Në fund të shtatorit, ndërkohë që lufta gati njëvjeçare e Izraelit u zgjerua, ministri i financave të vendit, Bezalel Smotrich, tha se, megjithëse ekonomia e Izraelit ishte nën presion, ajo ishte e qëndrueshme.
“Ekonomia e Izraelit mban barrën e luftës më të gjatë dhe më të shtrenjtë në historinë e vendit,” tha Smotrich më 28 shtator, një ditë pasi sulmet ajrore izraelite vranë udhëheqësin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, duke rritur frikën se tensionet me grupin militant do të ktheheshin në një konflikt të mirëfilltë. “Ekonomia izraelite është një ekonomi e fortë që edhe sot tërheq investime.”
Pothuajse një vit pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor, Izraeli po vazhdon përpara në disa fronte: duke nisur një inkursion tokësor kundër Hezbollahut në Liban, duke kryer sulme ajrore në Gaza dhe Bejrut, dhe duke kërcënuar hakmarrje për sulmin me raketa balistike të Iranit javën e kaluar. Ndërsa konflikti përhapet në rajon, kostot ekonomike do të rriten, si për Izraelin ashtu edhe për vendet e tjera në Lindjen e Mesme.
“Nëse përshkallëzimet e fundit kthehen në një luftë më të gjatë dhe më intensive, kjo do të ketë një kosto më të rëndë për aktivitetin dhe rritjen ekonomike,” tha Karnit Flug, ish-guvernatore e Bankës Qendrore të Izraelit, për CNN më 1 tetor.
Lufta e ka përkeqësuar ndjeshëm situatën në Gaza, duke e shtyrë atë në një krizë ekonomike dhe humanitare prej kohësh, dhe Bregu Perëndimor është “në një rënie të shpejtë dhe alarmante ekonomike”, tha Organizata e Kombeve të Bashkuara në një raport muajin e kaluar.
Ndërkohë, ekonomia e Libanit mund të tkurret deri në 5% këtë vit për shkak të sulmeve përtej kufirit midis Hezbollahut dhe Izraelit, tha BMI, një firmë kërkimi tregu në pronësi të Fitch Solutions.
Ekonomia e Izraelit mund të tkurret edhe më shumë se kaq, bazuar në një vlerësim të skenarit më të keq nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare në Universitetin e Tel Avivit.
Edhe në një skenar më të butë, studiuesit e tij gjithashtu parashikojnë se produkti i brendshëm bruto për frymë në Izrael — i cili vitet e fundit e tejkaloi atë të Mbretërisë së Bashkuar — do të bjerë këtë vit, pasi popullsia e Izraelit rritet më shpejt se ekonomia dhe standardet e jetesës bien.
Para sulmit të 7 tetorit dhe luftës që pasoi midis Izraelit dhe Hamasit, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikonte që ekonomia e Izraelit do të rritej me një normë të lakmueshme prej 3.4% këtë vit. Tani, parashikimet e ekonomistëve variojnë nga 1% deri në 1.9%. Rritja për vitin e ardhshëm gjithashtu pritet të jetë më e dobët se parashikimet e mëparshme.
Megjithatë, banka qendrore e Izraelit nuk është në gjendje të ulë normat e interesit për të dhënë frymë ekonomisë sepse inflacioni po përshpejtohet, i nxitur nga rritja e pagave dhe shpenzimet në rritje të qeverisë për të financuar luftën.
Dëm ekonomik afatgjatë
Banka e Izraelit vlerësoi në maj se kostot që rrjedhin nga lufta do të arrijnë në 250 miliardë shekelë (66 miliardë dollarë) deri në fund të vitit të ardhshëm, duke përfshirë shpenzimet ushtarake dhe shpenzimet civile, përfshirë edhe strehimin e mijëra izraelitëve të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në veri dhe jug. Kjo është e barabartë me afërsisht 12% të PBB-së së Izraelit.
