Drejtimi i Bashkisë | Këlliçi: Krizën në Tiranë e ka sjellë korrupsioni, makutëria dhe hajdutëria, e jo drejtësia! 


Nga Belind Këlliçi, N/Kryetar i PD

Edi Rama ja paska faturuar drejtësisë krizën e Bashkisë së Tiranës, që ka sjellë si pasojë probleme të mëdha me shërbimet, me ndotjen, me ujin, me mbeturinat që kanë pushtuar qytetin, e shumë shqetësime të tjera që kanë sot banorët.

Madje, sipas Edi Ramës, drejtësia me arrestimin e Veliajt, paska cënuar edhe të drejtën e qytetarëve që kanë votuar.

E vërteta është se krizën në Tiranë e ka sjellë korrupsioni i Erjon Veliajt me aferat më të rënda që kanë ndodhur në historinë e kësaj bashkie. Nga krijimi i firmës 5D prej vartësve të tij që morën më pas tenderat e leje ndërtimi, tek inceneratori dhe tek konfliktet e interesit e përfitimet ku janë përfshirë rrethi i ngushtë i tij.

Nuk është hera e parë që Edi Rama mbron korrupsionin. Por kësaj radhe ai ka shkuar shumë larg duke deklaruar se drejtësia nuk duhet të funksiononte, duhet të mbyllte sytë para abuzimit, për shkak se autori i këtyre krimeve qenka i zgjedhur.

Si i zgjedhur ai paska imunitet, qenka mbi ligjin dhe nuk u dashka ndëshkuar.

Nga ana tjetër, nuk ka marrëzi më të madhe të thuash se masat e SPAK apo të GJKKO, paskan cënuar qytetarët. 

Qytetarët i ka cënuar hajdutëria e bashkisë. Nuk ka cënim më të madh për qytetarët se sa të abuzosh me taksat e tyre apo të shkelësh mbi besimin e dhënë.

Sigurisht këto qëndrime të Edi Ramës vijnë në kohën kur po përgatitet rruga për lirimin e Veliajt përmes Sadushit të partisë.

Por qytetarët e kanë krejt të qartë dhe e kanë marrë vendimin. Protesta, revolta, marshimi në sheshe e bulevarde prej 3 muajsh janë verdikti i tyre. 

Jo vetëm Veliaj që ka perenduar politikisht, por edhe Edi Rama i ka ditët e numëruara. Korrupsioni nuk pranohet më. Sigurisht as mbrojtja e tij. 

Dhe në krye të këtij modeli është padyshim Kryeministri më i korruptuar në Europë. Veliaj, Bela, Gysi, Karçanaj, dhe të tjerët janë thjeshtë bijtë dhe bijat e tij politikë.

Shpërndaje