Strasburgu rrëzon Vetingun | GJEDNJ: Gjyqtari Metalla u shkarkua në kundërshtim me Konventën, të rihapet procesi dhe t’i paguhet dëmshpërblim.  

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vlerësoi të martën se shkarkimi i gjyqtarit Ervin Metalla gjatë procesit të vetingut ishte joporpocional dhe në shkelje të artikullit 8 të Konventës që sanksionon të drejtën për jetë private dhe familjare.

Në vendimin e publikuar më 5 maj, Gjykata e Strasburgut sugjeron rihapjen e procesit për Metallën dhe rishyrtimin e çështjes së tij në përputhje me kërkesat e nenit 8 të konventës për të Drejtat e Njeriut, sipas precedentit të ndjekur më parë në rastin e prokurores Antoneta Sevdari.

Strasburgu urdhëroi gjithashtu qeverinë shqiptare që t’i paguajë aplikantit brenda 3 muajve 20,400 euro si dëmshpërblim për dëmin material, 6 mijë euro për dëm jomaterial si dhe 6 mijë euro të tjera për kostot dhe shpenzimet gjyqësore.

Ervin Metalla ka ushtruar detyrën e gjyqtarit prej më shumë se dy dekadash, përpara se të shkarkohej nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik të vitit 2018. Vendimi u la më pas në fuqi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Gjatë karrierës së tij, ai ka punuar si gjyqtar në Elbasan, si kryetar i Gjykatës së Durrësit dhe si gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Metalla e kundërshtoi vendimin e shkarkimit në Gjykatën Eruopiane të të Drejtave të Njeriut, duke pretenduar mungesë proporcionaliteti dhe shkelje të nenit 8, ndërsa pretendoi se transaksionet e tij kishin qenë të ligjshme.

Ai argumentoi gjithashtu se marrja e një kredie të butë, e përshkruar si shkak kryesor në vendimin e shkarkimit, ishte përdorur sipas qëllimit për të financuar blerjen e një apartamenti brenda juridiksionit të mandatit të tij.

Metalla pretendoi më tej se Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk e kishte shpjeguar në vendim se si veprimet e tij kishin minuar autoritetin e gjyqësorit. Ai kundërshtoi gjithashtu detyrimin nga institucionet e vetingut për të provuar burimin e pasurive të vëllait të tij si person i lidhur, pa pasur interesa pasurore të lidhura me të.

Në vlerësimin e vet, Gjykata e Strasburgut i ka dhënë të drejtë Metallës në shumicën e pretendimeve.

“Shkarkimi nga detyra, veçanërisht i gjyqtarëve që gëzojnë mandat të përjetshëm është një saksion i rëndë, në mos më i rëndi disiplinor, i cili kërkon shqyrtimin e provave të forta që lidhen me etikën, integritetin dhe kompetencën profesionale të individit,” thuhet në vlerësimin e gjykatës.

“Megjithatë, duke pasur parasysh faktet e çështjes aktuale, nuk është e qartë nëse ndonjë shkelje etike e atribuuar aplikantit në kryerjen e punëve të tij private ka arritur një prag ashpërsie që do të kishte justifikuar sanksionin më të rëndë disiplinor, sipas kushteve të ligjit kombëtar në fuqi në atë kohë,” arsyetohet në vendim.

Ndërsa vlerëson se disa nga transaksionet e aplikantit në lidhje me apartamentet dhe kredinë e butë mund të ngrenë pikëpyetje legjitime, ato nuk karakterizohen sipas Strasburgut si mjaftueshëm serioze që në vetvete të justifikojnë masën e shkarkimit.

Shpërndaje