
Uashington — Gjykata e Lartë të enjten i lejoi administratës së presidentit Trump të zbatojë përkohësisht politikën e saj që i jep fund përdorimit të shenjuesit gjinor “X” në pasaporta dhe kërkon që dokumentet të pasqyrojnë “seksin biologjik në lindje” të mbajtësit të pasaportës.
Gjykata e lartë pranoi të pezullojë urdhrin e një gjykate më të ulët që kishte ndaluar Departamentin e Shtetit të zbatonte këtë politikë, të miratuar nga presidenti Trump më herët gjatë këtij viti. Vendimi paraprak kishte lejuar personat transgjinorë ose jo-binarë që kërkonin pasaportë të vetëpërcaktonin shenjuesin gjinor — “M”, “F” ose “X” — që përputhet me identitetin e tyre gjinor.
Vendimi i Gjykatës së Lartë duket se u mor me një ndarje 6 me 3, me tre gjyqtaret liberale në kundërshtim.
“Shfaqja e seksit në lindje të mbajtësit të pasaportës nuk cenon më shumë parimet e mbrojtjes së barabartë sesa shfaqja e vendit të lindjes — në të dy rastet, Qeveria thjesht dëshmon një fakt historik pa i nënshtruar individët trajtimit të pabarabartë,” thuhet në vendimin e papërshkruar me emër të gjykatës. “Dhe në këtë rast, paditësit nuk kanë arritur të provojnë se zgjedhja e Qeverisë për të shfaqur seksin biologjik ‘nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç një dëshire të thjeshtë për të dëmtuar një grup politikisht të papëlqyer.”
Gjykata theksoi në urdhrin e saj se administrata Trump ka gjasa të ketë sukses në themel të çështjes, duke shtuar se vendimi i gjykatës së shkallës së parë për të ofruar një ndalim të gjerë pengon zbatimin e një politike të degës ekzekutive “me ndikime në politikën e jashtme që lidhen me një dokument zyrtar qeveritar”.
Në një mendim kundërshtues, gjykatësja Ketanji Brown Jacksonshkroi se dëmet që pësojnë paditësit që kundërshtojnë rregullat e reja janë më të mëdha sesa interesi i qeverisë për të zbatuar menjëherë politikën e re të pasaportave.
“Pa një pezullim të zbatimit, amerikanët transgjinorë ‘detyrohen të bëjnë një zgjedhje të vështirë që asnjë qytetar tjetër nuk përballet: të përdorin pasaporta me gjini që nuk përputhet me identitetin e tyre, duke rrezikuar ngacmim dhe ndërhyrje trupore, ose të shmangin të gjitha veprimtaritë (udhëtimet, hapjen e një llogarie bankare, marrjen me qira të një makine, nisjen e një pune të re) që mund të kërkojnë pasaportë,’” shkroi ajo. “Dëmi që u shkaktohet këtyre individëve nga nevoja për të bërë këtë zgjedhje — përpara se të zgjidhen sfidat e tyre ligjore — është i prekshëm dhe real.”
Në mendimin e saj u bashkuan gjyqtaret Sonia Sotomayordhe Elena Kagan.
Administrata Trump kishte argumentuar se gjykata e qarkut në Masaçusets kishte ndërhyrë në ushtrimin e kompetencave të presidentit në politikën e jashtme me vendimin e saj të qershorit. Ajo gjithashtu kishte deklaruar se politika e qeverisë që prej vitit 1977 — me përjashtim të periudhës së administratës Biden — nuk ka lejuar që aplikuesit për pasaportë të vetëpërcaktojnë shenjuesin e gjinisë së tyre.
“Qytetarët privatë nuk mund ta detyrojnë qeverinë të përdorë përcaktime gjinore të pasakta në dokumentet e identifikimit që nuk pasqyrojnë seksin biologjik të personit — veçanërisht në dokumente që janë pronë e qeverisë dhe pjesë e ushtrimit të kompetencave kushtetuese e ligjore të Presidentit për komunikim me qeveritë e huaja,” shkroi Prokurori i Përgjithshëm D. John Sauernë një parashtresë drejtuar Gjykatës së Lartë.
Udhëzimi i presidentit Trump përmbysi një politikë të miratuar nga administrata Biden, e cila u lejonte aplikuesve për pasaportë të zgjidhnin shenjuesin gjinor në dokument bazuar në identitetin e tyre gjinor dhe shtonte opsionin “X” për personat jo-binarë ose ata që nuk identifikohen rreptësisht si mashkull apo femër.
