“Nuk duam më Kuaj Troje”, BE ndryshon rregullat për anëtarët e rinj – çfarë do të ndodhë me Shqipërinë?

Shtetet e reja anëtare të BE-së mund të vihen në “provë” për disa vite dhe të përjashtohen nga unioni në rast të prapambetjes demokratike, sipas një propozimi që synon të qetësojë shqetësimet rreth anëtarëve të rinj që mund të ndjekin shembullin e Hungarisë pasi të bashkohen.

I nxitur nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe dëshira për të përfshirë vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor, Komisioni Evropian ka risjellë një proces zgjerimi që ishte pezulluar për më shumë se një dekadë, shkruan “Financial Times”.

Por, pavarësisht mbështetjes për zgjerim, disa kryeqytete janë kundër shkeljes së mundshme të rregullave të bllokut mbi demokracinë, lirinë e medias dhe pavarësinë gjyqësore nga Ukraina, Moldavia dhe Ballkani Perëndimor pasi të bashkohen me bllokun – dhe bashkimit me Rusinë pas anëtarësimit.

“Nuk dua të jem komisionerja që sjell kuajt e Trojës, të cilët do të jenë aktivë pas pesë, dhjetë ose pesëmbëdhjetë vjetësh”, tha për Financial Times shefja e zgjerimit të BE-së, Marta Kos. “Ajo tha se komisioni po përpunonte ide të tilla si një “periudhë tranzicioni; një lloj prove; masa mbrojtëse”,megjithëse shtoi se ato ishin në një fazë të hershme.

Propozimi i ri që po rishikon Brukseli pritet të prekë edhe Tiranën, sipas së cilës, Shqipërisë ndoshta do t’i duhet të kalojë një periudhë prove mbi zbatimin dhe forcimin e standardeve demokratike.

Edhe pse rruga e Shqipërisë drejt BE-së është vlerësuar, ka pasur rezerva në disa pika.

Andreas Schieder, eurodeputeti dhe raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë, deklaroi gjatë mbledhjes së Komisionit të Stabilizim-Asocimit, se procesi i zgjerimit evropian është mjaft angazhues, duke theksuar se edhe pas mbylljes së kapitujve, me të cilët Shqipëria ka ende punë, rruga nuk mbaron aty.

“Procesi i zgjerimit evropian është shumë angazhues. Komisioni Evropian e ka quajtur Shqipërinë një pararendëse e proceseve. Ka ende punë për të mbyllur kapitujt, por edhe atëherë nuk mbaron punë”, tha Schieder.

Komisioni të martën publikoi rishikimin e tij vjetor mbi progresin e vendeve kandidate, përfshirë Ukrainën dhe Moldavinë, me Malin e Zi të konsideruar si performuesi më i mirë në kryerjen e reformave. Më pas vjen Shqipërinë, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Serbia si vendet me performancën më të dobët në përmbushjen e kritereve dhe arritjen e reformave.

Pavarësisht këtij progresi, Kos pranoi se kryeqytetet e BE-së janë privatisht shumë më të kujdesshme në pranimin e anëtarëve të rinj sesa do të sugjeronin deklaratat e tyre publike të mbështetjes.

Pjesa më e madhe e kësaj ndjenje është nxitur nga përvoja e bllokut me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán – i cili ka zbutur vazhdimisht sanksionet ndaj Rusisë, ka kundërshtuar çdo ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe është bërë gjithnjë e më autoritar në vend, pavarësisht përpjekjeve të Brukselit për ta ushtruar presion mbi të duke i mbajtur fondet e BE-së.

Ukraina dhe Moldavia filluan bisedimet e pranimit në BE vitin e kaluar, por Hungaria që atëherë ka kundërshtuar hapjen zyrtare të të ashtuquajturave “grupe” negociatash në fusha të tilla si energjia, konkurrenca dhe sundimi i ligjit.

Komisioni ka lëvizur për të anashkaluar veton e Orbán duke avancuar punën teknike, në pritje të vendimeve zyrtare politike për të hapur dhe mbyllur kapitujt e negociatave.

“Nuk keni nevojë që Orbán të bëjë reformat për procesin tuaj të transformimit”, tha ajo. “Shumë më e rëndësishme është të kryhen reformat. Dhe ka shumë për të bërë me të dy vendet, Ukrainën dhe Moldavinë.”

Brukseli dëshiron të rrisë integrimin gradual të vendeve kandidate në programet evropiane para se ato të bëhen anëtarë të plotë, tha ajo, siç është nëpërmjet mburojës së demokracisë së bllokut, një iniciativë e ardhshme politike që synon adresimin e rreziqeve më të rënda demokratike për BE-në.

Komisionerja këmbënguli se vendet kandidate mund të bashkohen me unionin vetëm pasi të kenë kryer reforma të brendshme, duke njohur njëkohësisht urgjencën e re për zgjerim në Evropën Lindore.

“Ne kemi qenë në gjendje ta ndalojmë Rusinë që në derën e përparme”, tha Kos, duke iu referuar përpjekjeve të luftës së Ukrainës, fitoreve zgjedhore pro-BE në Moldavi dhe mbështetjes së gjerë për anëtarësimin në BE në vendet kandidate. Por ajo paralajmëroi se nëse blloku nuk e vazhdon vrullin në zgjerim, “frika më e madhe që kam është se rusët do të hyjnë nga dera e pasme”.

Shpërndaje