
Sot Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste refuzoi kërkesën SPAK për të dhënë autorizimin për aplikimin e masës së sigurimit të arrestit shtëpiak/burg me arsyetimin; “Nuk ka prova të mjaftueshme që të provohet se Belinda Balluku po prish provat apo pamundëson marrjen e tyre dhe se masa e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik mjafton për veprën penale që akuzohet, atë të shkeljes së barazisë të pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Thënë ndryshe, mazhoranca i dha mesazhin SPAK se vetëm për këtë vepër nuk i lëshojmë zyrtarët e lartë.
Intuita më thotë se, gjatë kësaj kohe SPAK është thelluar në hetime dhe ka mbledhur prova për të ngritur akuza të reja ndaj zj.Balluku. Praktika e deritanishme na ka treguar se ndaj zyrtarëve të lartë janë ngritur akuza si “Korrupsioni pasiv”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehje të pasurisë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Vepra me marzh dënimi nga 5 deri në 15 vite burgim çka detyrojnë organin e akuzës të kërkojë masa sigurimi shtrënguese si ajo e arrestit me burg për shkak të rrezikshmërisë së veprës penale dhe mundësisë së shmangies së drejtësisë.
Kështu, nisur nga këto rrethana hipotetike që me shumë gjasë do të ndodhin, Partia Socialiste do të gjendet para një kërkese të dytë të SPAK, tashmë në kushte tjera, padiskutim më rënduese nga kërkesa e parë. Kërkesë e cila duket pothuaj e pamundur të refuzohet sërish. Mbyllja e fjalës së Kryeministrit (video më poshtë), është lamtumira që i bëri bashkëpuntores së tij më të afërt e njëkohësisht iu drejtua prokurorëve që të hetojnë të lirë sepse forcën e madhe elektorale që drejton nuk do ua vejë kundër.
Shumë të tjerë e lexojnë ndryshe; sikur Belinda e ka kapur Ramën dhe ai po bën çfarë i thotë ajo. Nuk e shoh ashtu. Në këtë histori, Belinda kurrë nuk do të donte të largohej nga kabineti qeveritar. Gëzonte imunitet politik, ligjor e funksional, status që ta mundëson vetëm të qenit ministër e zv/kryeministër. Pra, të jesh në detyrë. Prandaj, shkarkimi nga këto poste ishte akti i parë i lëshimit të saj në duart e drejtësisë. Rrëzimi i kërkesës së SPAK për autorizimin e arrestit me argumentin se mjafton ndalimi i ushtrimit të funksionit publik, masë të cilën e refuzoi ta zbatonte fillimisht, është rikthim në normalitet të marrëdhënies SPAK-Qeveri. Këtë normalitet e pohon edhe vetë Kryeministri në mbylljen e fjalës së tij, citoj “e respektoj pavarësinë e prokurorit dhe të drejtën të hetojë edhe një bashkëpuntore time të ngushtë.”
Së fundmi, e kam thënë që në krye të herës dhe e përsëris: Belinda Balluku është kapitull i mbyllur dhe se po merr kohë që vetëm asaj nuk i shërben. Nga 27 tetori i vitit 2025, momenti kur iu komunikua akuza, periudha pesë mujore u shfrytëzua nga shefi i saj politik për të amortizuar pasojat e procedimit të zëvëndësit të tij të dytë (Ahmetaj e më pas Balluku). Pesë muaj të shkuara dëm me interpretime kushtetuese mbi kompetencat e pushteteve të pavarura për të ardhur sot në vendimin “mjafton masa e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik”.