Debati post covid | Çeno: Kur edhe bota po bën autokritikë, në Shqipëri vazhdojnë të mbrojnë të pambrojtshmen.


Nga Enri Çeno

Kur edhe bota po bën autokritikë, në Shqipëri vazhdojnë të mbrojnë të pambrojtshmen.

Ka një dallim thelbësor mes shkencës dhe fanatizmit. Shkenca evoluon. Pranon gabimet. Korrigjon veten. Fanatizmi nuk pranon kurrë asgjë. Ai mbron çdo vendim, edhe kur faktet e rrëzojnë.

Pesë vjet pas pandemisë, në shumë vende të botës debati nuk është më nëse u bënë gabime, por sa të mëdha ishin ato dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi. Nuk janë më vetëm kritikët që e thonë këtë. Janë edhe njerëz që në vitet 2020–2021 mbështetën masat më të ashpra.

Leana Wen ka pranuar se mbyllja e shkollave ishte një gabim i rëndë. Monica Gandhi ka pranuar se izolimi i fëmijëve zgjati më shumë seç duhej. Paul Offit ka kritikuar zgjerimin e mandateve të vaksinimit. Francis Collins ka pranuar se dëmet ekonomike, sociale dhe psikologjike të lockdown-eve nuk u vlerësuan siç duhej. Edhe ata që mbështetën politikat e asaj kohe sot pranojnë se nuk ishin të pagabueshëm.

Kjo nuk është dobësi. Është integritet.

Ndërsa bota reflekton, në Shqipëri vazhdojmë të dëgjojmë të njëjtin refren propagandistik. Debati i fundit mes doktor Edvin Priftit dhe Skënder Bratajt e tregoi qartë këtë. Në vend të një analize serioze mbi atë që ndodhi, vazhdon përpjekja për të justifikuar pa kushte çdo masë të ndërmarrë dhe për të mbrojtur pa asnjë rezervë figurat që u bënë simbol i asaj politike, përfshirë Anthony Fauci.

Është e habitshme sesi disa njerëz nuk kanë ndryshuar asnjë fjali, asnjë qëndrim dhe asnjë reflektim, megjithëse kanë kaluar vite, janë publikuar studime të reja, janë zhvilluar hetime parlamentare dhe vetë protagonistë të asaj periudhe kanë pranuar se janë bërë gabime.

Aq më tepër kur bëhet fjalë për masa që prekën liritë themelore të qytetarëve, mbyllën ekonomi, izoluan fëmijë nga shkollat, ndanë familje dhe krijuan një klimë frike e përjashtimi social ndaj kujtdo që guxonte të shtronte pyetje.

Nuk ka asgjë shkencore në refuzimin për të bërë autokritikë. Kjo nuk është shkencë. Kjo është arrogancë.

Historia nuk do t’i gjykojë njerëzit vetëm për vendimet që morën në një moment të jashtëzakonshëm. Do t’i gjykojë edhe për aftësinë – ose paaftësinë – për të pranuar gabimet kur faktet ndryshojnë.

Sepse një mjek, një ekspert apo një zyrtar që nuk është në gjendje të thotë kurrë “kam gabuar”, pushon së mbrojturi shkencën dhe fillon të mbrojë egon e vet.

Shpërndaje