Edi Rama, nga “Kontrata Sociale” e John Locke tek “Besa” e Lekë Dukagjinit! Një marrëveshje e re për te rifituar legjitimitetin e humbur.


Nga blogu.al 

Dje Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e zgjeruar të Partisë Socialiste dhe qeverisë, shpalli projektin politik “Rilindja 2.0”. I nxitur nga protesta maratonë në bulevard, Rama bëri të ditur se ka hapur një cikël të ri me shqiptarët, ku nga fjala e dhënë politikisht duhej kaluar në një tjetër nivel në ndërtimin e marrëdhënies me qytetarin, tek fjala e kontrollueshme institucionalisht. Ai e konsideroi këtë moment si një kthesë që i duhet mandatit të katërt, që njerëzit të mos i përjetojnë më vendimet e qeverisë si prerje në besë prandaj dhe këtë projekt e kishte titulluar “Besa”. Konkretisht ai u shpreh se:

“…Arbri nga Lushnja nuk është problemi ynë. Arbri nga Lushnja, është prova dhe sprova që ne kemi me veten tonë. Ky është një tjetër mësim shumë i shtrenjtë i bulevardit të flamengove dhe nga këto mësime lindi edhe ky dokumenti i parë që kam sot… 

… E kam titulluar me një emër shumë të vjetër dhe shumë të madh: “Besa”… Asnjë fjalë tjetër të gjuhës sonë nuk gjeta që ta thotë më qartë çfarë kthese i duhet mandatit të katërt, që njerëzit e këtij vendi të mos i përjetojnë më vendimet tona si prerje në besë…”. Ky ishte momenti dhe mënyra se si Edi Rama ua kërkoi besën shqiptarëve. 

Pra, sipas kryeministrit të vendit, kalimi në një stad më të avacuar të të bërit shtet dhe i ndërtimit të marrëdhënies me qytetarin, kalon përmes të drejtës zakonore, “Besës”, të rregulluar në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Një kodifikim normash të cilat mendohet se kanë vepruar që në periudhën e Mesjetës së hershme dhe që janë ruajtur gojarisht me shekuj deri kur ato u mblodhën e shkruajtën nga At Shtjefën Gjeçovi, vepër e cila u botua pas vdekjes së tij në vitin 1939. Për saktësim; Kanuni nuk u shkruajt nga Lekë Dukagjini por tradita ia atribuon atij pasi ishte ai i cili nisi aplikimin e këtyre normave si dispozita rregulluese në Principatën e drejtuar prej tij gjatë viteve 1410-1481. 


Kuptimi i “Besës”, sipas Kanunit dhe si normë morale shoqërore

Besa është një nga nocionet më të rëndësishme të traditës juridike, morale dhe kulturore shqiptare. Ajo nuk është thjesht një premtim apo një fjalë e dhënë por një institucion normativ, i cili krijon një detyrim të fortë moral dhe shoqëror për ta mbajtur angazhimin e marrë, edhe kur kjo kërkon sakrificë personale.


Në Kanun, “Besa” është një premtim solemn që krijon detyrime morale reciproke.

a) Në kuptimin e gjakmarrjes

“§.854. Besa âsht nji vade lirije e sigurimi, qi shpija e të vramit i ep dorërasit e

shpijarvet të tij, tuj mos i ndjekë per gjak perkohsîsht e mjé në vade të caktueme.”. 

Pra, besa është një afat lirie dhe sigurie që shtëpia e të vrarit (viktimës) ia jep dorasit (autorit të krimit) dhe familjarëve të tij, duke mos i ndjekur për t’i vrarë përkohësisht, deri në afatin e caktuar. Thënë ndryshe, një periudhë armëpushimi ku palët sillen si të barabartë, ku nuk aplikohet as e drejta për të marrë hak e as detyrimi për tu ruajtur nga hasmi. 

b) Në kuptimin e marrëveshjes

“§.874. Besa e gjâs e e çobânil âsht ajo, qi dy a mâ flamure vêjn nder vedi me pelqim të niani tjetrit.

§.875. Tuj vû két besë, flamurtarët me Krenë e djelmni, i caktoin udhen udhtarit, lajmtarit, si edhè bariut me gjâ.”

“Besa e gjësë dhe e çobanit” ishte një marrëveshje ndërmjet dy ose më shumë bajraqeve, me anë të së cilës garantohej se udhëtarët, lajmëtarët, dhe barinjtë që lëviznin me bagëtinë, mund të kalonin nëpër territoret e tyre pa u sulmuar, pa u grabitur ose pa u penguar, edhe nëse kishte armiqësi apo gjakmarrje mes fiseve.

