
Analizë nga blogu.al
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në vendimin me nr.145 datë 26.01.2023 (dhomë këshillimi), arsyeton se:
“….Kodi i Procedurës Penale, në nenin 131 të tij, njeh vetëm nocionin e pavlefshmërisë së prejardhur të akteve procedurale, në kuptimin që një akt i pavlefshëm mund t’i shtrijë pasojat edhe në aktet e mëpasshme që kanë lidhje funksionale dhe juridike me të, por jo atë të papërdorshmërisë së provës që prodhohet nga akti pasues.
Në të tilla kushte, konkluzioni i gjyqtarit të hetimeve paraprake për të përjashtuar nga vlerësimi, për shkak papërdorshmërie, provën materiale, lëndën narkotike të gjetur në automjetin dhe banesën e personit nën hetim, duke u mjaftuar vetëm në konstatimin e paligjshmërisë së kontrolleve dhe pa marrë parasysh se kjo provë materiale është prodhuar nëpërmjet një akti procedural pasues sikundër është sekuestrimi, përbën një interpretim të zgjeruar të dispozitave procedurale penale, jashtë rregullit të taksativitetit të ekzistencës të rregullit të papërdorshmërisë së prejardhur, pra të papërdorshmërisë së provave pas një kontrolli të paligjshëm.
Rregulli i përdorimit të provave që janë prodhuar nga veprime hetimore pasuese, pavarësisht se veprimi i mëparshëm hetimor në lidhje ligjore dhe logjike me atë pasues është i paligjshëm, ka gjetur zbatim edhe në jurisprudencën e Gjykatës së Kasacionit të Italisë (vendimi i datës 27.03.1996 nr. 5021, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit Itali), në bazë të të cilëve rezulton se nuk mund të zbatohet papërdorshmëria e prejardhur e provave të sekuestruara si rrjedhojë e një kontrolli të paligjshëm në ato raste kur sekuestrimi ka të bëjë me provat materiale ose sende që lidhen me veprën penale, pasi në këto raste sekuestrimi përbën një akt të detyrueshëm.
….
Konkluzioni për karakterin e detyrueshëm të aktit të sekuestrimit, në rastin e gjetjes së sendeve apo provave materiale që lidhen me veprën penale, pavarësisht karakterit të ligjshëm apo të paligjshëm të kontrollit që i ka paraprirë në kohë veprimit të sekuestrimit, është theksuar në mënyrë të veçantë edhe në ndryshimet që ka pësuar Kodi i Procedurës Penale me ligjin nr. 35/2017, ku në nenin 207 të tij është përcaktuar karakteri i detyrueshëm i sekuestrimit edhe për sendet që nuk kanë lidhje me veprën penale, për të cilën është lejuar apo iniciuar kontrolli.
Nëpërmjet sanksionimit të karakterit detyrues të sekuestrimit edhe për rastet e tejkalimit të qëllimit të ligjshëm për të cilën është lejuar apo është kryer kontrolli, sipas interpretimit të zgjeruar të dispozitës së mësipërme, rezulton se qëllimi i ligjvënësit ka qenë i qartë, për të shmangur vlerësimin për papërdorshmërinë e provave të sekuestruara, edhe kur ato janë marrë në shkelje të ndalimeve ligjore në lidhje me kontrollin, si një veprim hetimor që i paraprin sekuestrimit…..”