“Pagat e gjyqësorit” | Analizë juridike mbi pasojat që prodhoi Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

OPINION LIGJOR

Mbi (pa)pajtueshmërinë me Kushtetutën të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, depozituar në Kuvend më 30.07.2026

Përgatiti: Renis Bega, Gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat

Tiranë, shtator 2026

I. HYRJE

Çështja e trajtimit ligjor të pagës së magjistratëve pas vendimit nr.15/2026 të Gjykatës Kushtetuese paraqet një problem me rëndësi të veçantë kushtetuese, jo vetëm për shkak të nevojës për përshtatjen e legjislacionit në fuqi me standardet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese, por edhe për shkak të kufijve që këto standarde vendosin mbi hapësirën e mëtejshme të veprimit të ligjvënësit.

Vendimi nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta mbi regjimin juridik të pagave të magjistratëve, duke shfuqizuar disa nga dispozitat e ligjit nr. 33/2023 dhe, njëkohësisht, duke i ngarkuar Kuvendit detyrimin për të ndërmarrë ndryshimet e nevojshme ligjore brenda datës 31.07.2026. Përtej këtij detyrimi pozitiv për ndërhyrje legjislative, vendimi ka përcaktuar edhe standardet kushtetuese brenda të cilave duhet të realizohet çdo rregullim i ri i pagës së magjistratëve.

Pikërisht këtu qëndron problemi themelor që shtrohet për shqyrtim: (i) Nëse ndryshimet e kërkuara nga Gjykata Kushtetuese nuk janë miratuar dhe nuk kanë hyrë në fuqi brenda afatit të përcaktuar prej saj, cili është regjimi juridik që rregullon pagën e magjistratit pas datës 31.07.2026? (ii) A mundet Kuvendi pas datës 31.07.2026 të miratojë një formulë të re të pagës së magjistratëve e cila, në rezultatin e saj konkret, sjell një nivel page më të ulët se ai që rezulton nga regjimi juridik i zbatueshëm pas shfuqizimit të dispozitave antikushtetuese? 

Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve nuk mund të kufizohet në një analizë të kompetencës së përgjithshme të Kuvendit për të ndryshuar ligjin. Është e padiskutueshme se përcaktimi i regjimit të pagave të magjistratëve i përket ligjvënësit. Megjithatë, kjo kompetencë nuk ushtrohet në një hapësirë kushtetuese të pakufizuar. Ajo kushtëzohet nga neni 138 i Kushtetutës, nga parimi i pavarësisë së pushtetit gjyqësor, nga siguria juridike dhe, në mënyrë të veçantë, nga efekti detyrues i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 132 të Kushtetutës.

Në këtë kuadër, duhet bërë një dallim i domosdoshëm ndërmjet detyrimit për të miratuar një rregullim të ri dhe lirisë për të përcaktuar një rregullim çfarëdo. Vendimi nr. 15/2026 nuk i ka dhënë Kuvendit një autorizim të pakushtëzuar për të vendosur një formulë të re pagash, por ka 1 përcaktuar një kuadër kushtetues dhe një afat brenda të cilit duhet të ushtrohet kompetenca ligjvënëse. Për rrjedhojë, një ligj i ri nuk mund të konsiderohet në përputhje me Kushtetutën vetëm për faktin se formalisht i përgjigjet detyrimit për ndryshimin e legjislacionit; ai duhet të jetë edhe materialisht në përputhje me standardet kushtetuese të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese. 

Një çështje tjetër e rëndësishme që kërkon shqyrtim është pasoja juridike e shfuqizimit të dispozitave të ligjit nr.33/2023. Nëse dispozitat e shfuqizuara kanë pasur natyrë ndryshuese të një regjimi juridik të mëparshëm, eliminimi i tyre nga rendi juridik nuk mund të analizohet pa marrë në konsideratë normën që ato kanë ndryshuar dhe mekanizmin juridik që mbetet pas shfuqizimit. Në këtë kontekst shtrohet çështja e reviviscencës-ringjalljes, pra e rikthimit në zbatim të rregullimit të mëparshëm, si pasojë e eliminimit të normës ndryshuese antikushtetuese. Kjo çështje merr rëndësi të veçantë në rastin konkret, pasi prej saj varet nëse pas datës 31.07.2026 kemi të bëjmë me një “boshllëk ligjor” në rregullimin e pagës së magjistratëve apo me vijimësinë e një mekanizmi juridik ekzistues.

Ky opinion synon, për rrjedhojë, të analizojë në mënyrë të integruar efektet e vendimit nr.15/2026, natyrën dhe pasojat e shfuqizimit të dispozitave antikushtetuese, zbatimin e mekanizmit të mëparshëm të pagës, kufijtë kushtetues të kompetencës së Kuvendit dhe pajtueshmërinë e formulës së re të propozuar me nenin 138 të Kushtetutës. Në veçanti, analiza do të mbështetet në premisën se mbrojtja kushtetuese e pagës së magjistratit nuk mund të reduktohet në një garanci thjesht formale ndaj ndërhyrjeve nominale në pagë. Ajo kërkon që çdo ndryshim legjislativ të respektojë standardin substancial të përcaktuar nga Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese, duke mos lejuar që, nëpërmjet një formule të re, të realizohet një rezultat ekonomik që bie ndesh me këtë mbrojtje.

Në këtë këndvështrim, çështja nuk është vetëm nëse Kuvendi ka miratuar apo do të miratojë një ligj të ri, por nëse përmbajtja e këtij ligji, koha e miratimit të tij dhe efektet konkrete të formulës së re janë në përputhje me Kushtetutën dhe me detyrimin për respektimin e plotë të vendimit nr.15/2026 të Gjykatës Kushtetuese.

II. PËRMBAJTJA DHE EFEKTET JURIDIKE TË VENDIMIT NR.15/2026

Dispozitivi i vendimit nr. 15/2026 përmban një tërësi elementesh që nuk mund të interpretohen të shkëputura nga njëri-tjetri.

