Zgjedhjet në Hungari | Provë nëse demokracia liberale në Europë ka ende aftësinë për të rikuperuar terren.

Nga Xhodi Hysa

Zgjedhjet në Hungari nuk janë më thjesht një garë e brendshme politike; ato janë kthyer në një provë për drejtimin që do të marrë vetë Europa. Viktor Orbán hyn në këtë betejë si figura kryesore e nacional-konservatorizmit europian, një lider që ka ndërtuar pushtetin e tij duke transformuar gradualisht rregullat demokratike dhe duke konsoliduar kontrollin mbi institucionet. Në të njëjtën kohë, ai ka krijuar një rrjet të fortë ndërkombëtar mbështetjeje, që shtrihet nga Brukseli në Washington, me përkrahje të hapur nga figura të rëndësishme republikane si Donald Trump, Marco Rubio dhe JD Vance.

Në krahun tjetër qëndron Péter Magyar, një figurë që vjen nga vetë rrethi i dikurshëm i Orbán dhe që sot përfaqëson një alternativë konservatore, por të mbështetur nga establishmenti europian. Lidhjet e tij me European People’s Party dhe mbështetja e gjerë nga opozita e bashkuar e kanë kthyer në sfidantin më serioz që Orbán ka pasur prej vitesh. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, kjo është një garë reale, ku për herë të parë opozita nuk është e fragmentuar dhe ka ndërtuar një strukturë organizative konkurruese.

Rëndësia e këtyre zgjedhjeve lidhet me përplasjen e dy modeleve të Europës: një model sovranist dhe iliberal, i përfaqësuar nga Orbán, dhe një model institucional dhe pro-BE, i përfaqësuar nga opozita. Për Brukselin, Orbán mbetet një faktor problematik jo vetëm për çështje të brendshme demokratike, por edhe për politikën e jashtme, veçanërisht për marrëdhëniet e tij me Vladimir Putin. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Europian ka ndërmarrë masa të pazakonta, si ngrirja e fondeve, duke sinjalizuar qartë se këto zgjedhje janë edhe një betejë për orientimin gjeopolitik të vendit.

Megjithatë, sfida kryesore nuk është vetëm vota, por sistemi. Hungaria sot funksionon si një “autokraci elektorale”, ku zgjedhjet zhvillohen, por rregullat janë ndërtuar për të favorizuar pushtetin. Edhe nëse opozita del përpara në votë popullore, sistemi elektoral i ndryshuar nga Orbán mund të prodhojë një rezultat që e mban atë në pushtet. Kjo e bën këtë proces një test të rëndësishëm: a mund të rrëzohet një sistem i tillë përmes votës, apo ai është projektuar pikërisht për t’i rezistuar asaj?

Edhe në rast të një fitoreje të opozitës, sfida nuk përfundon aty. Sistemi i ndërtuar nga Orbán, me institucione të mbushura me besnikë, mandate të gjata dhe struktura të forta kontrolli, nuk çmontohet lehtë. Ai ka ndërtuar një arkitekturë të tërë politike dhe ekonomike që shkon përtej një mandati qeverisës, një lloj “manuali pushteti” që e bën tranzicionin shumë më kompleks sesa një rotacion normal demokratik.

Në fund, këto zgjedhje nuk do të tregojnë vetëm se kush fiton në Hungari. Ato do të tregojnë nëse modeli i Orbán është i qëndrueshëm apo i brishtë, nëse Bashkimi Europian ka realisht ndikim mbi një shtet anëtar, dhe mbi të gjitha, nëse demokracia liberale në Europë ka ende aftësinë për të rikuperuar terren përballë modeleve alternative të pushtetit.

Shpërndaje