Transferimet e përkohshme shkaktojnë debat në KLP

Diskutimi i projektvendimeve për transferimin e përkohshëm me pëlqim të prokurorëve pranë Prokurorive të Tiranës dhe Elbasanit shkaktoi debat të martën në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ndërsa shumica e anëtarëve qëndronte në këmbë, disa prej tyre ngritën tonet dhe flisnin pa radhë.

Anëtari Vatë Staka deklaroi se relacioni i dërguar nga Komisioni i Karrierës pranë KLP-së, nuk përputhet me ngarkesën që kanë prokurorët në republikën e Shqipërisë.

“Aty ka abuzim të pastër tek statistikat. Ju keni marrë prokuror nga Dibra dhe e keni çuar në Elbasan, ndërsa atë nga Korça e keni çuar në Tiranë,” tha Staka dhe solli në vëmendje se në këtë mënyrë nuk ishte respektuar parimi i largësisë mes prokurorive. Sipas Stakës, nga ana tjetër, nuk është respektuar as kriteri që përcakton transferimin nga prokuroritë që kanë ngarkesë më të ulët, siç janë ato të Shkodrës, Lezhës dhe Fierit.

Anëtarët e Komisionit të Karrierës, Ledina Riza dhe Sokol Stojani kundërshtuan qëndrimin e Stakës, duke u shprehur se ishin vlerësuar me kujdes gjithë vakancat dhe po ashtu, evidentuar prokuroritë nga mund të merreshin prokurorët, sipas kërkesave të ligjit.

Veç Stakës, edhe anëtari tjetër, Zeqir Hoda tha se ishte impresionuar prej relacionit, pasi të tre anëtarët e komisionit kishin paraqitur një larmi propozimesh për transferimet e përkohshme, ndërkohë që nënvizoi se ligji ka përcaktime të sakta.

Hoda tha se ligji ka përcaktuar vetëm një kriter, që prokurori që do të transferohet të jetë nga prokuroria me ngarkesën më të ulët të punës.

“Nuk ka tjetër kriter, kemi detyrimin ta respektojmë. Anëtarët e komisionit rrëshqasin nga ky kriter që është i vetmi”, tha Hoda.

Po ashtu, vërejti se në rregullore është përcaktuar se prokurori që transferohet duhet të jetë nga prokuroria me ngarkesën më të ulët dhe ajo që është më afër me prokurorinë pritëse. Sipas Hodës, po transferohej një prokuror nga Korça që ka ngarkesë mesatare me 137 çështje, kur në Tiranë apo në Lezhë, kanë më pak dosje nën ndjekje.

Stojani argumentoi se varet dhe nga lloji i çështjeve, duke sjellë në vëmendje se në prokurorinë e Fierit është hetuar dhe një çështje komplekse.

Megjithëse Staka propozoi që të merreshin prokurorët nga Fieri, Shkodra dhe Dibra që kanë më pak ngarkesë, ai mbeti në minorancë, pasi anëtarët e tjerë mbështetën propozimin e transferimit të një prokurori nga Korça në Elbasan dhe një tjetri nga Dibra në Tiranë./ Reporter.al

Shpërndaje