Së pari, Gjykata Kushtetuese ka vendosur shfuqizimin e dispozitave përkatëse të ligjit nr. 33/2023.

Së dyti, ajo ka detyruar Kuvendin të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore brenda datës 31.07.2026.

Së treti, Gjykata ka përcaktuar se efektet e shfuqizimit do të hyjnë në fuqi ditën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore dhe, në çdo rast, jo më vonë se data 31.07.2026.

Së fundi, bëhet fjalë për një vendim përfundimtar dhe detyrues, efektet e të cilit burojnë drejtpërdrejt nga Kushtetuta.

Formulimi “dhe, në çdo rast, jo më vonë se data 31.07.2026” është veçanërisht domethënës. Ai nuk i lë Kuvendit një afat të pakufizuar për të ndërhyrë në legjislacion. Përkundrazi, vendos një kufi të fundit kohor për realizimin e detyrimit të përcaktuar nga Gjykata dhe për aktivizimin e efekteve të shfuqizimit.

Për rrjedhojë, data 31.07.2026 nuk mund të konsiderohet si një afat thjesht orientues ose procedural. Ajo përbën kufirin maksimal të përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese për këtë ndërhyrje të posaçme ligjvënëse.

III. EFEKTET E SHFUQIZIMIT TË LIGJIT NDRYSHUES DHE RIKTHIMI I NORMËS SË MËPARSHME (REVIVISCENZA)

Çështja më e rëndësishme që lind pas datës 31.07.2026 është përcaktimi i gjendjes juridike të krijuar pas shfuqizimit të dispozitave të ligjit nr. 33/2023.

Nuk mund të pranohet premisa se, pas kësaj date, dispozitat e shfuqizuara vazhdojnë të përbëjnë bazën juridike të llogaritjes së pagës së magjistratëve. Shfuqizimi kushtetues nuk është një deklarim pa pasoja praktike mbi zbatueshmërinë e normës. Ai eliminon nga rendi juridik normën e konstatuar si antikushtetuese dhe aktivizon efektet juridike të përcaktuara nga vendimi kushtetues. Në rastin konkret, dispozitat e ligjit nr. 33/2023 kishin karakter ndryshues: ato kishin ndërhyrë mbi një mekanizëm normativ ekzistues të përcaktimit të pagës së magjistratëve. Për këtë arsye, shfuqizimi i tyre nuk mund të trajtohet sikur krijon domosdoshmërisht një vakuum normativ. Përkundrazi, pasoja juridike e natyrshme e eliminimit të normës ndryshuese është rikthimi në zbatueshmëri i rregullimit të mëparshëm, për aq sa ky rregullim është ende i pajtueshëm me Kushtetutën dhe është i nevojshëm për të rregulluar marrëdhënien juridike.

Ky mekanizëm njihet në doktrinën kushtetuese si reviviscenza/revived/ringjallja, pra rikthimi në jetë/fuqi i normës së mëparshme pas eliminimit të normës ndryshuese. Instituti nuk nënkupton krijimin gjyqësor të një norme të re. Përkundrazi, bëhet fjalë për pasojën juridike të eliminimit të normës që kishte ndryshuar një rregullim të mëparshëm. Në këtë kuptim, gjykata kushtetuese nuk merr përsipër funksionin legjislativ, por përcakton pasojat juridike të shfuqizimit të një norme antikushtetuese.

Kjo qasje është e njohur edhe në jurisprudencën evropiane. Në çështjen “Scordino kundër Italisë (nr.1)”, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka evidentuar efektet erga omnes dhe prapavepruese të deklarimit të antikushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese italiane, duke iu referuar edhe pasojës sipas së cilës, pas eliminimit të normës antikushtetuese, dispozitat e mëparshme rikthehen në fuqi (reviviscenza).

Ky element është veçanërisht i rëndësishëm në çështjen objekt shqyrtimi. Nëse një normë ndryshuese eliminohet nga rendi juridik për shkak të papajtueshmërisë me Kushtetutën, nuk mund të konsiderohet automatikisht se marrëdhënia juridike që ajo rregullonte mbetet pa bazë ligjore. Përkundrazi, duhet të përcaktohet rregulli juridik që mbetet i zbatueshëm pas eliminimit të normës antikushtetuese. Në këtë kuptim duhet lexuar edhe paragrafi 110 i vendimit nr.15/2026, ku Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se, nëse ndryshimet ligjore nuk bëhen deri më 31.07.2026, “llogaritja e pagesave të prapambetura do të bëhet me formulën që i referohet funksionarit të administratës së lartë publike, sipas referencës së analizuar në vendimin nr.35/2022 të kësaj Gjykate”.

Ky përcaktim nuk duhet kuptuar si krijim nga Gjykata i një norme të re ligjore. Ai përbën identifikimin, në mënyrë kushtetuese detyruese, të mekanizmit normativ që mbetet i zbatueshëm pas mosveprimit të Kuvendit dhe pas shfuqizimit të dispozitave të ligjit nr. 33/2023. Në këtë pikë, paragrafi 110 ka rëndësi të veçantë pikërisht sepse eliminon pretendimin se mosveprimi i Kuvendit deri më 31.07.2026 do të prodhonte domosdoshmërisht një vakuum juridik. Gjykata Kushtetuese ka parashikuar vetë pasojën juridike të mosveprimit.

Në fakt, edhe në mungesë të këtij përcaktimi të shprehur, eliminimi i një ligji ndryshues nuk do të duhej të çonte domosdoshmërisht në boshllëk normativ, për sa kohë që ekziston një rregullim i mëparshëm, i cili rifillon të zbatohet pas eliminimit të normës ndryshuese. Vendimi nr. 15/2026 e bën këtë përfundim edhe më të qartë, duke identifikuar shprehimisht formulën përkatëse.

