Koment mbi procesin e zgjedhjes së Kreut të SPAK

Nga blogu.al

U bë kohë që në vendin tonë veprimtaria e institucioneve kushtetuese kthehet në lajm. Kjo sidomos pas miratimit të Reformës në Drejtësi dhe kryesisht për institucionet e ngritura rishtazi. E në kuadër të kësaj klime, zgjedhja e Kreut të SPAK është kthyer tashmë në ngjarje kombëtare që merr vëmendjen maksimale të opinionit publik. Kjo nisur dhe nga fakti se SPAK e GJKKO janë dy institucionet që kryesojnë çdo sondazh si më të besuarat e me pritshmëri të lartë në rezultate. 

Fakti që zgjedhja e Kreut të SPAK është ngjarje u pa si në prezencën e shtuar të përfaqësive diplomatike ashtu edhe në kohën televizive që mori mbledhja e KLP-së aq sa dubloi seancën plenare ku Kuvendi kishte për rend dite, ndër të tjera, dy pika shumë të diskutueshme; miratimin e Paqes Fiskale dhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Duke qenë se gjyqësori krijoi një gravitet që nxori në plan të dytë ekzekutivin e legjislativin, meqë jemi edhe në debatin e cënimit të kufijve të pushteteve të pavarura, gara për kreun e SPAK nuk mund t’i shpëtonte komenteve, analizave e gjykimeve, që në të shumtën e rasteve ishin subjektive, nisur nga interesa të caktuara, apo edhe të porositura. 

Për të qenë sa më objektiv në shqyrtimin e mbledhjes së datës 11 dhjetor të KLP, vlenë të ndalemi në tre momente; autoriteti, kandidatët dhe votimi. 


Procesi i votimit

Për hir të së vërtetës, procesi i votimit ishte një procedurë e standarteve norvegjeze! Votimi nominal dhe në mënyrë të hapur garantoi jo vetëm transparencën por edhe ligjshmërinë e procesit. Në këtë mënyrë u shmang mundësia e përsëritjes së episodeve të ngjashme me atë në garën që organizoi Gjykata e Lartë për vendin vakant të krijuar në Gjykatën Kushtetuese pas mbarimit të mandatit të kreut të saj. Gjithashtu, kjo mënyrë e të votuarit shmangu skenare balotazhi apo të përsëritjes së garës, pse jo dhe kontestimit në rrugë gjyqësore të procesverbalit të mbledhjes e vendimit përfundimtar të KLP. Skenare këto që do të cënonin rëndë besimin e opinionit publik tek organet e reja të drejtësisë. 


Kandidatët

Si fillim duhet thënë se të katër kandidatët gëzonin nivel dhe integritet të lartë profesional. Eksperienca e gjatë si prokuror dhe kalitja nga ndërhyrjet, presionet e kërcënimet, i vendoste ato pothuaj në të njëjtat nivele. Por, nisur nga platformat që prezantuan, dy prej tyre spikatën më tepër:

Doloreza Musabelliu

I kishte dhënë vëmëndje dy aspekteve shumë të rëndëdishme:

  1. Afateve proceduriale,
  2. Respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut

Për një prokuror, për më tepër në kontekstin e prokurorisë së posaçme që kanë me dhjetëra dosje e me çështje dinamike, respektimi i afateve proceduriale kthehet në mision më vete pasi afatet, në raste të caktuara, shkelja e tyre mund të përbëjë shkak për ngritjen e pretendimit për papërdorshmëri apo pavlefshmëri të akteve, e mbi të gjitha reflekton tek shurja e masave të sigurimit personal. 

Futja në platformë të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut gjatë fazës së hetimeve paraprake, tregon një vullnet të kreut të ri për të ndryshuar qasjen por dhe përceptimin, që në raste të caktuara krijohet, të një prokurorie represive. Gjithashtu, kjo tregon se kandidatja, zj.Musabelliu, ka ndjekur me vëmendje dhe reflektuar në platformë edhe dy vendime shumë të rëndësishme, atë të Gjykatës Kushtetuese ku ndalon sekuestrimin e mjeteve telefonike dhe kontrollin e komunikimeve që nuk përbëjnë interes për hetimin si dhe vendimin e Gjykatës së Strasburgut të çështjes “Thoma Gëllçi kundër Shqipërisë” që flet për proporcionalitetin e masave të sigurimit. 

