Refuzimi për të dëshmur i Anthony Fauci | Çeno: Shkenca nuk forcohet duke mbyllur debatin, por duke lejuar pyetjet, kritikën dhe verifikimin e vazhdueshëm.

Nga Enri Çeno

111 herë. Jo një, jo dy, por plot 111 herë.

111 herë Anthony Fauci refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të senatorëve amerikanë, duke iu referuar mbrojtjes që ofron Amendamenti i Pestë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Për një njeri që për vite u paraqit si autoriteti më i madh shkencor gjatë pandemisë, ky është një numër që ngre pyetje serioze. Në një demokraci, besimi nuk ndërtohet mbi heshtjen, por mbi transparencën dhe përgjegjësinë.

Pandemia nuk ishte vetëm një krizë shëndetësore. Ajo u shndërrua edhe në një provë të madhe për demokracitë liberale. Në emër të emergjencës, në shumë vende të botës u vendosën kufizime të paprecedenta mbi liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Për miliona njerëz, parime që konsideroheshin të paprekshme u pezulluan brenda pak javësh. Kjo periudhë kërkon ende një analizë të plotë, të lirë nga presioni politik dhe e mbështetur mbi transparencën.

Po aq e rëndësishme është që të vazhdojë shqyrtimi shkencor i politikave të ndjekura gjatë pandemisë, përfshirë efektet afatgjata të vaksinimit në masë, mbi bazën e të dhënave dhe studimeve të publikuara. Shkenca nuk forcohet duke mbyllur debatin, por duke lejuar pyetjet, kritikën dhe verifikimin e vazhdueshëm.

Në ditët e fundit të presidencës së Joe Biden, Anthony Fauci mori një falje presidenciale parandaluese, një akt i pazakontë në historinë kushtetuese amerikane, pasi iu dha një personi që nuk ishte dënuar dhe ndaj të cilit nuk kishte një vendim penal. Pikërisht për këtë arsye, ky precedent ka nxitur një debat të gjerë juridik dhe kushtetues mbi kufijtë e kompetencave presidenciale dhe mbi nevojën që institucionet amerikane, përfshirë Gjykatën Supreme nëse çështja i paraqitet për shqyrtim, të japin qartësi për këtë rast.

Demokracitë nuk mbrohen duke kërkuar besim të verbër ndaj autoritetit. Ato mbrohen kur pushteti – politik, administrativ apo shkencor – i përgjigjet pyetjeve të qytetarëve. Sepse pa llogaridhënie nuk ka besim, dhe pa besim nuk mund të ketë as liri, as demokraci të vërtetë.


Shpërndaje