Praktika e GJEDNJ | Proporcionaliteti i përdorimit të forcës gjatë ndërhyrjes policore.

Screenshot


Nga Valjona Haxhiraj

GjEDNj – Magherini dhe të tjerë kundër Italisë (15 janar 2026)

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi shkelje të nenit 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (e drejta për jetën), si në aspektin material, ashtu edhe në atë procedural, në një çështje që lidhet me përdorimin e forcës nga policia dhe vdekjen e një personi gjatë ndërhyrjes policore.

I afërmi i ankuesve humbi jetën pasi u imobilizua dhe u mbajt për rreth 20 minuta në pozicion shtrirë përmbys (prone position) gjatë një ndërhyrjeje policore, ndërkohë që ndodhej në gjendje agjitacioni të rëndë psiko-fizik, të lidhur edhe me përdorimin e lëndëve narkotike.

Gjetjet kryesore të Gjykatës:

Shkelje e nenit 2 – aspekti material

Gjykata vlerësoi se:

përdorimi fillestar i forcës mund të ishte i justifikuar, por vazhdimi i mbajtjes së personit në pozicion përmbys, edhe pasi ai kishte pushuar së rezistuari, nuk u provua të ishte absolutisht i domosdoshëm;

ky pozicion kontribuoi në mënyrë të drejtpërdrejtë në vdekjen e tij (asfiksi pozicionale).

Gjykata theksoi se:

Autoritetet nuk kishin udhëzime të qarta dhe të mjaftueshme mbi rreziqet e këtij pozicioni, mungonte trajnimi i posaçëm i efektivëve për menaxhimin e situatave me persona në gjendje agjitacioni të rëndë.

Shkelje e nenit 2 – aspekti procedural

Hetimi penal u konsiderua jo efektiv dhe jo i pavarur, pasi, disa nga policët e përfshirë morën pjesë në veprimet e para hetimore, hetimi iu besua strukturave të së njëjtës forcë policore, duke cenuar kërkesën e pavarësisë objektive dhe praktike.

GjEDNj riafirmon se përdorimi i forcës nga organet e rendit duhet të jetë jo vetëm i ligjshëm, por edhe i domosdoshëm dhe proporcional në çdo fazë. Shtetet kanë detyrime pozitive për të hartuar rregulla të qarta, për të trajnuar efektivët dhe për të garantuar hetime reale dhe të pavarura kur humbet jeta e një personi nën kontrollin e autoriteteve.

Ky vendim ka vlerë të veçantë për: 

👮‍♂️ strukturat e rendit,

📚 trajnimet profesionale,

🛡️ garantimin real të të drejtës për jetën

Shpërndaje