III/A. REVIVISCENZA SI PASOJË JURIDIKE E SHFUQIZIMIT TË NORMËS NDRYSHUESE DHE JO SI KRIJIM GJYQËSOR I SË DREJTËS

Pushteti ekzekutiv ka pranuar se vendimi nr. 15/2026 ka prodhuar efektet dhe se ligji nr.33/2023 është shfuqizuar, por pretendon se përcaktimi i shprehur nga Gjykata Kushtetuese se rikthimi në zbatim i dispozitës së mëparshme, pas shfuqizimit të normës që e kishte ndryshuar atë, do të përbënte krijim gjyqësor të një rregulli të ri dhe, për rrjedhojë, tejkalim të funksionit të Gjykatës Kushtetuese, duke marrë kompetencat e pushtetit legjislativ/Kuvendit.

Ky pretendim nuk qëndron.

Pikënisja e analizës duhet të jetë dallimi ndërmjet krijimit të një norme të re dhe rikthimit të zbatueshmërisë së një norme ekzistuese si pasojë e eliminimit të normës që e kishte zëvendësuar ose ndryshuar atë. Në rastin e parë, gjykata do të merrte përsipër një funksion që i përket ligjvënësit. Në rastin e dytë, gjykata nuk krijon një rregull të ri, por përcakton pasojën juridike të eliminimit të normës antikushtetuese mbi strukturën normative ekzistuese.

Ky dallim është themelor.

Kur një normë autonome shpallet antikushtetuese, eliminimi i saj nga rendi juridik mund të lërë një fushë të caktuar të rregullimit pa normën që e kishte rregulluar. Por kur norma e shfuqizuar është normë ndryshuese, situata është e ndryshme. Ajo nuk ka krijuar nga fillimi një regjim të pavarur normativ; ajo ka ndërhyrë mbi një regjim juridik të mëparshëm, duke zëvendësuar, hequr ose ndryshuar një dispozitë ekzistuese. Në këtë rast, eliminimi i normës ndryshuese sjell nevojën për të përcaktuar se çfarë ndodh me normën mbi të cilën ajo kishte ndërhyrë. Nëse kjo e fundit nuk është vetë antikushtetuese, nuk është shfuqizuar për ndonjë arsye tjetër dhe mbetet e aftë të rregullojë marrëdhënien juridike përkatëse, rikthimi i saj në zbatim nuk përbën krijim të një norme të re. Ai është pasojë e vetë shfuqizimit. Ky është kuptimi juridik i reviviscenza.

1. Reviviscenza nuk është kompetencë legjislative e ushtruar nga gjykata. Të konsiderosh reviviscenza-n si “krijim gjyqësor të ligjit” do të nënkuptonte që norma e mëparshme nuk ka ekzistuar më në rendin juridik dhe se Gjykata Kushtetuese e ka rikrijuar atë. Kjo premisë nuk është e saktë.

Norma e mëparshme ka qenë pjesë e rendit juridik. Ajo është ndryshuar nga një normë e mëvonshme. Kur kjo e fundit eliminohet për shkak të antikushtetutshmërisë, pyetja nuk është se çfarë norme të re duhet të krijojë gjykata, por se cili është statusi juridik i normës mbi të cilën ka vepruar norma e shfuqizuar. Nëse norma e mëparshme është ende kushtetuese dhe e zbatueshme, rikthimi i saj është pasojë e marrëdhënies ndërmjet dy normave në kohë: normës së mëparshme dhe normës ndryshuese të mëvonshme. Pikërisht për këtë arsye, reviviscenza nuk duhet konceptuar si një akt pozitiv i krijimit të ligjit, por si një pasojë juridike e eliminimit të normës ndryshuese.

Kjo qasje është e njohur në jurisprudencën kushtetuese italiane dhe është evidentuar shprehimisht nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen “Scordino kundër Italisë (nr. 1)”. Në §§51–52 të vendimit, Gjykata Evropiane shpjegon se deklarimi i antikushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese italiane ka efekt erga omnes dhe prapaveprues; ligji i deklaruar antikushtetues nuk mund të prodhojë më efekte dhe, si pasojë, dispozitat që kishin qenë më parë të zbatueshme rikthehen në fuqi (reviviscenza).

Kjo nuk mbetet vetëm në nivel abstrakt. Në të njëjtën çështje, Gjykata Evropiane evidenton se, pas deklarimit të antikushtetutshmërisë së një ligji të mëvonshëm, një dispozitë e mëparshme e vitit 1865 “immediately-revived-came back into force” dhe u bë përsëri baza për përcaktimin e kompensimit. Pra, jurisprudenca e marrë në konsideratë nga Gjykata Evropiane nuk e paraqet reviviscenza-n si një akt të ri legjislativ të gjykatës, por si një efekt juridik të deklarimit të antikushtetutshmërisë.

2. Shfuqizimi i normës ndryshuese nuk mund të interpretohet sikur ka shfuqizuar edhe normën e mëparshme

Një tjetër argument i mundshëm kundër rikthimit të normës së mëparshme do të ishte se, pasi ligjvënësi ka ndërhyrë një herë dhe ka ndryshuar rregullimin, dispozita e mëparshme nuk ekziston më dhe, për rrjedhojë, nuk mund të “ringjallet”. Edhe ky argument duhet të refuzohet, për aq sa shfuqizimi kushtetues është drejtuar pikërisht ndaj normës ndryshuese dhe jo ndaj normës së mëparshme.

