Ligji “Për Barazinë Gjinore” | DPSHL i dërgon dy letra zyrtare Delegacionit të BE-së në Tiranë dhe Komisionit Europian

Qëndrim Zyrtar i DPSHL – Dy Letra Zyrtare dërguar Delegacionit të BE-së në Tiranë dhe Komisionit Europian

Diaspora për Shqipërinë e Lirë (DPSHL) ka dorëzuar dy Letra zyrtare – një në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë dhe një në Komisionin Europian në Bruksel, ku kërkojmë qartësim zyrtar mbi deklaratat publike të bëra nga zyrtarë të BE-së lidhur me Ligjin e ri “Për Barazinë Gjinore” (2025).

Pse u dërguan këto kërkesa?

Gjatë debatit publik dhe parlamentar për këtë ligj, disa deklarata të zyrtarëve të BE-së — përfshirë Komisionin Europian, Komisioneren Marta Kos dhe Ambasadorin Silvio Gonzato i Delegacionin të BE-së në Tiranë — janë interpretuar gjerësisht si pohim se:

Ligji i propozuar është një “detyrim i BE-së” dhe një pjesë e “acquis”-it europian.

Kjo krijoi perceptimin se:

– Shqipëria duhet të njohë shumëllojshmëri të “identiteteve gjinore”;

– ndryshimi i gjinisë me vetëdeklarim është i kërkuar nga BE-ja;

– konceptet e reja të gjinisë fluide janë të domosdoshme për procesin e integrimit.

Në realitet, asnjë nga këto nuk është kërkesë e së drejtës së BE-së.

Këtë e konfirmojnë të gjitha direktivat e BE-së dhe jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë (CJEU), e cila thekson se: Përcaktimi i kushteve ligjore të njohjes së gjinisë mbetet kompetencë ekskluzive e shteteve anëtare.

Çfarë kërkojmë zyrtarisht nga BE-ja?

Në të dyja komunikimet zyrtare, DPSHL i ka kërkuar Komisionit Europian dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë që:

– Të japin një qartësim të shkruar se çfarë kërkon dhe çfarë nuk kërkon e drejta europiane në fushën e barazisë gjinore.

– Të ripohojnë se gjinia, gjendja civile dhe e drejta familjare mbeten kompetencë kombëtare, jo kërkesë e BE-së.

– Të rishikojnë deklaratat publike të bëra nga zyrtarët e tyre, nëse ato ishin në përputhje me parimet e neutralitetit, saktësisë dhe transparencës.

– Të korrigjojnë publikisht, nëse është e nevojshme, keqinterpretimet që janë përhapur në Shqipëri.

– Të garantojnë që DG NEAR dhe Delegacionet e BE-së ruajnë neutralitet institucional në vendet kandidate në çështje të ndjeshme dhe të diskutueshme shoqërore.

Qëllimi ynë është vetëm transparenca, integriteti i procesit demokratik, dhe mbrojtja e besimit publik në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Shqipëria ka nevojë për debat të ndershëm dhe për informacion të saktë, jo për keqkuptime mbi natyrën dhe përmbajtjen e së drejtës së BE-së.

Dokumentet e dërguara:

➡️ Letra drejtuar Komisionit Europian (për Presidenten von der Leyen).

➡️ Letra drejtuar Delegacionit të BE-së në Tiranë dhe Ambasadorit Silvio Gonzato.

➡️ Këto shkresa iu dërguan edhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë

DPSHL do të mbrojë gjithmonë transparencën dhe saktësinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Ne do të informojmë publikun menjëherë sapo të marrim përgjigje zyrtare nga institucionet e BE-së.

Shpërndaje