
Duket se Udhëzimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ndaj strukturave vartëse, ku parkimi i dyshfishtë të trajtohet penalisht e jo më si shkelje administrative, nuk ka sjellë efektet e dëshiruara. Kjo sepse, nga ana e organit të akuzës, pothuaj çdo rast i referuar nga opgj-të e Komisariatit Rrugor është pushuar me arsyetimin se nuk jemi para kushteve të parashikuara nga neni 293 i Kodit Penal, pra atij të “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Kështu, gjendur në kushtet e një leximi ekstremisht të kundërt të kësaj dispozite nga ana e Policisë dhe Prokurorisë, qeveria ka zgjedhur amendimin e saj duke e bërë pjesë të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7895 datë 27.1.1995 Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”. Sipas këtyre ndryshimeve, do të kemi një nen të ri në vazhdim të dispozitës aktuale ku parashikohet se:
Neni 293/1
Pushimi i mjetit në karrexhatë në rresht të dytë
“Pushimi i mjetit në karrexhatë në rresht të dytë, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me 2 mjete me pedal, 2 ciklomotorë me dy rrota ose 2 motorë me dy rrota, që pengon qartazi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë lëvizjen e automjeteve në shërbim të policisë, zjarrfikëseve e të autoambulancave apo shërbimeve të tjera të institucioneve, bllokon tërësisht rrugën, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve të tjera ose shkakton bllokim total të rrugës për këmbësorët, duke u bërë pengesë serioze për sigurinë publike përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.”.
Nga sa më sipër kuptojmë se qeveria ka kufizuar “parkimin dysh” vetëm në bllokimin e korsive të emergjencës, përfshirë këtu edhe ato të linjës së urbanëve, si dhe rastet e bllokimit total të rrugës për këmbësorët (daljet nga trotuaret apo vijat e bardha) duke parashikuar saknksion me marzh dënimi gjobë ose burgim deri në një vit.
Rregullimi penalisht i kësaj sjellje të shoferëve në qëndrat e banuara duket një vullnet i pandryshuar i qeverisë edhe pse fillimisht u duk si një nxitim i pakonsultuar i strukturave policore.
Përveç sa parashtruam, projektligji për ndryshimet në Kodin Penal, jep sinjale se mazhoranca ka hequr dorë, të paktën në afatshkurtër, nga drafti i Kodit të ri Penal. Nisur nga fakti se projektligji ndërhyn vetëm në disa nene si dhe është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Drejtësisë më datë 23.10.2025, tregon se qeveria ka ndryshuar prioritete.