Këto kosto pritet të rriten më tej pasi luftimet më të ashpra me Iranin dhe përfaqësuesit e tij, përfshirë Hezbollahun në Liban, shtojnë faturën e mbrojtjes të qeverisë dhe vonojnë kthimin e izraelitëve në shtëpitë e tyre në veri të vendit. Ndërkohë Izraeli nisi një inkursion tokësor në Libanin jugor duke shënjestruar Hezbollahun më 30 shtator.
Smotrich, ministri i financave, është i sigurt se ekonomia e Izraelit do të rimëkëmbet pasi të përfundojë lufta, por ekonomistët janë të shqetësuar se dëmi do të zgjasë shumë më tepër se konflikti.
Flug, ish-guvernatorja e Bankës së Izraelit dhe tani nënkryetare e kërkimeve në Institutin e Demokracisë në Izrael, thotë se ekziston rreziku që qeveria izraelite të shkurtojë investimet për të liruar burime për mbrojtjen. “Kjo do të ulë rritjen e mundshme (të ekonomisë) në të ardhmen,” tha ajo.
Edhe një tërheqje nga Gaza dhe qetësia në kufirin me Libanin do ta linin ekonominë e Izraelit në një pozitë më të dobët se para luftës, thanë ata në një raport në gusht. “Izraeli pritet të vuajë dëme ekonomike afatgjata, pavarësisht nga rezultati,” shkruan ata.
“Rënia e parashikuar e normave të rritjes në të gjitha skenarët, krahasuar me parashikimet ekonomike para luftës dhe rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, mund të përkeqësojnë rrezikun e një recesioni që kujton dekadën e humbur pas Luftës së Yom Kipurit.”
Lufta e vitit 1973, e njohur gjithashtu si lufta Arabo-Izraelite, e nisur nga Egjipti dhe Siria kundër forcave të Izraelit në Gadishullin Sinai dhe në Lartësitë e Golanit, çoi në një periudhë të gjatë të stanjacioni ekonomik në Izrael, pasi vendi rriti masivisht shpenzimet për mbrojtjen.
Po ashtu, rritjet e mundshme të taksave dhe shkurtimet në shpenzimet jo-ushtarake — disa prej të cilave tashmë janë përmendur nga Smotrich — për të financuar atë që shumë presin të bëhet një ushtri e përhershme më e madhe, mund të dëmtojnë rritjen ekonomike. Masat e tilla, të shoqëruara me një ndjenjë të dobësuar të sigurisë, mund të nxisin gjithashtu një eksod të izraelitëve shumë të arsimuar, veçanërisht të sipërmarrësve të teknologjisë, paralajmëroi Flug.
“Nuk duhet të jenë në numra shumë të mëdhenj, sepse sektori i teknologjisë varet shumë nga disa mijëra individë inovativ, krijues dhe sipërmarrës,” tha ajo për një sektor që përbën një 20% të rëndësishëm të prodhimit ekonomik të Izraelit.
Një largim në shkallë të gjerë i taksapaguesve me të ardhura të larta do të dëmtonte më tej financat e Izraelit, të cilat janë goditur nga lufta. Qeveria ka vonuar publikimin e një buxheti për vitin e ardhshëm pasi po përballet me kërkesa konkurruese që e bëjnë të vështirë balancimin e llogarive të saj.
Konflikti ka bërë që deficiti buxhetor i Izraelit — diferenca midis shpenzimeve të qeverisë dhe të ardhurave, kryesisht nga taksat — të dyfishohet në 8% të PBB-së, nga 4% që ishte para luftës.
Në fund të gushtit — një muaj para se Izraeli të kryente sulme në kryeqytetin e Libanit dhe inkursionin tokësor kundër Hezbollahut në jug të vendit — Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare vlerësoi se vetëm një muaj “luftë me intensitet të lartë” në Liban kundër grupit militant, me “sulme intensive” në drejtim të kundërt që dëmtojnë infrastrukturën izraelite, mund të shkaktojë që deficiti buxhetor i Izraelit të arrijë në 15% dhe PBB-ja e tij të tkurret deri në 10% këtë vit.