Norma ndryshuese dhe norma e ndryshuar nuk janë juridikisht e njëjta normë. Shfuqizimi i së parës nuk mund të interpretohet automatikisht si shfuqizim edhe i së dytës. Nëse Gjykata Kushtetuese ka eliminuar vetëm dispozitën që kishte ndryshuar formulën e mëparshme të pagës, atëherë pasojat e këtij shfuqizimi duhet të përcaktohen në raport me gjendjen normative që ekzistonte para ndërhyrjes antikushtetuese. Përndryshe, do të krijohej një paradoks juridik: sa më antikushtetuese të ishte ndërhyrja e ligjvënësit, aq më e madhe do të ishte mundësia që shfuqizimi i saj të krijonte një boshllëk normativ dhe të eliminonte mbrojtjen juridike që ekzistonte para ndërhyrjes. Një rezultat i tillë do të ishte në kundërshtim me vetë funksionin e kontrollit kushtetues.

Shfuqizimi i një norme antikushtetuese nuk mund të përdoret për të prodhuar një rezultat juridik më të pafavorshëm sesa ai që do të ekzistonte po të mos ishte miratuar norma antikushtetuese.

3. Reviviscenza dhe parimi i vazhdimësisë së rendit juridik

Në këtë pikë merr rëndësi edhe parimi i vazhdimësisë dhe koherencës së rendit juridik. Një rend juridik nuk mund të funksionojë mbi premisën se çdo eliminim i një norme ndryshuese krijon automatikisht një boshllëk normativ. Përkundrazi, para se të pranohet ekzistenca e një vakumi, duhet të përcaktohet nëse ekziston një normë tjetër juridike që rregullon marrëdhënien përkatëse dhe që mbetet në fuqi.

Në rastin e pagës së magjistratëve, kjo analizë është edhe më e domosdoshme. Paga nuk mund të mbetet pa bazë juridike vetëm për shkak se ligjvënësi nuk ka miratuar në kohë një formulë të re. Nëse ekziston një mekanizëm ligjor i mëparshëm, i cili është eliminuar vetëm nëpërmjet një norme ndryshuese që më pas është shpallur antikushtetuese, atëherë pikërisht ai mekanizëm përbën pikënisjen për përcaktimin e situatës juridike pas shfuqizimit.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në dritën e nenit 138 të Kushtetutës. Interpretimi që do ta kthente shfuqizimin e një norme antikushtetuese në një “vakum page” do të krijonte një situatë në të cilën mbrojtja kushtetuese e pagës së magjistratit do të varej nga veprimi në kohë i ligjvënësit. Një rezultat i tillë do ta përmbyste raportin kushtetues ndërmjet garancisë dhe kompetencës ligjvënëse.

Garancia e nenit 138 nuk mund të jetë efektive vetëm kur Kuvendi ka miratuar një formulë të re. Ajo duhet të veprojë edhe në periudhën kur Kuvendi nuk ka përmbushur detyrimin e tij për të rregulluar fushën përkatëse.

4. Paragrafi 110 i vendimit nr.15/2026 si konfirmim i reviviscenza-s

Në rastin konkret, ky përfundim nuk mbështetet vetëm në teorinë e përgjithshme të efekteve të shfuqizimit. Gjykata Kushtetuese e ka bërë vetë të qartë pasojën juridike që do të lindte në rast të mosveprimit të Kuvendit brenda datës 31.07.2026. Paragrafi 110 i vendimit nr.15/2026 përcakton se, në këtë rast, llogaritja e pagesave të prapambetura do të bëhet me formulën që i referohet funksionarit të administratës së lartë publike, sipas referencës së analizuar në vendimin nr. 35/2022.

Kjo pjesë e arsyetimit duhet lexuar në lidhje të drejtpërdrejtë me dispozitivin e vendimit. Nëse Gjykata do të kishte konsideruar se mosmiratimi i ligjit deri më 31.07.2026 krijonte një vakuum juridik, ajo nuk do të kishte identifikuar një formulë konkrete të zbatueshme pas këtij momenti. Përkundrazi, duke përcaktuar mekanizmin e llogaritjes që do të zbatohej në rast mosveprimi të Kuvendit, Gjykata ka pranuar si premisë se ekziston një bazë normative e identifikueshme pas përfundimit të afatit.

Prandaj, paragrafi 110 nuk duhet interpretuar si një dispozitë e re ligjore e krijuar nga Gjykata. Ai duhet kuptuar si interpretim kushtetues i pasojave të shfuqizimit, i cili përcakton se cili mekanizëm juridik duhet të përdoret për të shmangur boshllëkun dhe për të garantuar vazhdimësinë e rregullimit të pagës. Në këtë pikë duhet theksuar dallimi ndërmjet “krijimit” dhe “identifikimit” të normës. Gjykata nuk ka krijuar një formulë të re page për magjistratët. Ajo ka identifikuar formulën që, në kushtet e shfuqizimit të normës antikushtetuese dhe të mosveprimit të Kuvendit, mbetet juridikisht e aplikueshme. Kjo është një veprimtari tipike interpretuese dhe jo legjislative.

5. Reviviscenza si pasojë e domosdoshme e efektit ex tunc të shfuqizimit

Një argument tjetër i rëndësishëm lidhet me efektin në kohë të shfuqizimit. Në rastin kur shfuqizimi kushtetues ka efekt ex tunc ose kur norma konsiderohet e paaftë të prodhojë efektet juridike që nga momenti i përcaktuar nga Gjykata, norma ndryshuese nuk mund të trajtohet sikur ka vazhduar të prodhojë pasoja juridike deri në miratimin e një ligji të ri.

Në Scordino, Gjykata Evropiane ka evidentuar pikërisht këtë karakter të deklarimit të antikushtetutshmërisë: norma e deklaruar antikushtetuese nuk mund të përdoret për të rregulluar situatat përkatëse dhe efekti i deklarimit shtrihet mbi situatat që nuk janë bërë përfundimtare.

Kjo ka një pasojë të drejtpërdrejtë për rastin objekt shqyrtimi. Nëse norma ndryshuese nuk mund të vazhdojë të prodhojë efektet që Gjykata Kushtetuese ka eliminuar, atëherë baza normative duhet kërkuar në burimin juridik që mbetet pas eliminimit të saj. Në rastin e një norme ndryshuese, kjo bazë është, në parim, norma e mëparshme.

