Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë në Vendimin nr.290, Datë 04.06.2025 shprehet:
Në interpretim të nenit 112 të Kodit Civil, parashkrimi i padisë përmban kurdoherë dy kushte ose elemente thelbësorë: (i) kalimin e një periudhe kohe të caktuar; dhe (ii) mosveprimin e titullarit për të ushtruar këtë të drejtë gjatë kësaj kohe. Kushti i parë përbën atë që quhet afat i parashkrimit të padisë dhe kushti tjetër konsiston në mosveprimin e titullarit të së drejtës në rastet kur ai mund dhe duhej të vepronte.
Elementi thelbësor i parashkrimit nuk është kalimi i kohës në vetvete, por është mos veprimi/pasiviteti i titullarit të së drejtës për të mbrojtur, brenda kohës së caktuar nga ligji, të drejtën e tij të cenuar ose të mohuar.
Nga ana tjetër, mund të ndodhë që mosveprimi i titullarit të së drejtës së padisë, të mos vijë për faj të tij, por për shkaqe objektive të pavarura nga vullneti i tij. Këto rrethana mund të lidhen me ngjarje natyrore apo me sjellje të njeriut të cilat e venë kreditorin në pamundësi objektive të ushtrojë të drejtën e padisë. Si rrjedhojë ligjvënësi ka sanksionuar institutin e pezullimit dhe ndërprerjes së afateve të parashkrimit. Në Kodin Civil nuk jepet në mënyrë të shprehur kuptimi i pezullimit, por duke iu referuar neneve 129 e 130 të tij, me pezullim të parashkrimit kuptohet mosfillimi ose mosecja e afatit të parashkrimit, përsa kohë ekzistojnë rrethana që nuk lejojnë titullarin e së drejtës të ngrejë padi.
Në nenin 1127 të KC parashikohet se; I siguruari ose personi i tretë, në dobinë e të cilit është lidhur kontrata e sigurimit, detyrohet të provojë se ka ndodhur ngjarja e sigurimit dhe, në sigurimin e pasurisë të provojë edhe sasinë e dëmit, si dhe t’i njoftojë siguruesit, sipas kërkesës së këtij, të gjitha informatat që janë në dijeni të tij dhe që kanë lidhje me ngjarjen e sigurimit.
Nisur nga këto parashikime pala e dëmtuar ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit nga shoqëria e sigurimit kur vërtetohet jo thjeshtë ngjarja aksidentale me pasojë vdekjen ose dëmtimin e shëndetin, por ngjarja -rast sigurimi. Vërtetimi i rastit të sigurimit do të thotë jo thjesht vërtetim i dëmit por vërtetim i përgjegjsisë së drejtuesit të automjetit të siguruar pranë saj.
Nisur nga këto parashikime kuptohet se e drejta e palës së dëmtuar për të kërkuar dëmshpërblim te shoqëria nuk lind kur ndodh dëmi, por kur vërtetohet rasti i sigurimit. Ligji ia ka ngarkuar barrën e provës për vërtetimin e rast sigurimi palës së dëmtuar. Kur ngjarja rast sigurimi përbën njëkohësisht vepër penale atëherë vërtetimi i këtij rast bëhet me akte të mbajtura nga organet kompetente si prokuroria ose gjykata, sikurse janë aktet e ekspertimit e vendimet përkatëse. Me ardhjen në dijeni të këtyre akteve del se i dëmtuari ka ardhur në dijeni të personit përgjegjës shkaktar të dëmit, gjë që lind të drejtën e tij për të kërkuar shpërblimin e dëmit pranë shoqëris së sigurimit.