
Analizë nga blogu.al
Është botuar në Fletoren Zyrtare nr.221 datë 27.11.2025 Udhëzimi i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nr.7 datë 20.11.2025 “Për mbrojtjen e të dhënave personale në median e shkruar, elektronike dhe/ose audiovizive, si dhe përjashtimet për qëllimet e posaçme të përpunimit.”
Objekti i këtij udhëzimi është percaktimi i rregullave për median e shkruar, elektronike dhe/ose audiovizive, publike ose private (në vijim “Media”), me qëllim për të garantuar përpunimin e ligishëm të të dhënave personale, si dhe përcaktimin e rasteve kur aplikohen përjashtimet nga dispozitat e ligjit në përpunimin e të dhënave nga kontrollues që realizojnë veprimtari në fushën e gazetarisë.
Ai detyron gazetarët, redaktorët si dhe botuesit e medias që të zbatojnë të gjitha dispozitat e ligjit por dhe të këtij udhëzimi. Media duhet të kujdeset që të mos publikojë informacione të paqarta, të pavërteta, përfshirë edhe imazhe që cënojnë të drejtat e subjekteve të të dhënave. Në media, duhet të bëhet i qartë dallimi midis fakteve reale, komentit, opinionit dhe hamendësimit.
Gjatë raportimit mbi ngjarje që përfshijnë aksidente, fatkeqësi natyrore apo të shkaktuara nga njeriu, dhunë ndaj individëve, konflikte të armatosura ose skena vdekjeje, media ka përgjegjësinë të balancojë interesin publik për informim, me të drejtën e individëve për privatësi dhe dinjitet.
Media duhet të vlerësojë me kujdes justifikimin për qëllime gazetarie mbi përfshirjen e materialeve vizuale grafike ose invazive. Vendimi për të publikuar pamje të tilla duhet të merret vetëm pasi të jenë shqyrtuar rrethanat konkrete dhe pasojat e mundshme për individët e përfshirë, si dhe ndikimi në të afërmit apo komunitetin më të gjerë.
Familja, banesa, prona private
Çdo person ka të drejtë t’i respektohet jeta e tij/saj private dhe familjare, prona, shëndeti fizik e mendor dhe korrespondenca, duke përfshirë edhe komunikimin digjital.
Media nuk mund të ndërhyjë në jetën private të individit, pa pëlqimin e tij. Nuk lejohen të publikohen imazhe të individit në vende private, pa pëlqimin e tij.
Anëtarët e familjes, veçanërisht fëmijët, të afërmit dhe miqtë e figurave publike, të cilët vetë nuk janë figura publike, gëzojnë një nivel më të lartë të mbrojtjes së privatësisë. Adresa e banimit të një personi përbën të dhënë personale dhe, si e tillë, është e mbrojtur nga ligji. Në parim, ajo nuk duhet të publikohet nga media nëse nuk ka një interes publik.
Media në asnjë rast nuk mund të cenojë banesën apo të mbledhë imazhe nga një ambient privat, spitalor, apo institucion i vuajtjes së dënimit nëpërmjet kamerave, pa pëlqimin e personit.
Mbrojtja e të miturit
Fëmijët nën moshën 16 vjeç nuk duhet të intervistohen ose fotografohen, për çështje që përfshijnë mirëqenien (mbarëvajtjen) e tyre ose të një fëmije tjetër, vetëm kur prindi/kujdestari ligjor jep pëlqimin.
Nxënësit nuk duhet të fotografohen apo intervistohen, në ambientet e shkollës pa siguruar më parë lejen e autoriteteve shkollore. Media duhet të shmang publikimin e informacionit që ka lidhje me të dhënat personale të fëmijëve të figurave publike nëse informacioni nuk kontribuon në një debat me interes publik.
E drejta e fëmijës për ruajtjen e konfidencialitetit mbizotëron në raport me lirinë e shprehjes dhe publikimin e informacionit.
Media nuk duhet të identifikojë të miturit, të cilët janë viktima ose dëshmitarë në rastet e krimeve seksuale. Në çdo komunikatë për shtyp të një rasti që përfshin një krim seksual kundrejt një të mituri, duhet të shmanget zbulimi i marrëdhënies mes autorit dhe të miturit.
Mbrojtja e të dhënave në procedimet penale
Në publikimin e informacionit të lidhur me një fakt penal, ndalohet identifikimi i personave të afërt me autorin e dyshuar ose të dënuarin për kryerjen e veprës penale, me përjashtim kur këta të fundit kanë dhënë pëlqimin. Personat nuk duhen filmuar në kushtet e privimit të lirisë nga ana e organeve të rendit, përveç nëse kjo është e nevojshme për të raportuar veprim e arbitrare nga organet e rendit.
Respektimi i parimit të prezumimit të pafajësisë është pjesë përbërëse e të drejtës për një proces të rregullt ligjor. Media, në publikimin e një fakti penal, ka detyrimin të respektojë parimin e prezumimit të pafajësisë. Përpunimi i të dhënave me qëllim për të zbuluar masat e sigurimit personal të caktuara ndaj personave të dyshuar për kryerjen e një vepre penale, lejohet vetëm kur ky përpunim është në përmbushje të interesit publik.
Përdorimi i aparaturave për regjistrim
Media nuk duhet të përpunojë të dhëna personale apo të botojë/publikojë materiale të siguruara nga përdorimi i kamerave/pajisjeve të tjera të fshehta, apo nga thirrje private ose telefon celular,mesazhe/email, ose nëpërmjet përdorimit të paautorizuar të dokumenteve dhe imazheve që përmbajnë të dhëna personale, përveç rasteve kur mbizotëron interesi publik.
