
Juristi i njohur Jordan Daci, njëkohësisht avokat dhe drejtues i Studios Ligjore “Daci and Associates”, ka reaguar në lidhje me arrestimin e avokatit Barjami për shkak të kallëzimit të bërë nga Prokurori Gjergji Ceka, prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Z.Daci ka hartuar një plan masash për rritjen e integritetit të figurës dhe rolit të avokatit në një proces gjyqësor. Ndër të tjera, z.Daci kërkon që avokati të trajtohet njejtë me gjyqtarin dhe prokurorin kur diskutohet siguria fizike për shkak të ushtrimit të profesionit.
Nga platforma e propozuar vihet re dhënia e një statusi më të integruar në sistemin e drejtësisë krahasuar me atë aktual. Konkretisht, propozohet shtim i një vepre të re penale, ajo e “Pengimi i ushtrimit të profesionit të avokatit”.
Nga natyra e propozimeve si dhe nisur nga ndryshimet ligjore që do të duhen për implementimin e kësaj platforme, ashtu si dhe z.Daci shprehet, do të kalojmë nga bojkoti në reformë reale të sistemit të drejtësisë.
Reagimi i plotë:
Personalisht do ti propozoj Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë që për përfundimin e bojkotit, të kërkoj plotësimin e kushteve në vijim. Ftohen të gjithë kolegët të propozojnë shtesa.
Ruat mundus, vincat advocatus – Edhe nëse bota shembet, avokati le të fitojë!
Jordani
KUSHTET PËR PËRFUNDIMIN E BOJKOTIT TË PËRGJITHSHËM TË AVOKATËVE
I. Konteksti dhe qëllimi
Në kushtet e një krize të thellë të drejtësisë në Shqipëri, të shoqëruar nga një klimë armiqësore ndaj avokatëve dhe raste alarmante të cenimit të sigurisë personale dhe profesionale të tyre, komuniteti i avokatëve kërkon që pushtetet e shtetit të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe të detyrueshme për mbrojtjen e profesionit të avokatit dhe garantimin e rolit të tij kushtetues si shtyllë e sistemit të drejtësisë.
Ngjarje si vrasja tragjike e gjyqtarit, arrestimet selektive, sulmet mediatike dhe institucionale ndaj avokatëve dhe heshtja e institucioneve përgjegjëse tregojnë se reforma në drejtësi ka dështuar në garantimin e pavarësisë së profesionistëve të drejtësisë dhe sidomos të avokatëve — të cilët mbeten sot pjesa më e pambrojtur e sistemit.
Në përputhje me:
• Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut,
• Parimet Bazë të Kombeve të Bashkuara për Rolin e Avokatëve (Havana, 1990),
• Rekomandimin CM/Rec(2019)1 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për Profesionin e Avokatit, dhe
• Konventën e re të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit (CETS Nr. 226, Luksemburg, 13 maj 2025),
Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë duhet të kërkojë urgjent plotësimin e kushteve minimale për përfundimin e bojkotit të përgjithshëm të avokatëve në Shqipëri, si vijojnë
II. Parimet themelore
1. Pavarësia e avokatit është element thelbësor i shtetit të së drejtës dhe parakusht për një proces të rregullt ligjor.
2. Avokati është garant i drejtësisë, jo palë politike apo administrative.
3. Çdo cenim, intimidim, ndëshkim apo diskriminim ndaj avokatit për shkak të ushtrimit të profesionit të tij përbën shkelje të nenit 6 dhe 10 të KEDNJ-së dhe të standardeve të Këshillit të Evropës.
4. Shteti shqiptar ka detyrimin pozitiv për të krijuar një mjedis të sigurt, të respektueshëm dhe efektiv për ushtrimin e profesionit të avokatit.
III. KUSHTET KONKRETE PËR PËRFUNDIMIN E BOJKOTIT
1. Ratifikimi dhe zbatimi i menjëhershëm i Konventës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit (CETS Nr. 226).
• Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të nënshkruajnë dhe ratifikojnë pa vonesë Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, duke e bërë pjesë të detyrueshme të legjislacionit të brendshëm, sipas nenit 122 të Kushtetutës.
• Zbatimi duhet të nisë menjëherë, pavarësisht numrit minimal të shteteve ratifikuese për hyrjen në fuqi ndërkombëtare të saj.
• Ministria e Drejtësisë të përgatisë plan veprimi për implementimin e dispozitave të Konventës në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor brenda jo më shumë sd 6 muajve.
2. Siguria fizike dhe profesionale e avokatëve
• Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit të garantojnë mbrojtje të posaçme fizike për avokatët që përfaqësojnë çështje sensitive njëlloj si për gjyqtarët dhe prokurorët kur u kanoset jeta. Mbrojtja e jetës së avokatit është detyrim i njëllojtë.
