
Gjykata Kushtetuese u nda 4 me 3 në vendimin për të rrëzuar kërkesën e kandidates Naureda Llagami, e cila konteston procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarit Asim Vokshi në vendin vakant të gjyqtares Holta Zaçaj në këtë gjykatë. Vetë Zaçaj u përjashtua nga shqyrtimi i çështjes me kërkesë të Gjykatës së Lartë.
Gjyqtari Asim Vokshi u shpall fitues i pozicionit vakant në Gjykatë Kushtetuese më 30 shtator. Nga votimi i fshehtë në Gjykatën e Lartë, kandidatja Naureda Llagami kishte siguruar 8 vota, Vokshi 6 vota, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Me arsyetimin se asnjëri nuk arriti të sigurojë 3/5 e votave, u shpall fitues Vokshi, i cili në pikëzimin e KED kishte siguruar vendin e parë.
Por Llagami e kundërshtoi këtë procedurë fillimisht në Gjykatën Administrative dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese, ku pretendoi se vota e shpallur e pavlefshme e shprehte qartë vullnetin në favor të saj.
Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, trupa ka vlerësuar njëzëri se ka juridiksion për të shqyrtuar çështjen, por është ndarë në vlerësimin e legjitimitetit të kërkueses.
Katër nga shtatë gjyqtarët që shqyrtuan çështjen vlerësuan se kërkuesja nuk legjitimohet ratione personae që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështje që lidhen me zgjedhshmërinë e funksionarit të organeve të parashikuara në Kushtetutë.
“Kërkuesja si individ mund të vërë në lëvizje gjykimin kushtetues… mirëpo kjo dispozitë kërkon që akti i pushtetit publik të ketë cënuar të drejtat dhe liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta,” arsyeton shumica, duke vlerësuar se e drejta për t’u zgjedhur si anëtar i Gjykatës Kushtetuese nuk përbën një të drejtë themelore kushtetuese.
Sipas qëndrimit të pakicës, individët që garojnë për funksionet e parashikuara në Kushtetutë legjitimohen t`i drejtohen Gjykatës për kushtetutshmërinë e procesit të zgjedhjes, për sa kohë janë pjesë e atij procesi. Tre anëtarët në pakicë, kanë vlerësuar se individët e justifikojnë interesin e tyre për të kërkuar kontrollin e kushtetutshmërisë.
Për shkak të mungesës së arritjes së kuorumit, kërkesa e Llagamit u konsiderua e rrëzuar. BIRN mësoi se Zaçaj nuk ishte pjesë e trupës që shqyrtoi kërkesën e Llagamit, pasi shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e gjeti të drejtë kërkimin e Gjykatës së Lartë për përjashtimin e saj nga gjykimi, pasi ka interes në këtë çështje. Ndërkohë, është rrëzuar kërkesa e Llagamit për përjashtimin nga gjykimi të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që janë pjesë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.