
Analizë e blogu.al
Qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”. Referuar këtij akti, procesi nis më 1 janar 2026 dhe ka afat fundor 31 dhjetorin e vitit 2026. Do të konsiderohen si objekt rivlerësimi sipas këtij ligji, në rast se pagesa e tatimit bëhet deri më 31 mars 2027, edhe kërkesat e paprocesuara nga ASHK deri në fundin e vitit që vjen.
Ky rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga drejtoritë vendore të ASHK.
Si llogaritet detyrimi?
Baza e tatueshme do të jetë: diferenca ndërmjet lerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të ekspertit dhe vlerës të mëparshme të regjistruar. Vlera e nxjerrë nga eksperti nuk mund të jetë më e vogël se çmimet fiskale në fuqi.
Do të konsiderohet çmim fiskal ai i vendosur sipas dispozitave të Udhëzimit të përbashkët nr. 34 datë 29.12.2023 i Ministrit të Finanacve dhe Ekonomisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të ASHK “Për tatimin mbi të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme”.
Tatimi, që do të paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi, do të jetë 5% e bazës së tatueshme.
E njejta procedurë do të jetë edhe për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme për personat juridik. Diferenca ndërmjet vlerës që rezulton nga rivlerësimi, me vlerën kontabël të pasurisë reflektohet në pasqyrat financiare të vitit 2026.
Për qëllim të zbatimit të kësaj procedure, personi juridik mban një kartelë të
pasurisë së paluajtshme, ku evidenton vlerën përkatëse të pasurisë së
paluatjshme që nga momenti i njohjes fillestare të aktivit dhe tatimin përkatës
të paguar sipas legislacionit ne fuqi.
Diferenca ndërmjet vlerës së rivlerësimit
dhe vlerës kontabël të regjistruar nuk është objekt amortizimi për qëllime
tatimore. Në rastet kur personi juridik transferon te drejtën mbi pasuritë e paluajtshme të rivlerësuara, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital dhe
detyrimit tatimor, nga çmimi i shitjes zbritet vlera e rivlerësuar e pasurisë.