.

Shpërndaje