Kazakistani pritet t’i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, pritet të njoftojë gjatë takimit me presidentin amerikan Donald Trump të enjten se vendi i tij do t’i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit, raportoi Axios, duke cituar zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Ky zhvillim, sipas burimeve amerikane, synon të ringjallë nismën e drejtuar nga SHBA që promovon normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe vendeve me shumicë myslimane.

Megjithëse Kazakistani dhe Izraeli kanë pasur marrëdhënie të plota diplomatike për më shumë se 30 vjet, vendimi shihet si një sinjal politik për ripërtëritjen e procesit të Marrëveshjeve të Abrahamit pas luftës në Gaza.

Një zyrtar amerikan i tha Axios se njoftimi “do të tregojë se Marrëveshjet e Abrahamit janë një klub ku shumë vende duan të bëhen pjesë” dhe se “është një hap për të kthyer faqen pas luftës në Gaza dhe për të lëvizur drejt më shumë paqeje dhe bashkëpunimi rajonal”.

Për Tokayev-in, ky hap përfaqëson gjithashtu një përpjekje për të forcuar marrëdhëniet me SHBA-të, pasi gjatë të njëjtës ditë pritet të nënshkruhet edhe një marrëveshje dypalëshe për mineralet kritike.

Sipas Axios, presidenti kazak do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë si pjesë e një samiti me pesë udhëheqës të Azisë Qendrore, të gjitha vende me shumicë myslimane.

Para samitit, Tokayev i kishte shprehur administratës Trump dëshirën për t’iu bashkuar Marrëveshjeve të Abrahamit dhe për të “përforcuar bashkëpunimin rajonal, tolerancën fetare dhe dialogun ndërfetar”.

Shpërndaje