Konsultime me Ramën?! Me PS?! Po Komisioni, për çfarë vlejti?! 

Nga Besart Logu, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD

“Dokumenti i reformës së propozuar është pikërisht në fazën e vet të konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin”, është shprehur Edi Rama rreth reagimeve që ka ngjallur propozimi i PS tek banorët e bashkive që priten të shkrihen. 

Vetëm tek kjo fjali shpaloset gjendja ku ka degraduar shteti shqiptar nën drejtimin e Edi Ramës. 

  • Në rastin më të mirë, po manipulohen qytetarët

Kryeministri gënjen qytetarët duke u thënë se jemi në fazën e konsultimit publik për një projektligj të cilin e ka sjellë në Kuvend për votim. Pra, është një cikël i mbyllur. Dhe gënjeshtra nuk vjen rastësisht apo si retorikë e ditës. Ajo vjen në funksion të manipulimit. Kërkon të fitojë kohë me qëllim uljen e tensionit mes qytetarëve, dhe kur të nisë sesioni i ri parlamentar ta votojë siç ka bërë për çdo ligj tjetër, me dhunën e kartonëve. Por, duket se kësaj rradhe nuk do t’ia kalojë kollaj sepse në protestë ka jo vetëm votues por edhe anëtar të PS të cilët në mënyrë demostrative dogjën kartat e anëtarësisë. 

  • Në rastin më të keq, shteti është shkrirë në një me partinë

Në një republikë funksionale, për të tilla reformash është Parlamenti ai që ngre grupe pune, thërret ekspertë, bën dëgjesa me grupe interesi dhe me qytetarët që preken nga ndryshimet territoriale-administrative. 

Formalisht u ngrit ky komision dhe për nëntë muaj u bënë takime e dëgjesa në pothuaj 2/3 e vendit. Partitë politike atashuan ekspertët e tyre dhe nisi puna për të dalë në një produkt final. Por PS minoi konsensusin dhe në mënyrë të njëanëshme publikoi variantin të cilin e paska patur gati në sirtar. Ama, u bë një punë edhe pse gjysmake, dmth e pa finalizuar. 

Pra, institucionet e bënë punën por me urdhër partie anëtarët e komisionit e sabotuan atë. Dhe vijmë sot, ku Rama bën thirrje publike “bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin”. Ku të shprehen, në takimet që do organizojë Edi Rama?! Tek Partia Socialiste?! Po Komisioni i Posaçëm parlamentar per çfarë vlejti?! Institucionet kanë kanë ndodnjë rol në këtë shtet?!

Pastaj, kë përfaqëson sot Edi Rama kur gjysma e Shqipërisë është ngritur në protestë?! Sa kanë mbetur nga ato 800 mijë vota kur po protestohet e digjen publikisht kartat e anëtarësisë së PS?!

Prandaj, tej çdo tentative djallëzore për të prishur e jo rregulluar punë, nuk mund të jetë Edi Rama zgjidhja ndërkohë që ai është vetë problemi. Për më tepër tani që popullit i është zgjuar ndërgjegjja dhe ka kuptuar se kjo qeveri për 13 vite vetëm qytetarin që nuk ka patur në plan! 

Shpërndaje