Nga sa më lart, kuptojmë se zj.Musabelliu ka bërë vëzhgime të funksionimit të Prokurorisë së Posaçme dhe ka dalë në konkluzione se ku dhe si duhet ndërhyrë. 

Klodian Braho

Për kandidaturën e z.Braho duhet thënë që në fillim se; nisur nga rradha e prezantimit që u bë mbi rendin alfabetik dhe z.Braho i takonte të fundit, ai e shfrytëzoi për mirë. Kjo sepse, zakonisht, kur shkohet tek kandidati i fundit bie interesi sepse ndjekësit lodhen e sidomos kur bëhet fjalë për procese të tilla që marrin orë të tëra. Kështu, z.Braho e ktheu në avantazhin faktin e të qënit i fundit pasi ishte njohur me natyrën e pyetje dhe kishte një përgjigje të qartë të ngritur mbi një argument të konsoliduar. 

Sa i përket platformës që prezantoi, dukej si një vazhdimësi e “epokës Dumani”. Z.Braho përcolli mesazhin e ruajtjes së asaj çfarë ishte arritur deri tani me ndonjë ndërhyrje që do t’a kërkonte rasti. Ky “stabilitet institucional” u reflektua gjatë relatimit, pikërisht kur u shpreh mbi kornizën strategjike të hartuar, miratuar e implementuar gjatë periudhës së drejtimit të Prokurorisë së Posaçme nga z.Dumani. Kjo kornizë strategjike përbëhet nga:

  1. Plani strategjik 2024-2027
  2. Strategjia e komunikimit
  3. Strategjia për reduktimin e çështjeve të mbartura

Sa më lart, kuptohet se gjatë drejtimit tre vjecar të SPAK nga z.Braho, nuk duhet të presim ndonjë ndryshim të madh. Parë kjo në kontekstin e fluksit të hetimeve, numrit të zyrtarëve të lartë dhe grupeve kriminale të hetuara, është lajm i mirë. 


Autoriteti

Pa dashur të paragjykoj përgatitjen e anëtarëve të KLP dhe punën e tyre në këtë institucion, fatkeqësisht, niveli i pyetjeve të tyre ishte i një formati tjetër dhe vetëm me garën për zgjedhjen e kreut të Prokurorisë së Posaçme nuk kishte të bënte. 

Nuk u bënë pyetje, ose edhe kur u bënë nuk u trajtuan seriozisht, në lidhje me tema të rëndëdishme si:

  • Mandati kushtetues i prokurorëve
  • Nevoja për kufizim të kompetencës lëndore për t’a çliruar nga ngarkesa
  • Aplikimi pa kriter i masave shtrënguese
  • Respektimi i afateve proceduriale
  • Marrëdhënia me politikën
  • Komisioni “Xhafaj”
  • Kodi Penal
  • Rritja e denoncimeve nga administrata publike
  • Raportet me partnerët
  • Bashkëpunimi me BKH
  • Roli i SHISH
  • Dekonspirimi i aksioneve
  • Kriminalizimi i Policisë së Shtetit

Të gjitha këto tema janë aktualitet, që lidhen direkt apo indirekt me veprimtarinë e SPAK e sidomos të kreut të saj të cilit do i duhet të hartojë strategji, marrëveshje bashkëpunimi apo draftojë e normojë sjellje të caktuara të aktorëve dhe autoriteteve që bashkërendojnë punën me organin e akuzës. 

Kështu, KLP provoi se nuk është në lartësinë e një organi kushtetues si dhe përgjegjës për zgjedhjen e Kreut të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 


Përfundimi

Zgjedhja e Kreut të SPAK është ngjarje për vendin tonë por edhe pse e këtyre përmasave për KLP nuk ishte motiv që të organizonin një intervistim serioz të kandidatëve. Gjithashtu, u provua se kur ka presion diplomatik, institucionet shqiptare janë në gjendje të zhvillojnë procese votimi të standarteve nordike. Dhe e fundit, SPAK ka burime njerëzore të atilla saqë mund të nxjerrë jo vetëm fitues gare por edhe fitues moral.

Shpërndaje