Nga blogu.al
Subjektet tregtare që ushtrojnë veprimtari ekonomike do të kenë një procedurë më të shpejtë për arkëtimin e faturave të papaguara, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Ligjin nr. 48/2014, “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”. Ligji është botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 171 datë 05.08.2026.
Njëkohësisht është ndryshuar edhe Ligji nr. 7850 datë 29.7.1994 “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë” i cili është botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 172 darë 05.08.2026. Ndryshimi lidhet me pjesën e afatit të ekzekutimit të detyrimeve duke shtuar një paragraf të ri tek neni 463, konkretisht:
Në nenin 463 shtohet paragrafi i dytë me këtë përmbajtje:
“Përjashtimisht, afatet e ekzekutimit të detyrimeve monetare dhe lindjen e kamatëvonesave në transaksionet tregtare ndërmjet sipërmarrjeve, si dhe ndërmjet sipërmarrjeve dhe autoriteteve publike rregullohen sipas parashikimeve të ligjit për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare.”.
Ndryshimet në këto dy ligje synojnë të kufizojnë vonesat në pagesa dhe të përafrojnë legjislacionin shqiptar me rregullat e Bashkimit Europian. Risia kryesore është se kreditori nuk do të jetë më i detyruar t’i dërgojë debitorit njoftime ose kujtesa për pagesën. Nëse mallrat apo shërbimet janë dorëzuar sipas kontratës dhe fatura nuk paguhet brenda afatit, kamatëvonesa do të nisë automatikisht.
Kur detyrimi nuk kundërshtohet nga debitori, kreditori mund t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar urdhër ekzekutimi. Kërkesa mund të përfshijë shumën e faturës së papaguar, kamatëvonesat dhe shpenzimet e kryera për rikuperimin e detyrimit.
Ligji vendos edhe afate më të qarta për pagesat. Në kontratat ndërmjet bizneseve, afati nuk duhet të kalojë 60 ditë, përveç rasteve kur palët bien dakord ndryshe dhe marrëveshja nuk e vendos kreditorin në kushte të pafavorshme. Kur debitori është një institucion publik, pagesa duhet të kryhet brenda 30 ditëve. Ky afat mund të zgjatet deri në 60 ditë vetëm në raste të veçanta dhe kur një gjë e tillë është parashikuar qartë në kontratë.
Edhe procesi i marrjes në dorëzim apo i kolaudimit të mallrave dhe shërbimeve nuk mund të përdoret më për të shtyrë pagesën. Sipas ndryshimeve, këto procedura duhet të përfundojnë brenda 30 ditëve, përveç rasteve kur kontrata parashikon shprehimisht një afat tjetër.
Ndryshimet ligjore të sipërpërmendura do të zbatohen vetëm për kontratat dhe transaksionet tregtare të lidhura pas hyrjes në fuqi të ligjit. Për detyrimet e krijuara më herët do të vazhdojë të zbatohet legjislacioni i mëparshëm.