Praktika të Kolegjeve të Gjykatës së Lartë | Masa e dëmshpërblimit për shkak të burgimit të padrejtë. 

Nga Aldi Kaçi

“….Vlera e kompensimit caktohet nga gjykata, rast pas rasti, deri në shumën e kufirit maksimal të caktuar nga ligji, nisur nga vërtetimi i rrethanave konkrete dhe individuale të rastit në gjykim dhe aplikimit të kritereve dhe kushteve që parashikon ligji.(…)

Neni 2 i ligjit nr. 9381/2005 parashikon se personi, që është deklaruar i pafajshëm ose për të cilin është pushuar çështja me vendim gjykate të formës së prerë apo të prokurorit, ose është mbajtur në burg tej kohës së caktuar në vendimin e dënimit, gëzon të drejtën e kompensimit për burgimin e vuajtur.

Masa e kompensimit e njohur nga gjykata nuk ka për qëllim zhdëmtimin e plotë në funksion të rivendosjes së të gjitha të drejtave të shkelura gjatë periudhës së burgimit të padrejtë. Dhënia e këtij dëmshpërblimi ka për qëllim të zbusë pasojat negative, sa i përket efekteve financiare të shkaktuara nga kompensimi për burgim të padrejtë.

Kolegji vlerëson se, në marzhin e vlerësimit për caktimin e masës së dëmshpërblimit gjykata duhet të mbajë në vëmendje kriteret e përcaktuara në nenin 5/1 të ligjit 9381/2005, të cilat për nga natyra e tyre garantojnë një kompensim proporcional të humbjeve të pësuara nga paditësi, për shkak të kompensimit të padrejtë.

Nisur nga shkaqet që ndikojnë në masën e caktimit të dëmit, konkretisht të ardhurat nga paga, aktiviteti fitimprurës para burgimit, paga në shkallë minimale në rang vendi, të ardhurat e përfituara nga puna në burg ose rrethana të tjera të lidhura me gjendjen ekonomike/familjare të paditësit, qëllimi i ligjvënësit në përcaktimin e masës së dëmshpërblimit për kompensim të padrejtë është të mbulojë, jo vetëm humbjet ekonomike që ka pësuar individi apo familja e tij nga burgimi i padrejtë, por dhe nga dëmi moral dhe social që ka pësuar ky individ apo familja e tij nga kjo ngjarje, si dhe rivendosja e të gjitha të drejtave të shkelur apo mohuara gjatë kësaj periudhe.

Gjykatat e faktit në caktimin e masës së dëmshpërblimin duhet të mbajnë në vëmendje se rritja e masës së kompensimit brenda hapësirave ligjore duhet të ndjekë në mënyrë proporcionale tërësinë e rrethanave faktike që legjitimojnë rritjen e masës së kompensimit.

Në këtë drejtim barrën e provës në këtë proces për të vërtetuar të ardhurat/fitimet e larta përpara periudhës së burgimit, rrethana ekonomike të veçanta ose familjare që do rrisnin masën e kompensimit e ka paditësi.

Jo të gjithë personat që vuajnë paraburgim/burgim të padrejtë duhet të trajtohen me maksimumin e dëmshpërblimit që jep dispozita, pasi dhe dëmi për të gjithë personat që vuajnë paraburgim/burgim të padrejtë nuk është i njëjtë…”

Shpërndaje