
Punoi: Olti Skrame*
Kontrata e sigurimit është formale dhe reale. Ajo quhet e lidhur pasi i siguruari i paguan siguruesit primin e sigurimit (neni 1125 i Kodit Civil).
Ajo duhet të bëhet në formë të shkruar, sipas neneve 1114 dhe 1115 të Kodit Civil.
Objekti i saj është “delegimi i përgjegjësisë për shpërblimin e dëmit”. Kjo do të thotë se, siguruesi përmes kontratës së sigurimit, detyrohet të shpërblejë dëmin e pësuar nga i siguruari, në personin dhe/ose pasurinë e tij.
Në rast se ngjarja e sigurimit ka ardhur si pasojë e veprimeve ose mosveprimeve me faj të siguruesit, ky i fundit jo vetëm nuk shkarkohet nga detyrimi i shpërblimit të dëmit, sipas kontratës së sigurimit, por, detyrohet të shpërblejë edhe dëmin shtesë të pambuluar nga shuma e sigurimit, sipas kontratës së sigurimit.
Nga ana tjetër, nëse ngjarja e sigurimit ka ndodhur si pasojë e veprimeve ose mosveprimeve me faj të të siguruarit, të beneficiarit dhe/ose të personave për të cilët këta përgjigjen civilisht, detyrimi i siguruesit shuhet dhe shuma e sigurimit nuk paguhet.
Kontrata e sigurimit është dy llojesh: kontratë sigurimi pasurie dhe kontratë sigurimi personi. Në rastin e parë, shuma e sigurimit paguhet nëse i siguruari ose beneficiari janë dëmtuar në pasurinë e tyre, si pasojë e ngjarjes së sigurimit (neni 1134 i Kodit Civil).
Në rastin e dytë, shuma e sigurimit paguhet nëse i siguruari ose beneficiari janë dëmtuar në personin e tyre (jetë, shëndet, ose aftësi për punë), si pasojë e ngjarjes së sigurimit (neni 1150 i Kodit Civil).
Kontrata e sigurimit mund të jetë vullnetare ose e detyrueshme. Në kontratën e sigurimit vullnetar, siguruesi dhe i siguruari lidhin kontratën e sigurimit të pasurisë dhe/ose të personit, sepse e dëshirojnë një gjë të tillë.
Në kontratën e sigurimit të detyrueshëm lidhja bëhet sepse është detyrim ligjor.
Mes ligjeve që përcaktojnë lidhjen e detyrueshme të kontratave të sigurimit, ka qenë ligji nr. 10076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit (i zëvendësuar nga ligji nr. 32/2021, datë 16.03.2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në transport”).
Shpërblimi i dëmit i personit të dëmtuar nuk lidhet me kontratën e sigurimit të lidhur nga mbajtësi i mjetit motorik, pra nuk është përgjegjësi që rrjedh nga kontrata e sigurimit.
Është përgjegjësi jashtëkontraktore, që rrjedh nga shkaktimi i dëmit prej drejtuesit të një mjeti, në dëm të një të treti. Fakti i qenies së siguruar i mjetit që ka shkaktuar dëmin, lind detyrimin që dëmin ta paguajë jo mbajtësi i mjetit, por siguruesi. Kur mjeti shkaktar i dëmit është i pasiguruar, shpërblimi i dëmit bëhet nga fondi i kompesimit, i cili administrohet prej Byrosë Shqiptare të Sigurimeve.
Me “personi të cilit i është shkaktuar një dëm” nuk nënkuptohet vetëm personi mbajtës i mjetit motorik, i dëmtuar nga një mjet tjetër motorik, por çdo person i dëmtuar në pasuri dhe/ose shëndet (vendimi nr. 1, datë 09.01.2008, i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë).
*Autori i këtij punimi është gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Gjithashtu, ai është autor i dy librave në fushën juridike, “Komentari i Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë” (në dy vëllime), botuar në vitin 2012 dhe “Manuali i të drejtës ndërkombëtare private të Republikës së Shqipërisë” , botuar në vitin 2022, si dhe i mbi 15 artikujve dhe materialeve juridike, të botuara gjatë periudhës 2009 – 2024.