
Nga Erida Skendaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit
Mekanizmi i përbaltjes në sistemin e drejtësisë!
Kohë të vështira: Drejtësia të mbrojë me drejtësi, drejtësinë!
Roberto Saviano, gazetari Italian, i njohuri për denoncimin e mafias italiane, Camorrës, në një nga intervistat e tij ka folur për atë që quhet “makineria e përbaltjes”, duke j’u referuar fenomenit të cenimit në publik të reputacionit të personave që denoncojnë krimin e organizuar apo abuzimet. Pak a shumë Saviano thoshte se nëse gërmon për dikë që po të investigon (duke ju referuar gazetarit), do gjesh diçka, pasi të gjithë janë të cenueshëm, çka më tej do të shërbejë për ta përbaltur figurën e tij publikisht.
Ky fenomen në Shqipëri po prek edhe gjyqtarët dhe prokurorët e ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e korrupsionit të nivelit të lartë, në strukturat e SPAK dhe GJKKO.
Fillimisht nisi me sulme të funksionarëve në hetim për afera korruptive, ndaj sferës morale e krejtësisht të jetës private të prokurorëve dhe gjyqtarëve të çështjeve të tyre, me një gjuhë denigruese e të papërshtatshme në një shoqëri demokratike.
Tanimë strategjia e përbaltjes ka ndryshuar, për shkak të precedenteve të mëparshëm të GJEDNJ-së të lidhura me nenin 6 të Konventës (kriteret ligjore të emërimit të magjistratëve), e cila synon të prekë legjitimitetin në procedurat e emërimit e deklarimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të posaçëm.
Nuk e di çfarë do rezultojë nga këto procedura, dhe nuk mund ti paragjykoj ato. Nëse ka shkelje të rënda, të zbatohet ligji.
Megjithatë një gjë është e domosdoshme në vlerësimin tim.
Drejtësia nevojitet të mbrojë me drejtësi vetë drejtësinë, jo nën ombrellën e korporatizmit dhe interesave okulte që për fat të keq ende vijojnë brenda sistemit, por duke aplikuar me kujdes testin e proporcionalitetit, në një vend me një tranzicion të vështirë e të gjatë demokratik, në aspektin social, ekonomik dhe politik, me ndikim të ndjeshëm në migracion dhe informalitet, brenda dhe jashtë vendit.
Nëse i gjithë sistemi i drejtësisë mbron me drejtësi, Drejtësinë, vetëm atëherë ne mund të themi që po përparojmë në atë që quhet thyerja e mitit të pandëshkueshmërisë së korrupsionit të nivelit të lartë që është shumë shqetësues për një vend të varfër si Shqipëria dhe minon dita ditës demokracinë funksionale, mirëqënien dhe të drejtat dhe liritë e njeriut.
Thyerja e këtij miti është detyrë e të gjithë sistemit dhe jo vetëm e një grupi gjyqtarësh dhe prokurorësh të SPAK dhe GJKKO që përballen dita ditës, me kostot e makinerisë së përbaltjes.