Pasiguria, “faktor determinant”
Për të zvogëluar hendekun fiskal, qeveria nuk mund të mbështetet në një fluks të shëndetshëm të të ardhurave nga taksat për bizneset, shumë prej të cilave po kolapsojnë, ndërsa të tjerat janë të hezituara për të investuar derisa të jetë e paqartë sa do të zgjasë lufta.
Coface BDi, një kompani e madhe e analitikës së biznesit në Izrael, vlerëson se 60,000 firma izraelite do të mbyllen këtë vit, nga një mesatare vjetore prej rreth 40,000. Shumica e këtyre janë të vogla, deri në pesë punonjës.
“Paaiguria është thjesht e keqe për ekonominë, e keqe për investimin,” tha Avi Hasson, CEO i Startup Nation Central, një organizatë jo fitimprurëse që promovon industrinë e teknologjisë së Izraelit në mbarë botën.
Në një raport të fundit, Hasson paralajmëroi se qëndrueshmëria e jashtëzakonshme e sektorit të teknologjisë në Izrael deri tani “nuk do të jetë e qëndrueshme” përballë pasigurisë së krijuar nga konflikti i zgjatur dhe politikës ekonomike “shkatërruese” të qeverisë.
Edhe para sulmit të 7 tetorit, planet e qeverisë për të dobësuar sistemin gjyqësor po nxisnin disa kompani izraelite të teknologjisë të regjistrohen në Shtetet e Bashkuara. Pasiguria e krijuar nga lufta e ka përkeqësuar këtë trend, me shumicën e kompanive të reja të teknologjisë të regjistruara zyrtarisht jashtë vendit, pavarësisht nga nxitjet fiskale për t’u regjistruar në vend, dhe një numër i madh duke konsideruar zhvendosjen e disa operacioneve të tyre jashtë Izraelit, tha Hasson për CNN muajin e kaluar.
Ai mbetet optimist për teknologjinë izraelite, duke theksuar mbledhjet e forta të fondeve, por paralajmëron se rritja e ardhshme e industrisë “varet nga stabiliteti rajonal dhe politikat e përgjegjshme të qeverisë.”
Sektorë të tjerë të ekonomisë së Izraelit, ndonëse më pak të rëndësishëm se teknologjia, janë goditur shumë më rëndë. Sektorët e bujqësisë dhe ndërtimit kanë pasur vështirësi për të mbushur boshllëqet e lëna nga palestinezët të cilëve u janë pezulluar lejet e punës që nga tetori i vitit të kaluar, duke shtuar çmimet për perimet e freskëta dhe duke çuar në një rënie të thellë të ndërtimit të shtëpive.
Turizmi gjithashtu ka marrë një goditje, me hyrjet që kanë rënë ndjeshëm këtë vit. Ministria e turizmit të Izraelit ka vlerësuar se rënia e turistëve të huaj ka rezultuar në 18.7 miliardë shekelë (4.9 miliardë dollarë) të humbura që nga fillimi i luftës.
Norman, një hotel butik në Tel Aviv, ka qenë i detyruar të shpërngulë disa punonjës dhe të ulë çmimet deri në 25%, për shkak se disa nga fasilitetet e tij — përfshirë restorantin japonez në çati — mbeten të mbyllura për të kursyer në shpenzime.
Nivelet e rezervimit kanë rënë nga mbi 80% para luftës në nën 50% aktualisht, sipas menaxherit të përgjithshëm të hotelit, Yaron Liberman.
“Ne e dimë se ditën kur lufta do të mbarojë, do të jetë çmenduri këtu sa i përket rikthimit të biznesit,” i tha ai CNN-it në mes të shtatorit, duke përmendur korrespondencën nga mysafirë potencialë të interesuar për të vizituar Izraelin, por të paaftë për të rezervuar fluturime ose për të mundësuar sigurimin e udhëtimit.
Por për momentin, “faktori më i madh është pasiguria,” tha Liberman. “Kur do të përfundojë lufta?”