
Jam ai tek i cili vjen kur je në telashe, kur je i zemëruar, kur ke një problem dhe nuk di nga t’ia fillosh.
Jam ai që të hap derën e zyrës kur nuk e duron më martesën tënde, kur ai/ajo të ka lënë, kur të sekuestrojnë shtëpinë, kur nuk paguan dot borxhet dhe kur ata që të kanë borxh nuk të paguajnë ty.
Jam ai që zgjohet në tre të mëngjesit sepse të kanë ndaluar në gjendje të dehur, ai që humbet kungimin e nipit sepse të kanë caktuar marrjen në pyetje të shtunën në mëngjes, ai që nuk sheh shfaqjen e vallëzimit të vajzës sepse seanca jote përfundon në dhjetë të mbrëmjes.
Jam ai që rri në anën tënde kur të tjerët do të donin të të linçonin, ai që dëgjon marrëzitë e tua kur as nëna jote nuk do t’i dëgjojë më.
Jam ai që, për të bërë këtë punë, ka studiuar shumë vite, pastaj ka bërë një praktikë të lodhshme dhe shpesh pa pagesë; më pas provimin, fillimet e vështira, pasigurinë, frikën, përgjegjësinë dhe përditësimin e vazhdueshëm.
Jam ai që për të shkuar çdo ditë në punë paguan: qiranë, faturat, makinën, sekretaren, letrën, pullat fiskale dhe kafenë për të qëndruar zgjuar duke studiuar.
Jam ai që të lë të dalësh nga zyra edhe kur nuk ke paguar atë që detyrohesh, ndërkohë që as në një dyqan të thjeshtë nuk të lënë të marrësh një litër qumësht pa e paguar.
Jam ai që, kur i qëllohet pas shpine në një gjykatë, në një mëngjes të fillimit të pranverës, kujtohet vetëm nga avokatët e tjerë, sepse të gjithë janë të shqetësuar për magjistratin dhe masat e sigurisë.
Jam një Avokat. Ndoshta kam qenë gjithmonë i tillë, edhe para se të filloja ta ushtroja profesionin, dhe me siguri do të jem gjithë jetën, edhe kur të mos shkel më në gjykatë.
Jam një Avokat, dhe para se ta përdorësh këtë fjalë pa e ditur sa përmbajtje ka brenda, sa mund dhe pasion fshihet pas saj…
mendoje mirë.
Pastaj, ndoshta më mirë hesht.
S.Serangeli