Pritshmëritë dhe sfidat e 2026!

Nga Afrim Krasniqi

Në përvojën e tranzicionit kemi mësuar se vitet jo zgjedhore janë më të mira sesa ato zgjedhore, dhe se viti i parë pas zgjedhjeve shënon progres demokratik dhe ekonomik për vendin. Kjo, sidomos kur ka rotacione politike. Periudhat me bilancet më të mira mbeten ato pas rotacionit 1992, 2005 dhe 2013. Nuk ka më rotacion politik as elitash, zgjedhjet 2025 shënuan fitoren e katërt të së njëjtës parti, këtë herë me më shumë mandate parlamentare, por në cilësi përfaqësimi shumë më të ulët sesa fitorja e parë e vitit 2013.

Bazuar në këto përvoja dhe mësime të tranzicionit duhet theksuar që në fillim: viti 2026 nuk është vit zgjedhor, nuk është vit post-rotacioni, nuk është vit ndryshimi dhe pritshmërie të lartë. Dy janë pritshmëritë thelbësore: e para, avancimi i hetimeve të SPAK dhe vendimeve të GJKKO ndaj zyrtarëve të lartë abuzues dhe të korruptuar dhe e dyta, avancimi i procesit të integrimit. Siç dihet sa më të thella dhe konkrete hetimet aq më reaguese dhe refuzuese do të jetë aleanca korruptive politike, mediatike e oligarkie kundër SPAK/GJKKO; sa më efektive hetimi ndaj të “pa paprekshmëve” aq më shpejt afron fundi i tranzicionit dhe nis një fazë e re për shtetin e shoqërinë. Gjatë 2026 mbetet e rëndësishme që SPAK /GJKKO të ruajnë integritetin profesional, të përfundojnë gjykimin e disa dosjeve VIP, të vijojnë hetimet në nivelet e larta dhe të kalojnë nga akuzat te sekuestro e pasurisë informale. Fokusi i dytë, integrimi, mbetet më kompleks, teorik dhe problematik: sipas përvojës në vendet e tjera procesi i negociatave favorizon qeveritë në detyrë, sepse kërkon stabilitet dhe prej saj trajtohet si çështje shtetërore, pa pjesëmarrjen publike. Siç po ndodh tani, ligje të porositura pritet të kalojnë pa u dhënë rëndësi standardeve parlamentare, cilësisë së tyre dhe jetësimit në praktikë. Europa shihet si slogan, procesi nuk po funksionon si proces shoqëror, por burokratik dhe të gjithë e dimë se në 2030 nuk do jemi në BE, edhe sikur gjeopolitika të na ndihmë pa kushte, si më 2009 në NATO.

Thelbi politik 2026? Parlamenti mbetet i dobët dhe konfliktualiteti politik pritet të vijojë, oligarkia është më ndikuese në vendimmarrje, qeveria nuk ka agjendë reformash dhe as shenja reflektimi nga gabimet, opozita nuk ka potencial as vullnet për reformim dhe ndryshime, duke e kushtëzuar vitin 2026 të jetë shtojcë e 2025, pa ngjarje, pa politikë, pa reforma dhe një tjetër shans të humbur tranzicioni. Do kemi dy muaj argëtim me Kupën e Botës, dy muaj pushime, dy muaj show me kombëtare e festa, luks i madh për një vend që ka nevojë jetike për çdo sekondë e minutë për punë, reforma dhe fokus.  

Kur ndryshojnë vitet të gjithë shkëmbejmë mesazhe urimi, për shëndet, mbarësi e suksese. Komunikim standard dhe aq masiv sa duhet jo vetëm rutinë por edhe formulë zgjidhjeje. Dhe e besojmë. Në fakt realiteti është tjetër nga komunikimi dhe kultura virtuale. Kronika e vitit 2025 u mbyll me krizën e mungesës së ujit në qytetin kryesor turistik në vend, në Vlorë, zgjidhja ishte teknike gjithsesi ajo erdhi nga mbështetja e një shteti mik, duke ndjekur traditën: sa herë kemi nevojë, zjarre apo mungesë uji, tërmet apo epidemi, zgjidhja kërkohet dhe vjen nga jashtë, – këtu brenda ende nuk kemi mekanizma, mjete, burime dhe as aftësinë për parandalim apo zgjidhje. Kemi qeveri, por mungon qeverisja; kemi parlament por mungon parlamentarizmi, kemi parti por mungon politika, kemi opozitë por mungon alternativa, kemi zgjedhje por mungon zgjidhja, kemi ligje por mungon zbatimi i tyre, kemi institucione por mungon integriteti i tyre, kemi treg por mungon konkurrenca, kemi akademi por mungon shkenca, kemi universitete por mungon dija, kemi media por mungon gazetaria, dhe në thelb, kemi shoqëri por mungon qytetaria, kemi shtet por mungojnë shtetarët. Kur shoqëritë ndodhen në kriza të tilla besimi dhe orientimi pritshmëritë bëhen minimale, shpesh edhe skajshëm pragmatiste. Aty individi gëzohet nëse gjen një vend pune, nëse ka ujë e drita në banesë, nëse merr rrogën mujore, nëse shteti e ndihmon falas për shkollimin dhe shëndetësinë, nëse siguron banim apo komoditet për fëmijët. Në shkëmbim të tyre ky lloj individi pranon të heq dorë nga liritë politike dhe pritshmëritë sfiduese, bëhet patronazhist (i qeverisë) apo protestues (i opozitës), zgjedh heshtjen ndaj shkeljeve dhe ikjen nga protestat civile, bën “like” për shefat e radhës dhe është i gatshëm të tregohet i pamëshirshëm ndaj Tjetrit që me mendimet & veprimet mund të cenojë komunitetin/status quo-n e tij. Një individ i tillë tipizon atë që Arendt e artikullin te kultura e banalitetit të së keqes. E kundërta, qytetari që reagon, reflekton, riskon, synon, proteston, mbron liritë e tij, nuk hesht dhe projekton një shoqëri më të mirë për fëmijët dhe vendin, janë tipare të shoqërisë energjike, reformatore, funksionale dhe me të ardhme.

Së fundi, ia vlen të perifrazojmë thënien e A. Einstein “çmenduria është të bësh vazhdimisht të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të ndryshme”. Jo vetëm çmenduri, por edhe naivitet, ndofta fajësi. Në 2026 bota nuk është më e njëjtë, as demokracia, as siguria, as standardet e jetesës dhe as hierarkia vendimmarrëse. Ne nuk flasim për to, por jemi një prej impakteve të saj. Brenda nahijes tonë, të gjithë jemi një vit më të rritur, por shteti e shoqëria kanë mbetur të njëjtat, politika e njëjtë, partitë të njëjta, “liderit” të njëjtë, retorikat të njëjta, oligarkët të njëjtë, mediat të njëjta, premtimet të njëjta, abuzimet të njëjta dhe ndaj edhe pritshmëritë e sfidat thuajse të njëjta. Duket si një serial monoton që mbush programet televizive ku ka mbetur koha: kanë ndryshojnë gjeneratat, shikuesit, regjisori, bota përreth, por aktorët mbetën të njëjtë. Si të gjitha serialet, fundi dihet. Në këto rrethana, 2026 nuk ka pritshmëri reale për të qenë vit ndryshimi, por konsumi/konsumimi. Ai sapo ka nisur. Kemi 365 ditë në dispozicion të ndryshojmë diçka nga fati ynë, duke ndryshuar së pari pritshmëritë tona dhe raportin tonë me to.

Shpërndaje