Rezistenca ndaj reformës territoriale. Si gjithmonë, fajin e ka Saliu! 

Nga blogu.al

Sot pas më shumë se 24 orë nga miratimi i reformës territoriale me dhunën e kartonëve, mund të logjikojmë më ftohtë mbi reagimin ndaj asaj nisme dhe mundësinë e bllokimit si proces për të pamundësuar përmbushjen e qëllimit personal të Edi Ramës; një Shqipëri me kufinj administrativ ndryshe e rrjedhimisht me konfigurime të reja influencash. 

Padiskutim, për tellallët e pavarur edhe për këtë zhvillim nga kampi i pushtetit, përgjegjësia shkon tek opozita. Ajo i ka fajet, sepse, Berisha nuk frymëzon! PD është e shitur! Deputetë që mendojnë vetëm për rrogat! E bla bla bla!

Dakort, PD qenka e tillë! Po vetë banorët e 15 bashkive që shkrihen, pse nuk dolën të protestojnë?!

Do thonë se; duhet dikush t’i thërrasë. Po ja, kemi protestën e flamingove që ka dalë kundër establishmentit. Pse nuk u mblodhën rreth saj?!!! Sheshet ishin të ndara, flamingot tek “Toptani” ndërsa PD përballë selisë saj. 

Në shesh ishte edhe Qorri, Shehaj, Lapaj, etj. As këta nuk i bindin?!!! Saliu e ka fajin edhe për këta?!

Ka diçka, kjo reformë e ka emrin territoriale por në thelb është një reformë brënda PS. Në mandatin e katërt qeverisës me plot skandale dhe pas burgosjes së dhjetra kryebashkiakë të majtë, Rama e kishte të vështirë të ruante balancat në rrethe dhe e përqëndroi ndikimin në vetëm 46 bashki. Përqëndrim i cili reflekton jo vetëm në zgjedhjet vendore por dhe në ato qendrore, si projeksion i tij për grabitjen edhe të zgjedhjeve parlamtare të 2029-s. 


Po demokratët ku ishin? Padiskutim në shesh. Kush kishte mundësi doli paradite, të tjerët pasdite apo në darkë. Ishte seancë maratonë e cila lodhi edhe vetë deputetët e jo më protestuesit në rrugë, në mes të shiut. Mos të harrojmë faktin se opozita e gjatë ka bërë që anëtarësia të krijojë një rutinë të cilën vetëm për arsye madhore e prish. Ka të rinj që janë fejuar, martuar e shtuar me fëmijë gjatë kësaj periudhe. Të tjerë më në moshë janë në prag ose kanë dalë në pension. Ngjarje te tilla në jetë ta kushtëzojnë daljen në protestë për çdo shkak por kjo nuk do të thotë se kanë hequr dorë nga të bërit opozitë. 

Kush e sheh PD si forcë operacionale protestash, që shkon kudo ku ka grumbullim njerëzish, e ka gabim. PD është forca e dytë më e madhe në vend, me historik qeverisës dhe e strukturuar në çdo qytet dhe si e tillë është e vetmja forcë konkuruese e PS. PD nuk është parti që përbëhet nga studentë me qira në Tiranë apo që ka mbledhur vota aksidentale e të mllefosurish me PD e PS, edhe këto kryesisht në kryeqytet. PD ka detyrimin që para se të rrihet me policinë fillimisht të shpalosë alternativën e saj, të njohë e respektojë institucionet, e në fund të zgjedhë rrugën, për të cilën personalisht kam rezerva sepse ia pa hajr kësaj mendësie radikale me djegien e mandateve dhe lënien e bashkive. Pasoja të cilat edhe sot po vuhen. 


Bojkot nga demokratët? Jo fare. Demokratët kanë të qartë vetëm një fakt: nëse ka rregulla gare, PS del në opozitë dhe kushedi kur kthehet më në pushtet. Demokratët e dinë se në fushatë nuk kanë përballë kanditatët dhe strukturat e PS por bandat e qytetit që u shkojnë darkave në shtëpi votuesve, strukturave por dhe kandidatëve të opozitës. Se çfarë pakënaqësie ka krijuar kjo qeveri tek njerëzit e thjeshtë e shohim të gjithë sepse kemi kontakte me partiakë e jopartiakë. Përditshmëria i është vështirësuar të gjithëve, tej bindjeve e qendrimeve politike që kane ndaj qeverisë apo opozitës. 

Pastaj, për çfarë duhej të dilnin demokratët e Vlorës në protestë, si shenjë solidariteti për socialistët e Selenicës që i braktisi Vullnet Sinaj?! Të dilnin demokratët e Divjakës për socialistët e asaj zone, që i talli Erion Braçe kur bënte si avokat i të mbjellave të tyre?! Po demokratët e Rrogozhinës, të dilnin sepse Elisa Spiropali, si drejtuese politike e qarkut Tiranë, nuk po përfaqësonte interesat e socialistëve duke shkrirë Bashkinë Rrogozhinë?!


Të humburit më të mëdhenj në këtë histori janë socialistët. Atyre do u shkurtohen vendet e punës. Është krejt normale se në mungesë të një pushteti të dalë nga vota, struktura e të emëruarve reduktohet por Mazniku me shokë nuk ua thonë që sot sepse krijon reaksion. Pasi të implementohet struktura e re, socialistët e punësuar në bashkitë që shkrihen do të përballen me shkresa ku u bëhet me dije “vendi juaj i punës suprimohet” duke i kaluar pastaj në listë pritje. Nëse nuk e besojnë, le t’ia hidhin një sy organikave të ish komunave e bashkive që u shkrinë me reformën territoriale të vitit 2014. Ai fat i pret edhe këto të 15 bashkive që PS vendosi t’i zhdukë nga harta. Pra, për çfarë të dilnin demokratët në protestë, për vendin e punës të socialistëve të cilët nuk kanë guxim të protestojnë as për veten e tyre?! 

Dhe e fundit; do u mungojnë shërbimet administrative? Po demokratët janë më të diskriminuarit nga kjo administratë. “Një i nënës e një i njerkës” ka qenë trajtimi kur një demokrat dhe një socialist kanë konkuruar për një vend pune, kredi të butë, asistencë, bursë, fondet e termetit apo çdo shërbim tjetër që ofrojnë bashkitë. Ne e dimë se si funksionon sistemi i patronazhimit, që merr të dhëna nga institucionet shtetërore dhe i shfrytëzon ato duke përdorur shërbimet publike në funksion të interesave partiake të PS. 


Prandaj, përdorimi i demokratëve në funksion të propagandës qeveritare dhe diversioneve që bën KM është akti më kriminal i mundshëm. Ato janë heronjtë e demokracisë të cilët i qëndruan stoik bindjeve të tyre duke mos u ndikuar as nga joshja me për tu bërë pjesë e pushtetit, as nga presionet e bandave kriminale, as represioni me procedime penale e në shumë raste as nga varfëria e pamundësia për të plotësuar nevojat bazike. 

Kështu, shigjetat që hidhen drejt PD sikur nuk frymëzon apo është e shitur janë produkt i pagesave me zarf që bën pushteti për ta orientuar debatin tek opozita me qëllim shmangien e llogaridhënies për shkrirjen e 15 bashkive. Sot çdo zë publik duhet të bëjë vetëm një pyetje dhe këtë në adresë te 85 deputetëve që votuan pro: pse e braktisët qytetarin?

Shpërndaje