Ndërthurja e ligjit penal me ligjin civil dhe administrativ.


Nga Enco Elezi

Kodi Penal, në nenin 1/a, përcakton se legjislacioni penal bazohet në Kushtetutë, në parimet e përgjithshme të së drejtës penale ndërkombëtare dhe në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, si dhe se legjislacioni penal përbëhet nga vetë Kodi dhe ligje të tjera që parashikojnë vepra penale. Kjo dispozitë tregon se e drejta penale është e hapur ndaj normave të tjera materiale që përcaktojnë elemente të marrëdhënieve juridike mbi të cilat ndërtohet përgjegjësia penale. Po ashtu, neni 1/c i Kodit Penal sanksionon parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës dhe ndalon zbatimin e ligjit penal me analogji, duke garantuar që ndërthurja me fusha të tjera të bëhet brenda kufijve të ligjshmërisë.

Ndërthurja me ligjin civil shfaqet veçanërisht në rastet kur vepra penale prek marrëdhënie pasurore ose kontraktore. Shumë figura penale, si mashtrimi, dëmtimi i pasurisë apo konfliktet pronësore me element penal, kërkojnë referim në institucionet civile për të përcaktuar ekzistencën e një detyrimi, të drejtën e pronësisë apo vlefshmërinë e një veprimi juridik. Në praktikë, për të vlerësuar nëse një sjellje përbën mashtrim penal, duhet të analizohet edhe marrëdhënia kontraktore sipas Kodit Civil, sepse jo çdo mospërmbushje kontraktore përbën vepër penale. Kjo është një ndërthurje funksionale: ligji civil përcakton kornizën e marrëdhënies juridike, ndërsa ligji penal ndërhyn vetëm kur sjellja kalon pragun e rrezikshmërisë shoqërore dhe përmbush elementët e figurës penale.

Në plan procedural, Kodi i Procedurës Penale parashikon mundësinë e ushtrimit të padisë civile në procesin penal, duke lejuar që dëmi i shkaktuar nga vepra penale të kërkohet dhe të gjykohet brenda të njëjtit proces. Kjo krijon një ndërthurje të drejtpërdrejtë midis përgjegjësisë penale dhe asaj civile, ku gjykata penale mund të vendosë edhe për detyrimin për shpërblim dëmi.

Shumë vepra penale janë të lidhura me shkelje të detyrimeve administrative, si ato në fushën tatimore, ndërtimore apo të prokurimit publik. Shpeshherë, një sjellje fillimisht përbën kundërvajtje administrative dhe vetëm kur arrin një shkallë të caktuar rrezikshmërie apo përmbush elementë shtesë kalon në fushën penale. Pra, ligji administrativ përcakton standardet dhe detyrimet, ndërsa ligji penal ndërhyn si mjet i fundit.

Ndërthurja ndërtohet gjithmonë mbi parimin e ligjshmërisë së sanksionuar në nenin 2 të Kodit Penal, sipas të cilit askush nuk mund të dënohet për një vepër që nuk është parashikuar shprehimisht si e tillë në ligj. Kjo do të thotë se edhe kur ligji penal referon norma civile apo administrative për të plotësuar elementë të figurës penale, sanksioni penal duhet të jetë i parashikuar qartë në legjislacionin penal.

Shpërndaje