Praktika të Kolegjeve të Gjykatës së Lartë | Rishqyrtimi në Gjykatën e Apelit dhe revokimi i vendimit për gjykim të shkurtuar. 

Nga blogu.al

Në këtë çështje, u shqyrtua rekursi i paraqitur nga prokuroria kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës, e cila kishte prishur vendimin e shkallës së parë dhe kishte kthyer çështjen për rigjykim, me arsyetimin se mungonte administrimi i dëshmisë së penalitetit të të pandehurit dhe i një vendimi penal të mëparshëm. KPGJL, vlerësoi se gjykata e apelit kishte zbatuar gabim ligjin procedural penal, konkretisht nenet 427/3 dhe 428/ç të KPP. Në interpretim të këtyre dispozitave dhe në përputhje me jurisprudencën unifikuese, u theksua se gjykata e apelit ka kompetencë të përsërisë shqyrtimin gjyqësor për marrjen e provave të reja dhe, nëse është e nevojshme, të revokojë vendimin për gjykim të shkurtuar pa qenë e nevojshme kthimi i çështjes në shkallë të parë. Kolegji evidentoi se mungesa e dëshmisë së penalitetit apo nevoja për administrimin e provave mbi personalitetin e të pandehurit nuk përbën shkak ligjor për kthimin e çështjes për rigjykim, pasi këto veprime mund dhe duhet të kryhen nga vetë gjykata e apelit. Për më tepër, kthimi i çështjes lejohet vetëm në rastet e parashikuara shprehimisht nga ligji, të cilat në rastin konkret nuk rezultojnë të pranishme. Në vijim, Kolegji theksoi edhe parimin e mosrëndimit të pozitës së të pandehurit (reformatio in peius), duke theksuar se në rigjykim gjykata e apelit duhet ta respektojë këtë parim, pasi ankimi ishte ushtruar vetëm nga i pandehuri. Në përfundim, Kolegji Penal prishi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës dhe dërgoi çështjen për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues, duke orientuar që shqyrtimi të kryhet në përputhje me standardet procedurale të sipërpërmendura.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë sjell në vëmendje ndryshimet ligjore që ka pësuar Kodi i Procedurës Penale me ligjin nr. 41/2021, hyrë në fuqi në datën 29.05.2021. Në nenin 38 të ligjit nr. 41/2021, mbi dispozitat tranzitore parashikohet se: “1. Përbërja e trupave gjykues, si dhe procedura e gjykimit në Gjykatën e Lartë rregullohet sipas përcaktimeve të këtij ligji, pavarësisht parashikimeve të ndryshme në ligje të tjera. 2. Rekurset e paraqitura, por ende të pashqyrtuara, konsiderohen të pranueshme nëse plotësojnë parashikimet e ligjit në fuqi në kohën e depozitimit të tyre”. Në kuptim të kësaj dispozite, në lidhje me formimin e trupit gjykues si dhe procedurën e gjykimit, Kolegji Penal zbaton parashikimet e ligjit nr. 41/2021, ndërsa në lidhje me kushtet e pranueshmërisë së rekursit i referohet ligjit procedural që ka qenë në fuqi në kohën e depozitimit të tij.

Gjykata e Lartë, sipas ndryshimeve kushtetuese të nenit 141 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (ligji nr. 76/2016, datë 22.07.2016), shqyrton çështje lidhur me  kuptimin dhe zbatimin e ligjit, për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore sipas ligjit. Ky parashikim në Kushtetutë është shoqëruar me ndryshime procedurale në Kodin e Procedurës Penale. 

Duke referuar në mënyrë të veçantë në pikën 1, shkronja “a” të nenit 432 të KPP, kundër vendimit të gjykatës së apelit mund të bëhet rekurs kur nuk është respektuar ose është zbatuar gabim ligji material ose procedural. Një ndër shkaqet kryesore për të cilat lejohet rekursi është zbatimi i gabuar i ligjit material ose procedural (errores in iudicando/ errores in procedimendo)  që ka një rëndësi themelore për njësimin, sigurinë dhe/ose zhvillimin e praktikës gjyqësore. Qëllimi (ratio) i kësaj pjese të dispozitës është që të kushtëzojë proceduralisht ushtrimin e rekursit vetëm për arsye të shkeljeve të ligjit material apo procedural penal që të mund të krijojë premisë për zhvillim të jurisprudencës dhe të drejtës gjyqësore në përgjithësi. 

Shkronja c) e nenit 432 të Kodit të Procedurës Penale, ka parashikuar rastin kur ushtrohet rekursi me shkakun se vendimi i ankimuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Kjo garanton kontrollin gjyqësor në njëtrajtshmërinë e interpretimit gjyqësor. Interpretimi i ligjeve gjyqësisht është kompetencë  e gjykatave të zakoshme të juridiksionit të zakonshëm por në veçanti i Gjykatës së Lartë pasi Kushtetuta i ka dhënë Gjykatës së lartë autoritetin të njëhsojë ose ndyshojë praktikën gjyqësore pra të mbajë një qëndrim në çështje të veçanta me qëllim unifikimin e qëndrimeve nga gjykata e zakonshme. 