6. Kufiri: reviviscenza nuk është automatike kur norma e mëparshme është vetë antikushtetuese

Kjo tezë nuk nënkupton se çdo shfuqizim i një norme ndryshuese sjell automatikisht dhe në çdo rrethanë rikthimin e normës së mëparshme. Kushti themelor është që norma e mëparshme të jetë juridikisht e aftë të zbatohet. Kjo del edhe nga vetë formulimi i evidentuar nga Gjykata Evropiane në Scordino: dispozitat e mëparshme rikthehen në fuqi, përveç rasteve kur edhe ato janë deklaruar antikushtetuese. Pra, reviviscenza presupozon ekzistencën e një norme të mëparshme të vlefshme dhe të zbatueshme.

Në rastin e pagës së magjistratëve, nuk rezulton se formula e mëparshme është eliminuar si antikushtetuese. Përkundrazi, vendimi nr. 15/2026 e përdor pikërisht atë mekanizëm si referencë për situatën që krijohet në rast të mosveprimit të Kuvendit.

Për këtë arsye, kundërshtimi se formula e mëparshme nuk mund të zbatohet sepse është “e vjetër” nuk ka peshë juridike. Mosha e normës nuk përcakton vlefshmërinë e saj. Ajo që ka rëndësi është nëse norma është shfuqizuar, është zëvendësuar në mënyrë të vlefshme ose është deklaruar antikushtetuese.

7. Reviviscenza nuk cenon ndarjen e pushteteve

Në fund, duhet refuzuar edhe argumenti sipas të cilit rikthimi i normës së mëparshme do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve. Përkundrazi, ndarja e pushteteve kërkon që secili organ të veprojë brenda kompetencës së vet. Kuvendi mbetet i lirë të ndërhyjë në mënyrë të re në legjislacion, brenda kufijve kushtetues. Gjykata Kushtetuese mbetet e kufizuar në kontrollin e kushtetutshmërisë dhe në përcaktimin e efekteve të shfuqizimit. Nëse Gjykata, pasi shfuqizon një normë ndryshuese, përcakton se norma e mëparshme është ajo që mbetet e zbatueshme, ajo nuk po merr përsipër funksionin e Kuvendit. Ajo po përcakton pasojën juridike të vendimit të saj mbi rendin ekzistues normativ.

Pikërisht e kundërta do të ishte problematike: nëse pas shfuqizimit të një norme ndryshuese do të pranohej automatikisht ekzistenca e një vakumi dhe më pas do t’i lihej ligjvënësit mundësia të vendoste lirisht se cila normë do të zbatohej ndërkohë, do të rrezikohej efektiviteti i vetë kontrollit kushtetues. Gjykata Kushtetuese nuk mund të shfuqizojë një normë për shkak se ajo cenon një garanci kushtetuese dhe, në të njëjtën kohë, të pranojë që pasoja e shfuqizimit të jetë krijimi i një situate që e vendos atë garanci në një pozitë edhe më të pafavorshme.

Prandaj, reviviscenza duhet kuptuar si një mekanizëm që siguron efektivitetin e shfuqizimit dhe vazhdimësinë e rendit juridik, jo si një formë e ushtrimit të pushtetit legjislativ nga gjykata.

8. Përfundimi doktrinar

Nga sa më sipër rezulton se ekzistojnë tri nivele të ndryshme juridike që nuk duhet të ngatërrohen.

Së pari, është kompetenca e Kuvendit për të rregulluar në mënyrë të re sistemin e pagave. Kjo kompetencë ekziston dhe nuk vihet në diskutim.

Së dyti, është efekti i vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi normën e shpallur antikushtetuese. Norma e shfuqizuar nuk mund të vazhdojë të prodhojë efektet juridike që Gjykata ka eliminuar.

Së treti, është gjendja normative që mbetet pas shfuqizimit. Kur norma e shfuqizuar ka qenë normë ndryshuese dhe norma e mëparshme mbetet e vlefshme, e zbatueshme dhe e paprekur nga shfuqizimi, rikthimi i saj në zbatim nuk përbën krijim të një norme të re, por pasojë të vetë eliminimit të normës ndryshuese.

Kjo është pikërisht logjika e reviviscenza-s.

Në rrethanat konkrete, kjo logjikë përforcohet nga vetë vendimi nr. 15/2026, i cili, në paragrafin 110, identifikon mekanizmin e mëparshëm të llogaritjes si bazë për situatën që krijohet në rast të mosmiratimit të ndryshimeve deri më 31.07.2026. Për këtë arsye, pretendimi se pas datës 31.07.2026 krijohet domosdoshmërisht një “vakum ligjor” nuk gjen mbështetje as në natyrën e shfuqizimit të normës ndryshuese, as në logjikën e vazhdimësisë së rendit juridik dhe as në vetë arsyetimin e vendimit nr. 15/2026.

Përkundrazi, përfundimi juridik më koherent është se, nga momenti në të cilin dispozitat e ligjit nr. 33/2023 pushojnë së prodhuari efektet e tyre, mekanizmi normativ i mëparshëm bëhet përsëri referenca juridike e zbatueshme, deri në momentin kur ligjvënësi, duke respektuar Kushtetutën dhe veçanërisht nenin 138 të saj, miraton një rregullim të ri.

Ky përfundim nuk i heq Kuvendit kompetencën për të ligjëruar. Përkundrazi, i rikthen kësaj kompetence kufijtë e saj kushtetues: Kuvendi mund të ndryshojë të ardhmen e sistemit të pagave, por nuk mund të përdorë një ndërhyrje të mëvonshme për të mohuar pasojat juridike të një shfuqizimi kushtetues të ndodhur më parë dhe, aq më pak, për të ulur pagën që është bërë e zbatueshme ndërkohë në bazë të rendit juridik të rikthyer.

