Berisha në SHBA, vizita që dikton retorikën! 

Nga blogu.al

Më datë 9-10 shtator, në Dallas, Texas, të SHBA, do të mbahet Konventa Kombëtare e Republikanëve për vitin 2026. Me ftesë të Tina Mercep, Sekretare e Përgjithshme e IDU – International Democracy Union, është ftuar të marrë pjesë edhe z.Berisha në cilësinë e Kreut te Partisë Demokratike të Shqipërisë e cila është parti anëtare e unionit. 

Si gjithmonë, zhvillimet brënda PD marrin vemendje të shtuar e sidomos kur bëhet fjalë për sanksionimin e z.Berisha. Media dhe zëra publik të caktuar, nxituan të hapin faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit për të verifikuar nëse sanksioni është ende i publikuar apo jo. Kjo i shërbeu më tej në mbajtën e fokusit të analizave e qendrimeve të tipit “Berisha vazhdon të jetë non grata”. 

Por ka diçka, po flasim për politikë ku zhvillimet janë të vrullshme, për më tepër kur kemi të bëjmë me politikat e jashtme të cilat janë dinamike e jo statike. Vetëm militanti futet në llogore dhe mban qëndrim të njëanshëm e të pandryshueshëm. Kur bëhet fjalë për marrëdhënie në nivel shtetesh e organizatash, politika ka karakter evolutiv. Pra, ato ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo varet nga zhvillimet e brëndshme, sidomos nga konfigurimet politike e elektorale të vendeve respektive nga ku pastaj mund të kemi rritje të bashkëpunimit, pezullim ose përkeqësim të marrëdhënieve dypalaëshe. 

Nëse në fokus të analizës do të jenë vetëm aktet formale, pra shkresat, atëherë do të kemi të bëjmë me përshkrim zyre konsullore dhe jo me lexim e interpretim të akteve politike. Për të ardhur në rastin konkret, vlenë të kthehemi pas në kohë për të ndjekur një logjikë në rend kronologjik e për të dalë më pas në konkluzionin se si është zhvilluar marrëdhënia e Berishës me SHBA këto pesë vitet e fundit. 

Na thuhej në fillim, nga deklaratat e Ambasadores Yuri Kim dhe nga zyrtarë të DASH që vizitonin PD se “Kush e ndjek Berishën do të ketë sanksione, të ngjashme apo tjera”. Nuk ndodhi, askush nga ato që e mbështetën, në fillim e më pas, deputetë, struktura apo anëtarë të thjeshtë, nuk u sanksionuan. Na thuhej se “Nëse Berisha merr drejtimin e PD, partia do të izolohet”. As kjo nuk ndodhi, PD ka patur dhe vazhdon të ketë partneritet me aktorë e faktorë amerikanë e europianë. U tha se waiver “Është një vizë për shërbime shëndetësore” ndërkohë përgjigjia e DASH ishte se “Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime (waivers) për disa prej përcaktimeve sipas nenit 7031(c) të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e këtyre përjashtimeve i shërben një interesi të rëndësishëm kombëtar”. Pyetej Berisha “A e kalon dot oqeanin”, ja që rezulton se e kalon. 

Dhe e fundit, bëhet fjalë për një ftesë nga IDU, ku mbahet Konventa Kombëtare Republikane, e partisë që drejton Shtëpinë e Bardhë. IDU është organizatë politike dhe jo ojf mjedisore. Që do të thotë, ftesat bëhen, në mos në koordinim, minimalisht duke respektuar linjën e institucioneve politikbërëse amerikane. 

Kjo është në vija të përgjithshme fabula e “non gratës” dhe e “izolimit politik” të Sali Berishës. Duket qartë se ka qenë produkt lobimi dhe jo vullnet real i organeve ligjzbatuese. Vendim që kënaqte lobe të caktuara dhe jo në funksion të sigurisë kombëtare të SHBA. Një kurbë e cila u ngjit më tepër nga retorika e ditës se sa nga nevoja e  institucioneve amerikane për t’i dhënë zë. E për të bërë dallimin mes asaj çfarë thuhet publikisht dhe ndodh realisht, shikoni kush e trumbeton ende: mediat pranë pushtetit, persona që pretendojnë se janë të paparti por kanë lidhje direkte ose indirekte me pushtetin si dhe emra e zëra, demokratë të mllefosur, që vazhdojnë e besojnë akoma ne disa klishe “Ja, prit se do ketë zhvillime shumë shpejt”. 

Vizita e Sali Berishës në SHBA është ngjarje jo vetëm për Partinë Demokratike por për të gjithë Shqipërinë. Po rivendosen balancat mes subjekteve partiake. Dhe nga kjo rivendosje humbet vetëm njëra palë; Edi Rama me të tijët. Sepse vizita e Berishës në SHBA dikton retorikën, atë që e imponoi në mënyrë korruptive propaganda qeveritare. 

Shpërndaje