Nga Albana Vokshi, Kryetare e LDG dhe Zv/Presidente e EPP Women
Drejtësia me dy standarde nuk është drejtësi.
Sot pamë prangat në duart e një nëne 34-vjeçare që zbriti në Rinas me tre fëmijët e saj: një foshnjë 7-muajshe në gji, një fëmijë 2-vjeçar dhe një tjetër 4-vjeçar me probleme shëndetësore.
Për një dënim prej vetëm dy muajsh, askush nuk gjeti një zgjidhje që të mbronte interesin më të lartë të tre fëmijëve. Ligji u zbatua me gjithë ashpërsinë ndaj një nëne që nuk kishte as pushtet, as para, as ndikim.
Ndërkohë, kur bëhet fjalë për njerëz me pushtet dhe pasuri, standardi duket krejt tjetër.
Ajola Xoxa, e dërguar për gjykim nga SPAK me 12 akuza, përfshirë korrupsion, pastrim parash, fshehje dhe mosdeklarim pasurie, ndodhet në një situatë ku gjendja e saj personale merret në konsideratë në masat e sigurisë.
Por pyetja që shtrojnë qytetarët është e thjeshtë:
Pse ky humanizëm nuk u tregua edhe për nënën me tre fëmijë, njëri prej tyre i sëmurë?
Pse drejtësia duket më e ndjeshme kur ke pushtet, para apo ndikim, ndërsa për qytetarin e zakonshëm zbatimi i ligjit bëhet pa asnjë fleksibilitet?
Së fundmi po raportohen raste të tjera kur persona nën hetim apo në procese penale kanë kërkuar lehtësime duke u mbështetur në rrethana shëndetësore apo familjare. Ligji duhet të zbatohet me të njëjtin standard për të gjithë, pa privilegje dhe pa diskriminim.
Drejtësia nuk matet me mënyrën si trajton të fuqishmit. Ajo matet me mënyrën si trajton qytetarin e zakonshëm.
Nëse ligji është human, ai duhet të jetë human për të gjithë. Nëse është i rreptë, duhet të jetë i rreptë për të gjithë.
Sepse drejtësia selektive nuk është drejtësi.