Siç shihet, “Besa” sipas rregullimit që bën Kanuni, nuk është vetëm një virtyt moral. Në kuptim të të drejtës zakonore, ajo krijon pasoja juridike konkrete duke u shfaqur si garanci per jetën dhe sigurinë e personit për sa kohë pezullohet e drejta për gjakmarrje apo si siguri në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe bagëtive kur merret përsipër si detyrim nga anëtarët e një komuniteti (fisi ose bajraku). 

Besa si garanci e nderit

Në kulturën tradicionale shqiptare, nderi i një personi lidhej drejtpërdrejt me aftësinë për ta mbajtur besën.

Shkelja e besës nuk konsiderohej vetëm dështim personal, por cenonte reputacionin e familjes dhe të fisit.

Prandaj, besa ishte një nga themelet e rendit moral të shoqërisë tradicionale.

Besa si marrëdhënie besimi

Besa krijon një raport të ndërsjellë besimi midis dy ose më shumë palëve. Ajo presupozon se secila palë mbështetet te fjala dhe nderi i tjetrës, pa qenë domosdoshmërisht e nevojshme ndërhyrja e një autoriteti publik për ta garantuar marrëveshjen.

Në këtë kuptim, besa është një mekanizëm shoqëror që paraprin shtetin modern dhe zëvendësonte, në shumë raste, mungesën e institucioneve publike.


“Kontrata Sociale”, si themel i shtetit modern

Kontrata sociale është një nga konceptet themelore të filozofisë politike moderne. Ajo përpiqet t’i japë përgjigje një pyetjeje bazë: Pse njerëzit pranojnë të jetojnë nën autoritetin e një shteti dhe çfarë e bën këtë autoritet të ligjshëm?

Kontrata sociale nuk është një akt i shkruar por një marrëveshje teorike (hipotetike), ndërmjet individëve, me anë të së cilës ata pranojnë të heqin dorë nga një pjesë e lirisë së tyre natyrore për të krijuar një autoritet politik që garanton rendin, sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Ide të ngjashme me kontratën sociale janë hedhur që në Greqinë e lashtë por si nocion mori formën e tij moderne gjatë shekujve XVII dhe XVIII, në periudhën e Iluminizmit. Në një kohë kur Evropa po përjetonte ndryshime të thella si: dobësimi i autoritetit absolut të monarkut, konflikteve ndërmjet mbretërve dhe parlamenteve, luftëra civile dhe fetare, zhvillimit të shkencës dhe mendimit racional, lindjes së ideve mbi liritë individuale dhe të drejtat natyrore.

Tre filozofë janë figurat kryesore të teorisë së kontratës socialeThomas Hobbes me veprën “Leviathan” (1651), John Locke me veprën “Two Treatises of Government” (1689) dhe Jean Jacques Rousseau me veprën “The Social Contract” (1762). 

Të tre autorët ndajnë idenë se shteti nuk buron nga e drejta hyjnore e mbretërve por nga një marrëveshje njerëzore. Në mënyrë të përmbledhur, filozofia e tyre dallon në; Hobbes konsiderohet si teoricieni i shtetit të fortë, Locke si themeluesi i liberalizmit politik dhe i qeverisjes kushtetuese, ndërsa Rousseau si ideologu kryesor i demokracisë popullore dhe sovranitetit të popullit. 

Nga këndvështrimi i së drejtës kushtetuese moderne, modeli i Locke ka ushtruar ndikimin më të madh mbi konceptin e shtetit liberal dhe të drejtave themelore, ndërsa Rousseau ka ndikuar në zhvillimin e parimit të sovranitetit të popullit dhe demokracisë. Hobbes, nga ana tjetër, mbetet referenca klasike për teorinë e shtetit të fortë dhe prioritetin e rendit publik.

Nëse i referohemi Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe parimeve të shtetit modern demokratik, mund të thuhet se shteti shqiptar është ndërtuar kryesisht mbi idetë e John Locke të reflektuara si: sovraniteti buron nga populli i cili ia delegon ushtrimin e pushtetit institucioneve, të drejtat dhe liritë themelore janë të patjetërsueshme dhe shteti ekziston për t’i garantuar ato, pushteti  nuk është absolut por i kufizuar nga Kushtetuta dhe ligjet dhe se qeveria është përgjegjëse para popullit dhe mund të zëvendësohet përmes zgjedhjeve.