• Çdo rast kërcënimi ose dhune ndaj avokatëve të hetohet me transparencë publike dhe ndjekje penale sipas ligjit.
3. Infrastruktura e veçantë për avokatët.
• Në çdo gjykatë dhe prokurori të krijohen hyrje të dedikuara për avokatët, me sistem sigurie dhe identifikimi të posaçëm.
• Të garantohet një ambient i veçantë pune për avokatët, për përgatitje dosjesh dhe takime me klientët, në përputhje me standardet e BE-së.
• Në rastet e mungesës së këtyre ambienteve, seancat të mos zhvillohen deri në sigurimin e kushteve minimale.
4. Udhëzim i përbashkët KLGJ–KLP–Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë.
• Të miratohet udhëzim i përbashkët detyrues që:
• Ndryshon mënyrën e trajtimit të avokatëve në gjykata e prokurori;
• Ndërpret praktikën e pritjes në sportele apo ambiente publike;
• Detyron autoritetet të krijojnë shërbim të dedikuar vetëm për avokatët (p.sh. “Zyra e Avokatit”).
•Kopja e akteve për avokatin të vihet në dispozicion nga prokuroria njëlloj dhe njëkohësisht me gjykatën
5. Ndalimi absolut i gjykimeve nëpër zyra.
• Çdo gjykim që zhvillohet jashtë sallës zyrtare të gjyqit është proceduralisht i pavlefshëm.
• KLGJ të miratojë menjëherë një rregullore disiplinore që parashikon përgjegjësi për gjyqtarët që e shkelin këtë ndalim.
6. Regjistrimi i detyrueshëm video dhe me zë i çdo veprimi hetimor ndaj avokatëve.
• Çdo veprim procedural ndaj një avokati të regjistrohet me video dhe audio; në mungesë të regjistrimit, akti është absolutisht i pavlefshëm.
• Kjo masë bazohet në parimin e transparencës dhe parandalimit të abuzimeve me pozitën e hetuesit apo prokurorit.
7. Ndryshime ligjore për forcimin e statusit të avokatit
Të ndërmerren menjëherë ndryshime ligjore në:
• Ligjin nr. 55/2018 “Për Avokatinë”, për të sanksionuar:
• imunitet funksional gjatë ushtrimit të profesionit ( më e pakta në Sallë të Gjyqit);
• detyrimin e autoriteteve për respekt dhe bashkëpunim me avokatin;
• ndalimin e ndalimit apo arrestimit të avokatit pa njoftim të menjëhershëm të Dhomës së Avokatisë.
• Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, për të shtuar si vepër të veçantë penale atë të “Pengimi i ushtrimit të profesionit të avokatit”.
8. Rishikimi i listave të avokatëve të caktuar kryesisht
• Listat e avokatëve kryesisht të rishikohen në mënyrë tërësore nga Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë, për të shmangur përdorimin e tyre si instrument për legjitimimin e procedurave të paligjshme apo thyerjen e vendimeve kolektive të bojkotit.
• Të vendoset ndalim i përkohshëm për çdo avokat që pranon të përfaqësojë në kundërshtim me vendimin e bojkotit.
9. Mekanizëm disiplinor për respektimin e vendimeve të bojkotit.
• Pranë çdo gjykate të vendoset përfaqësues i Dhomës së Avokatisë për të monitoruar zbatimin e bojkotit dhe për të raportuar çdo shkelje.
• Shkelja e bojkotit të trajtohet si shkelje e rëndë etike, që sjell masa disiplinore dhe përjashtim nga ushtrimi i profesionit për një periudhë të caktuar.
10. Masa ndaj zyrtarëve përgjegjës për klimën armiqësore
• Të kërkohet pezullimi i menjëhershëm dhe ndjekja penale e çdo gjyqtari, prokurori, apo oficeri të policisë gjyqësore që ka kontribuar në cenimin e të drejtave të avokatëve.
• Bojkoti të vazhdojë deri në realizimin e këtyre masave konkrete, pa afat të paracaktuar.
IV. Përfundim: Nga bojkot në reformë reale
Ky bojkot nuk është një akt rebelimi por një akt institucional vetëmbrojtjeje i profesionit të avokatit, në një sistem ku:
• Avokati është trajtuar si palë e dobët, jo si garant i procesit të drejtë;
• Drejtësia është shndërruar në mekanizëm formal pa substancë ligjore;
• Reforma ka dështuar në misionin e saj themelor — për të krijuar një drejtësi të pavarur, efektive dhe humane.
Avokatia shqiptare kërkon një rishpërndarje të balancës së pushtetit në sistemin e drejtësisë, ku zëri i saj të dëgjohet si palë i e barabartë dhe jo si subjekt i nënshtruar.
Kjo është vija e kuqe e dinjitetit profesional dhe themeli i çdo shteti që pretendon të jetë demokratik.