GJEDNJ në disa Vendime ka vlerësuar se uniformiteti i zbatimit të ligjit nga jurisprudenca përbën garanci për zbatimin e parimit të sigurisë  juridike, që është elementi thelbësor i shtetit të së drejtës {çështja Chapman v. United Kongdom, Vendimi i GJEDNJ datë 18.01.2001}, duke patur lidhje të drejtpërdrejtë me garancitë e nenit 6 të KEDNJ. Ky parim synon të garantojë një stabilitet të caktuar të rendit juridk dhe që të favorizojë besimin e publikut në pushtetin e drejtësisë, i cili sërisht është një element thelbësor i shtetit të së drejtës. 

Në rastet kur shqyrtimi gjyqësor është vendosur të shqyrtohet në seancë gjyqësore, Kolegji Penal është i detyruar të marrë në shqyrtim të gjitha pretendimet dhe shkaqet e rekursit të ngritura nga palët dhe njëkohësisht edhe çështje të ligjit që konstatohen kryesisht. Kjo mënyrë e rregullimit ligjor të kufinjve të gjykimit në gjykimin penal në Gjykatën e Lartë, është një balancë ndërmjet parimit të disponibilitetit të të drejtave dhe mjeteve procedurale nga palët dhe oficialitetit të juridiksionit gjyqësor. 

Duke ju kthyer çështjes në shqyrtim, Kolegji evidenton se rekursi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, është paraqitur brenda afatit ligjor të parashikuar në nenin 435 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe i pandehuri Sokol (Kolec) Ndoci është njoftuar për rekursin. Në vlerësim të shkaqeve të rekursit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në rastin në gjykim,vlerëson se nga Gjykata e Apelit Durrës është zbatuar gabim legjislacioni procedural penal.  

15. Kolegji vlerëson se vendimi nr. 549/10-2016- 1609, datë 07.07.2016, i Gjykatës së Apelit Durrës, është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit procedural penal, konkretisht të neneve 427/3 dhe 428/ç të Kodit të Procedurës Penale (përpara ndryshimeve me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017), për rrjedhojë vendimi duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në këtë gjykatë, me tjetër trup gjykues.

Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit Durrës, ka prishur vendimin e gjykatës së shkallës së parë, për shkak të nevojës së administrimit të dëshmisë se penalititetit të të pandehurit Sokol (Kolec) Ndoci si dhe vendimit nr. 174, datë 12.11.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, vendim i paraqitur nga ana e prokurorit gjatë seancës në apel, ku pasqyrohet se i pandehuri Sokol (Kolec) Ndoci, është dënuar më parë, për veprën penale të falsifikimit (e amnistuar), ndërkohë që gjykimi në shkallë të parë, është zhvilluar sipas ritit të gjykimit të shkurtuar.

Në interpretim të dispozitës së nenit 427/3 të K.Pr.Penale, Kolegji vlerëson se, Gjykata e Apelit Durrës, nuk ka patur asnjë pengesë ligjore që të vendoste përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, me qëllim marrjen e një provë të re. Kolegji vëren se, është e vërtetë se gjykimi i çështjes filloi dhe përfundoi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, duke u zbatuar proçedura e parashikuar nga neni 403 e vijues i K.Pr.Penale, porse ky fakt në asnjë rast nuk përbën pengesë që gjykata që qëndron më lart në hierarkinë e sistemit gjyqësor, të disponojë për prishjen e vendimit (pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar) kur konstaton, si në rastin konkret, se është e domosdoshme që në zbatim të nenit 380 të K.Pr.Penale, të përsëritet shqyrtimi gjyqësor me qëllim dhënien e drejtësisë bazuar vetëm mbi prova të administruara gjatë proçesit gjyqësor. Kolegji citon se ky qëndrim është ligjor, në interpretim të dispozitave përkatëse të K.Pr.Penale si dhe vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr. 2, datë 29.01.2003.

18. Në vendimin unifikues nr. 2, datë 29.01.2003, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, është përcaktuar rregulli sipas të cilit, në rast se palët kanë pretendime lidhur me pavlefshmërinë e akteve, qofshin pavlefshmëri absolute apo relative, dhe kërkojnë konstatimin apo deklarimin e kësaj pavlefshmërie, gjykata të revokojë vendimin për gjykim të shkurtuar dhe të urdhërojë vazhdimin e proçedimit me gjykim të zakonshëm, rregull i cili duhej të zbatohet nga vetë gjykata e apelit, pa i kthyer aktet për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë.

