Njehsimi i praktikës gjyqësore | A zbatohet kufizimi i të drejtës së rekursit vetëm për paditë e parashikuara në nenet 45 dhe 56 të ligjit nr.49/2012 apo shtrihet në çdo padi që nuk e kalon pragun e përcaktuar?

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë në datën 11.02.2026, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen administrative me nr. 31003-02304-00-2018 me objekt “Përmbushje detyrimi. Shpërblim i dëmit të shkaktuar në formën e kamatëvonesave të arrira, fitimit të munguar dhe shpenzimeve gjyqësore. Marrjen e masës për sigurimin e padisë, nëpërmjet vendosjes së sekuestros mbi llogarinë bankare të palës së paditur.”

Për shkak të specifikave që paraqet rasti në gjykim, Kolegji ka vlerësuar se është e nevojshme dëgjimi i palëve në seancë gjyqësore dhe mbështetur në nenin 12, pika 3, dhe në nenin 62 (1) (c) të ligjit nr.49/2012 “Për Gjykatat Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” (i ndryshuar) ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore, me trup gjykues të përbërë nga pesë gjyqtar, me qëllim zhvillimin e praktikës gjyqësore.

Pyetja e shtruar për zhvillimin e praktikës gjyqësore në gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative:

A zbatohet kufizimi i të drejtës së ankimit dhe rekursit, i lidhur me vlerën e padisë dhe i parashikuar në nenet 45 dhe 56 të ligjit nr. 49/2012, vetëm për llojet e padive të parashikuara shprehimisht në këto dispozita, apo shtrihet edhe mbi çdo padi tjetër në kompetencë të gjykatave administrative, kur vlera e padisë nuk e kalon pragun e përcaktuar?

Pas zhvillimit të seancës gjyqësore të datës 23.04.2026, në lidhje me çështjen e shtruar për zhvillim, Kolegji arriti në këtë përfundim:

Në interpretim të neneve 45 dhe 56 të ligjit nr. 49/2012, në dritën e neneve 17 dhe 43 të Kushtetutës dhe të standardeve konventore për aksesin në gjykatë, kufizimi i së drejtës së ankimit dhe të rekursit është i lejueshëm vetëm si përjashtim i parashikuar shprehimisht me ligj, i justifikuar nga një qëllim legjitim dhe i zbatueshëm në mënyrë proporcionale. Në të katër rastet, kriteri i vlerës është i njëjtë, ndërsa objekti lëndor i kufizimit përcaktohet ndryshe nga ligji për secilën hipotezë.

Në rastet e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b”, objekti lëndor i kufizimit lidhet me kundërshtimin e një akti administrativ të formalizuar, përkatësisht të aktit ndëshkues për kundërvajtje administrative dhe të aktit që përmban detyrim në të holla. Në këto raste, pragu monetar zbatohet mbi një objekt të përcaktuar shprehimisht nga ligji në formën e aktit administrativ.

Në rastin e shkronjës “c”, kufizimi mbështetet po ashtu mbi kriterin e vlerës monetare, por objekti i tij nuk kufizohet vetëm te ekzistenca e një akti formal

refuzues. Refuzimi i dhënies së një detyrimi në të holla nga organi publik përfshin jo vetëm rastin kur ai shprehet me akt administrativ, por edhe rastin kur ai manifestohet me heshtje ose mosveprim. Për rrjedhojë, në këtë hipotezë, objekti i kufizimit përcaktohet jo vetëm nga forma e jashtme e refuzimit, por nga vetë natyra e mosmarrëveshjes që ka për objekt mosdhënien e përfitimit monetar nga organi publik.

Në rastin e shkronjës “ç”, ligjvënësi nuk i është referuar kundërshtimit të një akti administrativ të caktuar, por një kategorie të posaçme mosmarrëveshjesh, të përcaktuara në mënyrë materiale. Edhe në këte rast, kriteri i vlerës mbetet kusht i domosdoshëm për zbatimin e kufizimit, ndërsa termi “mosmarrëveshje” përcakton vetëm objektin lëndor të tij.

Për rrjedhojë, kufizimi i parashikuar në nenet 45 dhe 56 nuk mund të kuptohet as si i lidhur vetëm me ekzistencën e një akti formal administrativ, as si i zbatueshëm ndaj çdo mosmarrëveshjeje administrative me vlerë të vogël. Ai gjen zbatim vetëm kur përmbushen njëherazi dy kushte: vlera e mosmarrëveshjes të jetë nën pragun ligjor përkatës dhe objekti i saj të përputhet me hipotezën lëndore të parashikuar në secilën nga shkronjat përkatëse të dispozitave të sipërcituara.

Shpërndaje