IV. RIKTHIMI I FORMULËS NUK NËNKUPTON RIKTHIMIN E VLERAVE HISTORIKE TË PAGËS

Është e nevojshme të bëhet dallimi ndërmjet rikthimit të formulës juridike dhe rikthimit të një vlere historike të pagës. Rikthimi i formulës së mëparshme nuk do të thotë se duhet të merret si bazë një pagë referuese që ka ekzistuar në vitin 2016 ose në vitin 2022. Ajo që rikthehet është mekanizmi juridik i llogaritjes, ndërsa vlera e pagës referuese duhet të jetë ajo që është në fuqi në momentin e zbatimit të këtij mekanizmi.

Në këtë kuptim, neni 12 i ligjit nr. 96/2016 përcaktonte se paga referuese është e njëjtë me “pagën për funksion” të punonjësve të shërbimit civil të kategorisë së parë, klasa e tretë, në pozicionin e drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, ose me çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave.

Rrjedhimisht, rikthimi i kësaj formule nuk do të sillte aplikimin e një vlere të vjetër nominale, por aplikimin e mekanizmit mbi pagën referuese që është aktualisht në fuqi.

Në këtë kuptim duhet parë edhe vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 325, datë 31.05.2023, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagën e zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe punonjësve në disa institucione të administratës publike”, efektet financiare të të cilit fillojnë nga data 01.04.2023.

Për rrjedhojë, sipas kësaj logjike juridike, nga data 01.08.2026 formula e rikthyer do të zbatohej mbi vlerën aktuale të pagës referuese, e cila, sipas të dhënave të parashtruara, është 222,425 lekë bruto, së cilës i shtohet edhe shtesa për nivelin e kualifikimit prej 14,000 lekësh bruto.

Pra, ajo që rikthehet është norma/formula e llogaritjes, jo një situatë historike e pagave.

V. PËRMBAJTJA E PROJEKTLIGJIT DHE FORMULA E RE E PROPOZUAR

Projektligji i depozituar më 30.07.2026 propozon që paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë të përcaktohet nëpërmjet shumëzimit të koeficientit 0.38 me pagën e Presidentit të Republikës.

Në të njëjtën kohë, projektligji parashikon një mekanizëm indeksimi të pagës referuese me vendim të Këshillit të Ministrave, jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i fundit, duke e lidhur nivelin e indeksimit me inflacionin e targetuar. Kjo e fundit mund të konsiderohet një element pozitiv në raport me standardet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese, për aq sa synon të shmangë ngrirjen afatgjatë të pagës dhe humbjen e vlerës së saj reale për shkak të inflacionit. 

Megjithatë, ekzistenca e një mekanizmi të ardhshëm indeksimi nuk e zgjidh problemin themelor kushtetues. Një mekanizëm indeksimi i ardhshëm nuk mund të përdoret për të justifikuar përcaktimin e një page fillestare që është më e ulët se paga që gëzon juridikisht magjistrati në momentin e ndërhyrjes së re ligjore.

VI. NENI 138 I KUSHTETUTËS DHE NDALIMI I ULJES SË PAGËS

Neni 138 i Kushtetutës përbën një garanci të drejtpërdrejtë të pavarësisë së gjyqtarit. Ai parashikon se paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen, përveç rasteve të përcaktuara shprehimisht në Kushtetutë.

Përjashtimet kushtetuese lidhen me:

a) nevojën për marrjen e masave të përgjithshme ekonomiko-financiare për të shmangur situata të vështira financiare të vendit ose emergjenca të tjera kombëtare;

b) kthimin e gjyqtarit në detyrën që mbante para emërimit; dhe

c) vendosjen e një mase disiplinore ose vlerësimin e pamjaftueshëm profesional, sipas ligjit.

Garancia e nenit 138 nuk mund të reduktohet në një ndalim formal për të përdorur një formulë të caktuar ligjore. Standardi kushtetues duhet të vlerësohet mbi rezultatin real të ndërhyrjes. Për këtë arsye, një formulë ligjore mund të jetë formalisht e re, objektive dhe e përgjithshme, por përsëri të jetë antikushtetuese nëse rezultati i saj konkret është ulja e pagës së mbrojtur nga neni 138. Në këtë kuptim, mekanizmi i përcaktimit të pagës duhet të karakterizohet nga objektiviteti, parashikueshmëria, qëndrueshmëria dhe transparenca dhe, mbi të gjitha, nuk duhet të prodhojë ulje të drejtpërdrejtë ose të fshehtë të pagës së gjyqtarit.

Standardi kushtetues përfshin edhe ruajtjen e vlerës reale të pagës, pasi një mekanizëm që në dukje ruan vlerën nominale të pagës, por e ekspozon atë ndaj një rënieje të konsiderueshme reale, mund të cenojë vetë qëllimin e garancisë kushtetuese. Prandaj, në vlerësimin e projektligjit nuk mjafton të konstatohet se koeficienti i propozuar është 0.38. Duhet të përcaktohet se çfarë niveli real page prodhon ky koeficient dhe të krahasohet ai me pagën juridikisht të zbatueshme në momentin e ndërhyrjes së re ligjore.

VII. KRAHASIMI ME SITUATËN JURIDIKE PAS DATËS 31.07.2026

Pas skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe aktivizimit të efekteve të shfuqizimit, baza juridike e pagës nuk mund të identifikohet më me formulën e ligjit nr.33/2023. Në këtë moment bëhet operative formula e mëparshme, e rikthyer në zbatim si pasojë e shfuqizimit të normës ndryshuese, mbi pagën referuese aktualisht në fuqi. Për rrjedhojë, çdo projektligj i miratuar pas këtij momenti duhet të krahasohet me situatën juridike ekzistuese dhe jo me situatën që ligjvënësi do të dëshironte të kishte ekzistuar në kohën përpara shfuqizimit.

