Nga Julian Hoxhaj
Strehimi është duke u kthyer në problemin më të madh social në Tiranë. Rritja artificiale e çmimeve dhe qirave po shkakton një tronditje të fortë te familjet e reja, studentët, grupet vulnerabël dhe shtresat me të ardhura nën minimumin jetik.
Prej kohësh, si qytetar dhe si gazetar, jam munduar të shpërfaq shkaqet reale të krizës së strehimit, pasi ajo mund të shndërrohet në një “minë me sahat” për të ardhmen e Shqipërisë.
Të dhënat zyrtare të OSHEE-së, vetëm për Bashkinë Tiranë, pra jo për të gjithë qarkun, tregojnë se kryeqyteti është mbingopur me apartamente. Mbingopja e tregut nuk ka nevojë për shumë fakte, pasi mjafton të shohësh ritmin e dhënies së lejeve të ndërtimit dhe gropat e hapura në kryeqytet, për të kuptuar atë që po i bëhet Tiranës.
Por le të rrimë te shifrat.
Sipas OSHEE-së, nga viti 2020 e deri më sot, në Tiranë janë hedhur në treg së paku 46 mijë apartamente.
Thënë më specifikisht: në vitin 2020, në Tiranë kishte 282.177 kontrata të energjisë elektrike me abonentë familjarë. Nga këto, në vitin 2020 rezultonin se së paku 30.853 ishin kontrata me konsum zero të energjisë elektrike.
Në vitin 2026, pra në momentin që flasim, në Tiranë numërohen 328.083 abonentë familjarë që kanë kontratë me OSHEE-në. Nga këta, rreth 29.541 abonentë kanë faturim zero të energjisë elektrike, ose, thënë ndryshe, apartamente pa konsum.
Mesatarja vjetore e apartamenteve pa konsum në Tiranë, për vitet 2020–2026, është rreth 30 mijë apartamente.
Këto shifra janë vetëm ato që dëshmojnë përfundimin e ndërtimeve dhe lidhjen e kontratave të energjisë mes OSHEE-së dhe klientëve. Por, me mijëra apartamente, duke iu referuar trendit të shifrave, rreth 30 mijë apartamente të tjera janë në fazë ndërtimi ose të papërfunduara në Tiranë.
Pra, në total, aktualisht në Tiranë ka rreth 60 mijë apartamente gati për banim ose në fazë ndërtimi, të cilat nuk shfrytëzohen nga askush.
Po të konsiderojmë këtu edhe shifrat e Airbnb-së, që sipas revistës Monitor shkojnë në rreth 27 mijë apartamente, si dhe ato të qirave afatgjata, mund të thuhet pa frikë se sot Tirana ka një stok prej rreth 100 mijë apartamentesh që nuk përdoren për banim të përhershëm.
Ky stok kaq i madh pronash dëshmon edhe për injektimin e pamasë të parave të dyshuara si të pista, të cilat janë pastruar në sektorin e ndërtimit.
Shifrat janë kokëforta edhe për diçka tjetër.
Sipas Censit të vitit 2023, në Tiranë kishte rreth 196 mijë familje, me një popullsi rezidente prej rreth 523 mijë personash që ishin anëtarë të një familjeje, ndërsa mbi 68 mijë persona nuk ishin anëtarë të një familjeje.
Këta të fundit janë pikërisht pjesë e popullsisë, kryesisht e ardhur rishtazi në Tiranë, studentë, familje të shpërngulura nga qytete të tjera, çifte të reja etj., që jetojnë aktualisht me qira afatgjatë.
Ky target-grup është, në fakt, grupi i klientëve potencialë të interesuar për blerjen e një apartamenti për banim afatgjatë në Tiranë dhe jo për shfrytëzim biznesi.
Nëse në treg do të hidhen pikërisht pronat që janë stok, Tirana nuk do të ketë këtë hendek strehimi dhe, padyshim, dalja në treg e pronave të reja do të sillte rrjedhimisht edhe një normalizim të çmimeve.
Këto të fundit qëndrojnë si “Shpata e Demokleut” mbi xhepin e qytetarëve, duke i vënë ata përballë dy zgjedhjeve dramatike: ikjes nga Shqipëria, përfundimisht, ose ikjes nga Tirana, siç dëshmojnë të dhënat e fundit të analizuara nga revista Monitor.
Në të dyja rastet, Tirana humbet, por humbja është në nivel makro për vendin, i cili, sipas projeksioneve të OKB-së, deri në vitin 2100 do të ketë një popullsi pak më të madhe se 1 milion banorë.
Ndaj, sot beteja kryesore e çdo politikani vizionar, sidomos e politikanëve të opozitës, është hartimi i një plani konkret masash për të parandaluar hemorragjinë që po shkaktohet nga paratë e krimit dhe korrupsionit!