Masa e presidentit përkufizonte “seksin” si “klasifikimin biologjik të pandryshueshëm të një individi si mashkull ose femër”. Ajo udhëzonte Departamentin e Shtetit që dokumentet zyrtare, përfshirë pasaportat, “të pasqyrojnë saktësisht seksin e mbajtësit”, duke ndaluar praktikisht aplikuesit të zgjedhin shenjuesin gjinor bazuar në identitetin e tyre.
Pas këtij udhëzimi, Departamenti i Shtetit ndaloi lëshimin e pasaportave me shenjuesin “X” dhe ndryshoi formularët e aplikimit për të ofruar vetëm opsionet “M” ose “F”. Ai gjithashtu miratoi procedura për të përdorur seksin që përputhet me certifikatën e lindjes ose dokumente të tjera të aplikuesit.
Shtatë persona transgjinorë dhe jo-binarë paditën administratën në shkurt lidhur me politikën e re të pasaportave, duke pretenduar se ndryshimi ishte antikushtetues dhe në kundërshtim me ligjin federal. Ata kërkuan që gjykata të urdhëronte Departamentin e Shtetit të rivendoste politikën e administratës Biden dhe t’u lejonte të vetëpërcaktonin seksin në pasaportë, përfshirë përzgjedhjen e shenjuesit “X”.
Gjykatësja Julia Kobick, e caktuar nga presidenti Joe Biden, lëshoi në prill një urdhër të përkohshëm në favor të paditësve, duke vlerësuar ndër të tjera se Departamenti i Shtetit “nuk kishte ofruar një arsyetim të argumentuar” për politikën e re. Ajo po ashtu konstatoi se urdhri ekzekutiv dhe politika e pasaportave të presidentit Trump ishin të motivuara nga armiqësi ndaj personave transgjinorë dhe përbënin diskriminim në bazë të seksit.
“Në tërësinë e vet, gjuha e Urdhrit Ekzekutiv është e hapur në refuzimin e identitetit të një grupi të tërë — amerikanët transgjinorë — të cilët kanë ekzistuar gjithmonë dhe janë njohur prej kohësh, ndër të tjera, në fushat e ligjit dhe të mjekësisë,” shkroi Kobick në vendimin e saj.
Në qershor, ajo zgjeroi urdhrin paraprak për të përfshirë edhe anëtarët e grupit të paditësve që do të kërkonin pasaporta që pasqyrojnë identitetin e tyre gjinor ose shenjuesin “X”.
Kobick i kërkoi administratës Trump të lejonte aplikuesit për pasaportë të vetëpërcaktonin shenjuesin gjinor — përfshirë “X” — që përputhet me identitetin e tyre.
Administrata Trump apeloi vendimin dhe kërkoi lehtësim urgjent për të zbatuar politikën e re. Gjykata e Apelit e Qarkut të Parë e refuzoi kërkesën.
Në kërkesën për lehtësim urgjent para Gjykatës së Lartë, prokurori Sauer argumentoi se politika e pasaportave është “plotësisht e ligjshme”. Ai shtoi se vendimi i gjykatës në Boston që bllokoi zbatimin e planit detyron administratën Trump të “komunikojë me qeveritë e huaja në kundërshtim me politikën e jashtme të presidentit dhe realitetin shkencor.”
“Pyetja është nëse Kushtetuta kërkon që qeveria të pranojë përkufizimin e seksit sipas preferencës së paditësve. Nuk e kërkon,” shkroi Sauer, duke shtuar se politika e pasaportave e përkufizon seksin në bazë të biologjisë, jo të vetë-identifikimit.
Avokatët e paditësve, nga ana tjetër, thanë se Departamenti i Shtetit për dekada ka lejuar ndryshimin e shenjuesve gjinorë në pasaporta për t’u përshtatur me identitetin gjinor të aplikuesit.
“Duke i klasifikuar njerëzit vetëm sipas seksit të caktuar në lindje dhe duke lëshuar ekskluzivisht pasaporta me atë përcaktim, Departamenti i Shtetit ua mohon paditësve një dokument identifikimi të përdorshëm dhe aftësinë për të udhëtuar në mënyrë të sigurt,” shkruan ata në parashtresën drejtuar Gjykatës së Lartë.