Publikimi i përmbajtjes së përgjimeve mund të konsiderohet proporcional nëse:
a) ndihmon në kuptimin e rrethanave të veçanta në të cilat ka ndodhur ngjarja dhe nuk tejkalon kufijtë e nevojshëm në raport me qëllimin informues dhe interesin publik të arsyeshëm;
b) nuk cenon asnjë dispozitë të legjislacionit në fuqi dhe hetimet paraprake apo gjykimin e një procedimi në zhvillim.
Mbrojtja e të dhënave shëndetësore
Të dhënat shëndetësore konsiderohen të dhëna sensitive dhe nuk mund të publikohen pa pëlqimin e subjektit, përveç rasteve kur personi nuk mund të identifikohet. Media ka detyrimin të respektojë dinjitetin dhe privatësinë e individit, veçanërisht në rastet e sëmundjeve të rënda, duke shmangur publikimin e detajeve të panevojshme.
Nuk lejohet publikimi i të dhënave të përftuara nga analizat dhe ekzaminimet shëndetësore, të cilat mund të tregojnë të dhëna sensitive mbi shëndetin. Ky publikim lejohet vetëm kur ndjek thelbin e informacionit dhe gjithmonë duke respektuar dinjitetin e personit.
Publikimi i imazheve
Gjatë dokumentimit me imazhe të fakteve të kronikës të cilat ndodhin në vende publike, media përpara publikimit të materialit duhet të vlerësojë se çfarë lloj fokusimi duhet përzgjedhur, duke shmangur fokusimin e pamjeve vetëm mbi individët apo tek detaje të personave, nëse përhapja e këtyre të dhënave nuk rezulton se ka lidhje ose e tejkalon qëllimin e kronikës.
Imazhet që dokumentojnë veprimet e arrestimit nuk mund të shpërndahen kur dëmtojnë dinjitetin e personit. Ndalohet riprodhimi i imazheve të personave të ndaluar, përveç kur kjo është në funksion të interesit publik.
Çdo ndërhyrje teknike mbi një imazh, përmes montazhit, korrigjimit elektronik apo përpunimit digjital, duhet të realizohet në mënyrë që të mos cenojë jetën private dhe dinjitetin e individit.
Figura publike
Media duhet të respektojë jetën private të figurave publike. Publikimi i të dhënave personale nga media në lidhje me figura publike lejohet vetëm në atë masë që informacioni ka lidhje të drejtpërdrejtë me aktivitetin publik, veprimtarinë institucionale apo ndikimin e tyre në jetën publike. Ky publikim duhet të respektojë parimet e proporcionalitetit dhe interesit publik, sikundër parashikohet në ligj, si dhe të drejtat dhe liritë themelore të subjekteve të të dhënave. Ndalohet publikimi i informacioneve ose të dhënave që lidhen me jetën private të figurave publike, për sa kohë që këto të fundit nuk lidhen me aktivitetin publik të tyre.
Kuptimi i interesit publik
Për qëllimet e këtij udhëzimi, interesi publik lidhet me ato çështje që prekin publikun në një shkallë të tillë sa që ai ka të drejtë legjitime të interesohet dhe të informohet, me qëllim të kuptimit më të mirë të tyre dhe formimit të opinionit për vendime mbi ngjarje me rëndësi publike,ose që e shqetësojnë atë në mënyrë domethënëse.
Çështje që konsiderohen me interes publik janë, por pa u kufizuar, ato që lidhen me:
a) ekspozimin e rasteve që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me mbrojtjen e sigurisë publike;
b) mbrojtjen e shëndetit publik dhe mjedisit;
c) parandalimin, ekspozimin e rasteve që kanë lidhje me veprat penale, krimet e rënda, trazirat, skandalet apo sjelljet dukshëm antisociale;
ç) të drejtat dhe liritë e tjera themelore të njeriut;
d) keqpërdorimin e detyrës publike ose përdorimin e papërshtatshëm/abuziv të fondeve publike;
dh) parandalimin publik të mashtrimit dhe/ose manipulimit;
e) parandalimin e keqinformimit të publikut nga deklaratat ose veprimet e individëve ose organizatave
E drejta për t’u harruar
Media, gjatë përpunimit të të dhënave personale në funksion të ushtrimit të veprimtarisë për qëllime gazetarie, respekton edhe të drejtën e individit për t’u harruar, si një e drejtë për të kërkuar fshirjen e të dhënave personale që nuk janë më të nevojshme, janë përpunuar në mënyrë të paligjshme ose që cenojnë jetën private dhe reputacionin e subjektit të të dhënave, në përputhje me ligjin.
Kërkesa për të drejtën për t’u harruar mund të paraqitet nga subjekti i të dhënave, kur:
a) informacioni i publikuar nuk është më i nevojshëm për qëllimet e gazetarisë për të cilat është mbledhur;
b) të dhënat kanë humbur vlerën aktuale për interesin publik dhe vijojnë të kenë efekt negativ në jetën personale apo profesionale të individit;
c) informacioni është i pasaktë, i papërditësuar, i dëmshëm apo i panevojshëm në raport me kohën e kaluar nga ngjarja;
ç) subjekti i të dhënave ka ushtruar të drejtën për të tërhequr pëlqimin për përpunim, në rastet kur përpunimi është bazuar në pëlqimin e tij.
Kur informacioni është i disponueshëm online në arkivat e medias, masa për zbatimin e të drejtës për t’u harruar mund të përfshijë:
a) fshirjen e informacionit;
b) anonimizimin e emrit apo të të dhënave identifikuese;
c) de-indeksimin nga motorët e kërkimit;
ç) shtimin e një përditësimi ose reference ndaj zhvillimeve të mëvonshme ligjore që kanë ndryshuar statusin e subjektit të të dhënave.