Formula e re e bazuar në koeficientin 0.38 prodhon një nivel page dukshëm shumë herë më të ulët se ai që rezulton nga formula e rikthyer, prandaj ndërhyrja nuk mund të karakterizohet thjesht si zgjedhje e një formule të re ligjore. Në substancë, ajo do të përbënte zëvendësimin e një page ekzistuese dhe të zbatueshme me një pagë më të ulët.

Këtu qëndron dallimi thelbësor ndërmjet ligjit nr.33/2023 dhe projektligjit të ri. Nëse Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ligji nr.33/2023 prodhonte një ulje të fshehur të pagës së magjistratit, një ndërhyrje e re që, pas datës 31.07.2026, ul në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejt nivelin e pagës së zbatueshme do të ishte, në një kuptim edhe më të drejtpërdrejtë, në kundërshtim me nenin 138 të Kushtetutës.

VIII. PAMUNDËSIA E ZGJATJES SË AFATIT TË PËRCAKTUAR NGA GJYKATA KUSHTETUESE

Një aspekt tjetër thelbësor lidhet me efektet e kalimit të datës 31.07.2026. Kuvendi nuk mund të krijojë, nëpërmjet një ligji të miratuar pas kësaj date, premisën juridike se afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese ka vazhduar deri në momentin e miratimit të ligjit. Një interpretim i tillë do ta shndërronte një afat të përcaktuar shprehimisht nga Gjykata Kushtetuese në një afat thjesht orientues. Kjo do të ishte në kundërshtim me natyrën përfundimtare dhe detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe me nenin 132 të Kushtetutës.

Kuvendi mund të miratojë ligj edhe pas datës 31.07.2026, pasi kompetenca e përgjithshme ligjvënëse nuk shuhet me përfundimin e këtij afati. Por një ligj i tillë nuk mund të konsiderohet si i miratuar “brenda afatit” të vendosur nga Gjykata dhe as nuk mund të prodhojë efektin juridik të një zgjatjeje të njëanshme të këtij afati.

Ndërhyrja e mëvonshme është një ndërhyrje e re e ligjvënëse e pavarur nga vendimi 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të respektojë situatën juridike të krijuar pas datës 31.07.2026 dhe, mbi të gjitha, kufijtë që burojnë nga neni 138 i Kushtetutës.

IX. DEPOZITIMI I PROJEKTLIGJIT MË 30.07.2026 NUK PËRBËN PËRMBUSHJE TË DETYRIMIT KUSHTETUES

Në këtë drejtim, duhet bërë një dallim i qartë ndërmjet depozitimit të një projektligji dhe miratimit të ndryshimeve ligjore të kërkuara nga Gjykata Kushtetuese. Pika 3 e dispozitivit të vendimit nr.15/2026 përcakton detyrimin e Kuvendit “të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, brenda datës 31.07.2026”. Ndërsa pika 4 përcakton se efektet e shfuqizimit hyjnë në fuqi ditën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore dhe, në çdo rast, jo më vonë se data 31.07.2026.

Këto dy pika duhet të lexohen në mënyrë sistematike. Pika 3 përcakton veprimin që duhet të kryejë Kuvendi: miratimin e ndryshimeve ligjore të nevojshme. Pika 4 përcakton kufirin kohor për prodhimin e efekteve juridike të kësaj ndërhyrjeje. Nëse ndryshimet do të ishin miratuar dhe do të kishin hyrë në fuqi, për shembull, më 20.07.2026, efektet e shfuqizimit do të lidheshin me atë moment. Por nëse deri më 31.07.2026 ndryshimet nuk ishin miratuar dhe nuk kishin hyrë në fuqi, atëherë pjesa e dytë e pikës 4 — “dhe, në çdo rast, jo më vonë se data 31.07.2026” — vendos një kufi maksimal që nuk mund të shtyhet nga Kuvendi.

Pikërisht për këtë arsye, depozitimi i projektligjit më 30.07.2026 nuk mund të barazohet me përmbushjen e detyrimit kushtetues. Depozitimi përbën vetëm fillimin e një procesi legjislativ. Ai nuk është “miratim” dhe nuk prodhon, në vetvete, efektet juridike që Gjykata Kushtetuese i ka lidhur me hyrjen në fuqi të ndryshimeve. Nëse më 31.07.2026 projektligji nuk ishte miratuar dhe nuk kishte hyrë në fuqi, detyrimi i posaçëm i pikës 3 nuk ishte përmbushur brenda afatit. Pas kësaj date, Kuvendi nuk mund të pretendojë se procesi legjislativ i nisur më 30.07.2026 vazhdon të konsiderohet juridikisht brenda afatit të caktuar nga Gjykata. Një miratim i mëvonshëm, përfshirë një miratim në shtator 2026, është një ndërhyrje e mëvonshme ligjvënëse.

Kjo ndërhyrje mund të synojë zbatimin e vendimit nr. 15/2026, por nuk mund të rivendosë në mënyrë retroaktive afatin e skaduar dhe as të krijojë premisën se detyrimi i pikës 3 është përmbushur në kohë.

X. TESTI KUSHTETUES PAS DATËS 31.07.2026

Për sa më sipër, pas datës 31.07.2026 testi kushtetues nuk duhet të formulohet më në termat e pyetjes nëse Kuvendi “po zbaton ende” detyrimin e pikës 3 të vendimit nr. 15/2026.

Pyetja juridikisht vendimtare është tjetër: Cila është paga që është bërë juridikisht e zbatueshme dhe e mbrojtur nga neni 138 i Kushtetutës pas datës 31.07.2026 dhe a sjell ndërhyrja e re ligjore një ulje të kësaj page?

Ky është testi që duhet të zbatohet ndaj çdo ligji të miratuar pas përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Nëse përgjigjja është se ligji i ri prodhon një nivel më të ulët page sesa ai që gëzohet juridikisht nga magjistrati pas datës 01.08.2026, atëherë kemi të bëjmë jo thjesht me ndryshimin e një formule, por me një ulje të pagës, e cila ndalohet nga neni 138 i Kushtetutës, përveç rasteve të jashtëzakonshme të parashikuara shprehimisht prej tij.