Këto parime pasqyrojnë thelbin e filozofisë së Locke se, qeveria është një besim i dhënë nga qytetarët dhe jo pronare e pushtetit.


Pse nga “Kontrata Sociale” tek “Besa”?

Protesta në bulevard, e përnatshme, maratonë, e gati dy muajve, e ka vendosur qeverinë në një trysni të cilën nuk po e administron dot. Një protestë e paprecedentë, pa kokë, me larmi moshe e origjine, përcaktimesh fetare e gjinie, të protestuesve, mbi të gjitha; pa interes për të krijuar parti politike, ka krijuar tashmë dy palë, në kuptimin klasik të tyre: popullin dhe qeverinë. Pikërisht ky është thelbi i çështjes, qeverisë i ka rënë legjitimiteti dhe praktikisht kontrata me shqiptarët nuk është më në fuqi. 

Në kushtet kur në dyert e SPAK shkelin zyrtarë të çdo niveli, qëndror e lokal, të mesëm e të lartë, krijohet impakti negativ tek qytetarët, ai i rënies së besimit në institucione sepse ka një përceptim në rritje për korrupsionin dhe se vendimmarrja shihet si e shkëputur nga vullneti i qyetarëve. Në këtë kuptim, rënia e legjitimitetit të qeverisë është  e pashmangshme, e ndërkohë, kjo është një shenjë që tregon se marrëdhënia e besimit ndërmjet popullit dhe qeverisë është thyer. 

Qeveria mund të vazhdojë të gëzojë legjitimitetin juridik, që buron nga kushtetuta, zgjedhjet dhe ligji por legjitimitetin politik dhe shoqëror e ka humbur. Bëhet fjalë për atë legjitimitet që buron nga besimi i qytetarëve, të cilët nisen nga premisat se qeveria qeveris në interesin publik, respekton të drejtat e tyre dhe vepron me drejtësi.

E për ta sjellë në traditën e kontratës sociale, veçanërisht të John Locke, qeveria ekziston mbi bazën e pëlqimit të të qeverisurve. Nëse ajo cenon të drejtat natyrore të qytetarëve, shkel kontratën sociale ose nuk përmbush detyrimet për të cilat është mandatuar, legjitimiteti i saj bie. 

Prandaj Ramës i lind nevoja të hedhë tezën e “Besës”. Jo sepse ka në qendër të veprimtarisë së qeverisë qytetarin por sepse atij i duhet një marrëdhënie e re me popullin si e vetmja mënyrë që i shpëton dhe mundëson më tej pushtetin. Një qeveri pa legjitimitet dhe që goditet me vezë nga qytetarët ka vetëm një mënyrë të vazhdojë të qëndrojë në pushtet: nëpërmjet dhunës dhe akteve respresive. Por kjo është është e veshtirë të ndodhë në kushtet kur në protestë marrin pjesë eurodeputetë dhe kur transmetohet live nga mediat më influente të botës. 

Ndërkohë, nga ana tjetër, ka një problem konceptual për “Besën”. Siç e pamë më lart, në Kanun, “Besa” është një institucion moral dhe shoqëror. Edhe pse ne thelb është një marrëdhënie mes dy palëve, ajo krijon detyrime reciproke mbi bazën e nderit dhe fjalës së dhënë, jo mbi bazën e një rendi kushtetues apo të drejtave individuale të garantuara nga shteti. E nëse “Besa” paraqitet si themel alternativ i legjitimitetit politik, që zëvendëson ose dobëson parimet kushtetuese të sovranitetit popullor, sundimit të ligjit dhe përgjegjësisë së qeverisë, atëherë mund të argumentohet se kemi një largim nga tradita liberale e Locke dhe një rikthim drejt formave të legjitimitetit të bazuara në marrëdhënie personale ose morale, karakteristike për shoqëritë para-kushtetuese.

Së fundmi, nëse kontratën sociale do ta trajtonim në kontekstin e një marrëveshje besimi midis popullit dhe qeverisë, atëherë rënia e legjitimitetit është shprehja politike e “thyerjes së besës” nga ana e qeverisë. Në këtë këndvështrim, Edi Rama është një recedivist, aspak i besueshëm për të ndërtuar një marrëdhënie të re sepse ka cenuar marrëdhënien e besimit mbi të cilën ishte ndërtuar autoriteti i tij. Thënë ndryshe, nuk i jepet besë sepse te pret në besë.

Shpërndaje