Prapaskenat në elitën e futbolli | Si UEFA po përgatit një ‘grusht shteti’ ndaj Infantinos. 


Gianni Infantino mund të ketë hequr dorë nga plani i shumëdebatuar për shitjen e një pjese të të drejtave komerciale të Kupës së Botës, por kriza politike brenda FIFA-s duket se sapo ka hyrë në fazën më të nxehtë.

Sipas një investigimi të “The Telegraph”, UEFA dhe aleatët e saj po punojnë prapa skenave për t’i dhënë fund presidencës së zviceranit, madje duke përdorur kundër tij një plan sekret të hartuar nga vetë Infantino vite më parë.

Pas revoltës globale ndaj projektit “FIFA Forward Enterprise” (FFE), që parashikonte shitjen e mbi 20 për qind të të drejtave komerciale të turneve të FIFA-s për rreth 4.2 miliardë dollarë, Infantino u detyrua të tërhiqej publikisht, duke pranuar se iniciativa kishte “krijuar përçarje”.

Megjithatë, sipas burimeve të gazetës britanike, kundërshtarët e tij besojnë se ky është vetëm fillimi i fundit të epokës së tij.

Raporti zbulon se, kur Infantino ishte Sekretar i Përgjithshëm i UEFA-s, gjatë krizës që çoi në largimin e Sepp Blatter nga FIFA, ai kishte hartuar në mënyrë konfidenciale një plan që parashikonte largimin e UEFA-s nga FIFA dhe krijimin e një organizate rivale të futbollit botëror.

Plani nuk u zbatua kurrë, por dokumentet nuk janë zhdukur.

“Ai mendonte se askush nuk i kishte ruajtur, sepse njerëzit e asaj periudhe ishin larguar. Por jo të gjithë i hodhën ato dokumente”, tha një burim për “The Telegraph”. “UEFA po shqyrton seriozisht përdorimin e tyre kundër tij”.

Ky projekt është i ndryshëm nga ideja e vitit 2017 për një Global Nations League, por tregon se vetë Infantino kishte menduar dikur ndarjen e UEFA-s nga FIFA.

Një tjetër front është gjetja e një kandidati të fortë për zgjedhjet presidenciale të FIFA-s.

Sipas raportit, brenda UEFA-s ka vlerësim të madh për presidentin e CONCACAF-it, Victor Montagliani, i cili konsiderohet figurë bashkuese dhe me aftësi të forta drejtuese.

Në listën e emrave të përfolur është edhe presidenti i Konfederatës Aziatike, Sheikh Salman, ndërsa Nasser Al-Khelaifi ka mohuar se ka ambicie për të kandiduar.

Një nga armët më të forta politike të Infantino-s ishte mbështetja financiare ndaj federatave të vogla falë të ardhurave rekord të FIFA-s. Por plani për të shitur një pjesë të aseteve të Kupës së Botës ka ndryshuar klimën.

Ish-këshilltari i Infantino-s, Carlos Cordeiro, dha dorëheqjen duke e cilësuar projektin një “marrëveshje të keqe”.

“FIFA ka miliarda dollarë rezerva dhe nuk ka borxhe. Nuk ka asnjë arsye bindëse për të hipotekuar të ardhmen e futbollit”, deklaroi ai.

Sipas “The Telegraph”, shumë federata kanë arritur në përfundimin se marrëveshja do t’i varfëronte ato në planin afatgjatë.

Një tjetër skenar është thirrja e një Kongresi të Jashtëzakonshëm të FIFA-s për të kërkuar një votë mosbesimi ndaj Infantino-s.

Statuti i FIFA-s lejon që 20 për qind e 211 federatave anëtare (43 federata) të kërkojnë një Kongres të tillë. Vetëm UEFA numëron 55 anëtarë, çka do të thotë se e ka fuqinë për ta nisur këtë proces nëse siguron mbështetje shtesë.

Presioni ndaj Infantino-s nuk vjen vetëm nga futbolli.

Demokrati amerikan Jamie Raskin ka nisur një hetim mbi lidhjet e presidentit të FIFA-s me administratën e Donald Trump dhe mënyrën se si u promovua projekti i investitorëve privatë.

Ndërkohë, edhe drejtori operativ i FIFA-s, Kevin Lamour, pranoi publikisht se stafi ishte “mashtruar” nga mungesa e transparencës së Infantino-s gjatë përgatitjes së planit.

Presidentja e Federatës Norvegjeze, Lise Klaveness, e cilësoi situatën si “shumë serioze” dhe kërkoi hetim të pavarur.

Në përfundim, sipas “The Telegraph”, kundërshtarët e Gianni Infantino-s janë më të bashkuar se kurrë dhe, të udhëhequr nga UEFA, po shqyrtojnë çdo rrugë të mundshme për t’i dhënë fund presidencës së tij në FIFA.

Shpërndaje