
Në aktivitetin e organizuar më datë 24.04.2026, me pjesëmarrjen e trupës gjyqësore dhe anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Irena Plaku dhe z. Bledar Bajri, Gykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë prezantoi Raportin e Veprimtarisë për vitin 2025, ku u evidentuan jo vetëm arritjet dhe performanca institucionale, por edhe sfidat dhe vështirësitë e hasura në përmbushjen e misionit për dhënien e drejtësisë brenda afateve të arsyeshme.
Zëvendëskryetari i Gjykatës, z. Mirjan Mustafaj, theksoi se pavarësisht sfidave në aspektin infrastrukturor, në burime njerëzore dhe referuar trupës gjyqësore të reduktuar, për vitin 2025 vërehet përmirësim i efiçencës dhe performancës institucionale, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative në funksion të garantimit të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, dhe forcimin e besimit të publikut në drejtësinë administrative.
Në kuadër të prezantimit të sfidave dhe arritjeve për vitin 2025, u evidentua se gjatë këtij viti janë vendimmuar gjithsej 10643 çështje, dhe referuar gjyqtarëve që kanë ushtruar efektivisht detyrën gjatë gjithë vitit 2025, rezulton se mesatarisht një gjyqtar ka disponuar me vendimmarrje në jo më pak se 650 çështje. Në këtë kontekst, u theksua se norma e përfundimit të çështjeve administrative për vitin 2025 rezulton të jetë 94.98%.
Në vijim të diskutimeve, u evidentuan prioritetet dhe objektivat institucionale për periudhën në vazhdim, dhe u theksua rëndësia thelbësore e përmbushjes së objektivave strategjikë, për përmirësimin e cilësisë së drejtësisë, rritjen e efikasitetit dhe forcimin e besimit të publikut.
Në mbyllje të takimit, Zëvendëskryetari i Gjykatës falenderoi gjyqtarët dhe administratën gjyqësore për përkushtimin dhe kontributin në një vit të ngarkuar dhe sfidues, si dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në përmbushjen e objektivave institucionale.
🔗 Raporti i plotë mund të lexohet këtu: https://lnkd.in/dTMRBGdF