KOLË E MARK PRELA  DY SHPIRTRA DRITE, DY PËLLUMBA TË SHOSHIT

KOLË E MARK PRELA  DY SHPIRTRA DRITE, DY PËLLUMBA TË SHOSHIT

(Ese përkujtimote per deputetin historik të Dukagjinit )

Këta dy vëllazën, Kolë e Mark Prela, s’janë veçse nji kujtim i largët në mjegullën e moteve. Ata janë dritë e rrânjosun në gurët e Shoshit, në rrugët borëbardha të Dukagjinit, në ndërgjegjen e këtij kombi që shpesh i ka vra engjëjt e vet.

KOLA – PROFESOR, ANTIFASHIST, IDEALIST I LIRISË

 Lindi në Shosh, në vitin 1918. U rrit ndër gurë kulle e ndër faqe librash të botës së madhe. Nxânsi i Mjedës e Fishtës, u ba doktor i shkencave letrare e juridike në Torino. Në Shkodër, në Liceun “28 Nëntori”, jepte Greqishten, Latinishten, Letrësinë  si ai që s’jep mësim, por dritë.

Por Kola s’ishte veç profesor. Ai ishte nji njeri që e besonte LIRINË. Mori pjesë në demonstratën e 22 shkurtit 1942 kundra fashizmit. U hodh në male, me pushkë në dorë e me ndërgjegje në zemër, me mbrojtë nji Shqipni që ende s’kishte kenë lindë krejt.

Ai ngriti çeta antifashiste, udhëhoqi grupime të qëndresës. Ishte i pari ndër male që shfaqi hapun amanetin e një Shqipnije të lirë, pluraliste, perëndimore – jo të mbyllun e të robnueme nën nji ideologji.

Mbas çlirimit, e zgjodhën deputet. Por ai s’e uli kurrë kryet. Kur i lypën me votu kushtetutën e një partie të vetme, ai tha:

“Luftuem për liri, jo për pranga të reja. Nuk jam e s’bahem komunist, kurrë për së gjalli.”

U mundue me shu zjarret e hakmarrjeve politike. I shkroi Mehmet Shehut. Shtriu dorën e pajtimit. Foli për arsye, për mendje të kthjellët, për vllazni të trojeve.

Por fjala e lirë kishte çmim.

E burgosën si “armik të popullit”. 18 muej tortura. Por shpirti s’iu thye kurrë.

E pushkatuan diku ndër livadhe të Shkodrës. Pa varr. Pa kryq. Pa gur. Veç nji fllad drite mbet mbi tokë.

MARKU, VËLLAI QË MBARTE DHIMBJEN E TOKËS

 Marku ishte i qetë, burrë i mbrendshëm, me mend të kthjellët. I shkolluem, njohës gjuhësh, me shpirt të butë. Në pamje e sjellje ishte si prej derës së Vat Gjeloshit, fis i naltë që ka rritë burra si dragoj.

Kur pushkatuan Kolën, arrestuan edhe Markun. 15 vjet burg, jo pse kishte faj, por pse mbante në vena gjakun e nji njeriu të lirë.

Kur doli, e gjeti Nanën Kadë të verbueme prej lotëve e pritjes. Ai nuk u ligshtue. Punoi për tokën e popullin. Hartoi projektin e kanalit vaditës Urë e Shtrenjtë – Mes, që edhe sot i jep ujë e frymëmarrje arave të Postribës.

Një ditë, nji rreze gëzimi hyu në shtëpi: Marku u fejue. Por zemra që kishte mbajtë aq dhimbje, u lodh. U ndal. Vdiq si shuhet nji kandil në lumë të natës.

Në varrimin e tij shkuen pak. Por ata që shkuen, shkuen me nder, jo me frikë.

Nana Kadë  pa krahë pas sy si lis i motshëm, që rrufetë e kanë goditë, por s’e kanë rrëzue.

Me vdekjen e Markut, u mbyll dera e Prelë Gjokës në Shosh. Por jo kujtimi.

Ata ishin djem të dritës, të dijes, të kulturës, të shpirtit të lartë. Luftuan fashizmin, mbrojtën dinjitetin e vendit, kërkuan një Shqipni të hapun, të qytetnueme, të drejtë.

Por u shpallën armiq prej atyne që kanë frikë prej mendjes së lirë.

Kola s’ka varr – por ka qindra zemra ku pushon. Marku s’ka emën të gdhendun në gur, por ka ujë që rrjedh prej duarve të tij.

Kush i përmend këta dy vëllazën, nuk vajton. Ai ndez dritë. Ai ringjall lirinë.

E sa herë mjegulla bie mbi Shosh, duket si me pa dy pëllumba të bardhë tue u ngritë mbi mal:

Asht për t’u ndie rand në shpirt se, deri sot, asnjë shkollë s’e mban emnin e këtij Profesori, që arsimi e Shqipnia e lirë dhe demokracia  ishin idealet e tij ma të nalta, për të cilat ai u flijue pa u ankue kurrë. Në nji tokë që shpesh harron bijtë e vet ma të mirët, mos me i vu emnin e tij një shtëpije dijeje âsht jo veç mungesë kujtese, por plagë n’nder. E ardhmja duhet me ia drejtue hakun  se emnat e mëdhenj s’duhen harrue, por me u mbajt si dritë n’derën e shkollës, për fëmijë që rriten me dije e me shpirt

Shpërndaje