
Nga Irena Beqiraj, ish zv/ministre e Financave
Përpara pasqyrës apo iluzionit mashtrues ?
Edgar Morin shkruan:
“Problemi nuk është se nuk ishe i arsimuar. Problemi është se ishe i arsimuar mjaftueshëm për të besuar atë që të mësuan, por jo mjaftueshëm për të vënë në dyshim gjithçka që të thanë.”
Ndaj sa herë flet Kryeministri, qeveria e të cilit dallohet për metodologjinë “që një matës i vlefshëm më lehtë mund të manipulohet sesa të arrihet”, gjithmonë duhet verifikuar informacioni.
Në raportin e OECD për Shqipërinë thuhet shprehimisht:
“Meqenëse mungesa e plotë e shkollave të vogla nënkupton një boshllëk strukturor në mbulim, që nuk mund të korrigjohet plotësisht duke përdorur rregullime statistikore, raportimi i rezultateve për Shqipërinë në raportet ndërkombëre është i kufizuar, pa raportime të trendit dhe me informacionin të kufizuar të mbledhur përmes pyetësorëve”.
Dhe më tej raporti tregon që:
“Në Shqipëri, 5 959 nxënës, në 160 shkolla, përfunduan vlerësimin, duke përfaqësuar rreth 22 800 nxënës 15-vjeçarë (rreth 72% e popullsisë totale të 15-vjeçarëve)”.
E pra, kush di të lexojë arrin ta dallojë gënjeshtrën e besueshme dhe kupton që me gjuhë të kujdeshme raporti na thotë që për shkak të pjesëmarrjes së ulët, edhe mos përmbushjes së standarteve të përzgjedhjes së studentëve të testuar, rezultatet do të përdoren në mënyrë të kufizuar në raportimet ndërkombëtare, dhe janë vështirësisht të krahasueshme në trende kohore.
Kjo për një arsye fare të thjeshtë:
“MADHËSIA dhe CILËSIA e kampionit të përzgjedhur përcaktojnë nëse një rezultat është një pasqyrë kuptimplotë apo një iluzion mashtrues. Duke pasur parasysh problemet me mostrën e studetëve të përzgjedhur, më shumë sesa një “dëftesë e jashtëzakonshme” rezultati është një iluzion mashtrues.
Metoda e qeverisë e ndjekur në këtë rast është e qartë, nëse një matës pranohet gjerësisht si matës i vlefshëm më lehtë është ta manipulosh sesa ta arrish!
Fatkeqësia në këtë rast, nuk është vetëm se Ministria e Arsimit është kujdesur në formësimin e këtij iluzioni duke përjashtuar nga testimi kryesisht shkollat në zonën rurale e as se dhe Kryeministri, manipulon kur thotë që ky është rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë, ndërsa raporti na paralajmëron se cilësia statistikore e këtyre rezultateve është e pamjaftueshme për të bërë krahasimin në kohë….. të gjitha këto janë normë tanimë në këtë vend.
Fatkeqësia është se luga bosh e propagandës po përdoret pa më të voglin hezitim tek përcaktuesi bazë i të ardhmes së një kombi, arsimi!