Kolegji çmon se detyrimi që kishte gjykata e apelit, rrjedh së pari nga fakti që, sipas dispozitës së nenit 427 të K.Pr.Penale, asaj i është njohur e drejta e përsëritjes së shqyrtimit gjyqësor dhe së dyti, nga ndalimi që përmban dispozita e nenit 428 të këtij Kodi, për të vendosur kthimin e akteve gjykatës së shkallës së parë. Kjo, pasi, sipas përmbajtjes së shkronjës ″ç″ të kësaj dispozite, shkaku për të cilin Gjykata e Apelit Durrës, prishi vendimin e gjykatës së shkallës së parë në çështjen objekt gjykimi, nuk përfshihet në shkaqet që, në formë qartësisht të shprehur, janë renditur në ligj, prania qoftë edhe e njërit prej të cilëve do t’i jepte të drejtën asaj, që pas prishjes së vendimit, aktet t’i a kthente përsëri po gjykatës së shkallës së parë. 

Kolegji konstaton se gjykimi në Gjykatën e Apelit Durrës, është iniciuar me ankim vetëm të të pandehurit Sokol (Kolec) Ndoci, i cili ka kërkuar caktimin e një dënimi alternativ. Për rrjedhojë Kolegji vlerëson se Gjykata e Apelit Durrës, gjatë rigjykimit të çështjes, duhet të mbajë në konsideratë mosrëndimin e pozitës së të pandehurit (reformatio in peius).

Kolegji çmon të citojë se në vendimin unifikues nr. 2, datë 06.02.2009, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë arritur në konkluzionin se: 

“Lidhur me këtë, Kolegjet e Bashkuara, megjithëse konstatojnë që, në Kodin e Procedurës Penale, vetëm në pikën 3 të dispozitës së nenit 425 të tij, është sanksionuar shprehimisht me ligj parimi i mosrëndimit të pozitës (që gjykata nuk mund të caktojë një dënim më të rëndë, të zbatojë një masë sigurimi më të rëndë, t’i japë pafajësisë një shkak më pak të favorshëm nga ai i vendimit të apeluar, kur apelues është vetëm i pandehuri), edhe pse nuk gjendet, në formë të shprehur qartë (eksplicite), arritën në përfundimin sipas të cilit, parimi i mosrëndimit të pozitës së të pandehurit duhet të gjejë zbatim në të gjitha shkallët e gjykimit të çështjes (d.m.th. edhe gjatë gjykimit dhe rigjykimit të saj në Gjykatën e Lartë, apo gjatë rigjykimit në gjykatën e shkallës së parë)”.

Nisur nga ky interpretim i dispozitës përkatëse të K.Pr.Penale, gjatë rigjykimit të çështjes në ngarkim të të pandehurit Sokol (Kolec) Ndoci, Gjykata e Apelit Durrës, nuk mundet t’i rëndojë pozitën këtij të pandehuri si në lidhje me cilësimin juridik të veprës, ashtu dhe përsa i takon masës së dënimit që atij iu dha me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë Durrës, që u ankimua prej tij.

Së fundmi, Kolegji sjell në vëmendje se, me ndryshimet ligjore të Kodit të Procedurës Penale, me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017, në nenin 405, pika 7 të KPP, është parashikuar se: Kërkesa për gjykim të shkurtuar nuk pranohet nëse i pandehuri apo mbrojtësi i tij ngrenë pretendime mbi vlefshmërinë e akteve apo përdorshmërinë e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak, apo kur kërkojnë marrjen e provave të reja në gjykim. Kërkesa për gjykim të shkurtuar nuk pranohet edhe në rastet kur gjykata kryesisht konstaton pavlefshmëri absolute apo papërdorshmëri të provave, si rezultat i të cilave çmon se çështja nuk mund të zgjidhet në gjendjen e akteve. Në këtë rast, në vendimin e saj për refuzimin e kërkesës gjykata përcakton edhe aktet absolutisht të pavlefshme apo provat e papërdorshme në gjykim. Ky rregull nuk zbatohet kur kërkohen prova lidhur me personalitetin e të pandehurit, apo gjendjen e tij personale, familjare ose ekonomike. Pra me ndryshimet ligjore të vitit 2017, ndryshime të cilat nuk ishin në fuqi në kohën e gjykimit të çështjes konkrete në gjykatën e apelit, administrimi i provave lidhur me personalitetin e të pandehurit apo gjendjen e tij personale familjare apo ekonomike, nuk sjellin si pasojë revokimin e vendimit të gjykimit të shkurtuar. 

Për sa më sipër, sikurse u analizua ut supra, Kolegji vlerëson se, referuar dispozitave procedurale në fuqi në kohën e shqyrtimit të çështjes pranë Gjykatës së Apelit Durrës, vendimi nr.549/10-2016-1609, datë 07.07.2016, i Gjykatës së Apelit Durrës, është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit procedural penal, për rrjedhojë vendimi duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në këtë gjykatë, me tjetër trup gjykues.

Shpërndaje