XI. PËRFUNDIM

Nga analiza e mësipërme rezulton se dispozitat e pikave 3 dhe 4 të dispozitivit të vendimit nr.15/2026 duhet të interpretohen në mënyrë të pandashme. Pika 3 vendos një detyrim pozitiv dhe një afat të posaçëm për Kuvendin: miratimin e ndryshimeve ligjore të nevojshme, në përputhje me arsyetimin e Gjykatës, brenda datës 31.07.2026. Pika 4 përcakton pasojën kohore të shfuqizimit dhe vendos një kufi maksimal absolut, duke parashikuar se efektet e shfuqizimit hyjnë në fuqi me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore dhe, në çdo rast, jo më vonë se data 31.07.2026.

Për rrjedhojë, data 31.07.2026 nuk përbën vetëm një afat procedural për veprimtarinë e Kuvendit, por edhe kufirin e fundit kohor të mekanizmit të efekteve të shfuqizimit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Depozitimi i projektligjit më 30.07.2026 nuk mund të barazohet me miratimin e ndryshimeve të kërkuara nga Gjykata dhe as nuk mund të prodhojë efektin e zgjatjes së afatit të përcaktuar prej saj.

Nëse ndryshimet nuk janë miratuar dhe nuk kanë hyrë në fuqi deri më 31.07.2026, një miratim i mëvonshëm nuk mund të konsiderohet si përmbushje brenda afatit të detyrimit të pikës 3. Ai përbën një ndërhyrje të re ligjvënëse, e cila duhet të vlerësohet në mënyrë autonome në dritën e Kushtetutës dhe, veçanërisht, të nenit 138.

Në këtë kuadër, shfuqizimi i ligjit ndryshues nr.33/2023 nuk krijon një vakuum juridik në përcaktimin e pagës së magjistratëve. Efekti juridik i shfuqizimit të normës ndryshuese çon në rikthimin e mekanizmit normativ të mëparshëm, për sa kohë që ai mbetet i zbatueshëm dhe nuk është eliminuar nga rendi juridik për një arsye tjetër. Në rastin konkret, ky përfundim mbështetet edhe nga përcaktimi i shprehur i Gjykatës Kushtetuese në paragrafin 110 të vendimit nr. 15/2026.

Formula e rikthyer nuk nënkupton rikthimin e vlerave historike të pagës. Ajo zbatohet mbi pagën referuese që është në fuqi në momentin e zbatimit. Për këtë arsye, situata juridike pas datës 01.08.2026 duhet të vlerësohet mbi bazën e mekanizmit të rikthyer dhe të vlerës aktuale të pagës referuese.

Projektligji, duke vendosur koeficientin 0.38 të pagës së Presidentit, prodhon një pagë më të ulët se ajo që është bërë e zbatueshme pas datës 31.07.2026, prandaj ndërhyrja nuk mund të justifikohet vetëm me faktin se Kuvendi ka kompetencë të zgjedhë një formulë të re. Kompetenca ligjvënëse nuk është kompetencë e pakufizuar. Ajo ushtrohet brenda garancive kushtetuese që mbrojnë pagën e magjistratit.

Në këtë rast, projektligji do të sillte një zëvendësim të pagës ekzistuese me një pagë më të ulët. Pra, nëse ligji nr.33/2023 ishte konstatuar nga Gjykata Kushtetuese se prodhonte një ulje të fshehur të pagës, ndërhyrja e re do të prodhonte një ulje të drejtpërdrejtë dhe të dukshme të saj. Për këtë arsye, projektligji, në masën që rezultati i tij financiar është ulja e pagës së magjistratëve të zbatueshme nga data 01.08.2026, është i papajtueshëm me nenin 138 të Kushtetutës.

Në përfundim, çështja nuk mund të zgjidhet duke e konsideruar datën 31.07.2026 si një kufi që Kuvendi mund ta kapërcejë pa pasoja juridike, apo duke e trajtuar projektligjin e depozituar më 30.07.2026 si të barasvlershëm me ligjin e miratuar dhe të hyrë në fuqi. Pas kësaj date, ekziston një situatë juridike e re, e krijuar nga shfuqizimi kushtetues dhe nga mosplotësimi në kohë i detyrimit të posaçëm të Kuvendit.

Kjo situatë juridike nuk mund të anashkalohet nga një ndërhyrje e mëvonshme ligjore që, nën premisën e rregullimit të ardhshëm të sistemit të pagave, do të prodhonte në fakt një ulje të pagës tashmë të mbrojtur nga neni 138 i Kushtetutës.

Për rrjedhojë, projektligji i propozuar nuk mund të konsiderohet një ndërhyrje thjesht teknike për zbatimin e vendimit nr. 15/2026. Formula e tij prodhon një rezultat financiar më të ulët se standardi i pagës së zbatueshme pas datës 31.07.2026. Ai përbën një ndërhyrje të re në një të drejtë të mbrojtur kushtetutshmërisht dhe, për këtë shkak, është në kundërshtim me nenin 138 të Kushtetutës.

Në këtë aspekt, problematika e projektligjit lidhet drejtpërdrejt me të njëjtin standard kushtetues të identifikuar në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë vendimet nr. 35/2022 dhe nr. 15/2026, por me një dallim thelbësor: ndërsa ndërhyrja e mëparshme u vlerësua në funksion të një uljeje të fshehur të pagës, ndërhyrja e re, prodhon një ulje të hapur të pagës, dhe nuk përputhet me standardet kushtetuese ndaluese të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.

P.S. shënimet e bëra nuk janë nga ana e autorit por nga redaksia ku është çmuar se janë paragrafë të cilët duhen nënvizuar pasi përbëjnë thelbin e konfliktit.

Shpërndaje