
Nga Albert Vataj
Shteti, pushteti dhe qeverisja demokratike sipas Sokratit, Aristoksenit, Konfucit, Niçes, Tolstoit, Gëtes, etj.
Që nga agimi i mendimit filozofik e deri tek epokat moderne, shteti, pushteti dhe qeverisja kanë qenë ndër temat më të debatuara. Filozofë, shkrimtarë, mendimtarë dhe reformatorë të mëdhenj, secili në kohën dhe kontekstin e vet, kanë lënë gjykime të mprehta dhe shpesh të pavdekshme mbi natyrën e pushtetit dhe fatin e demokracisë. Nga pyetjet e thella të Sokratit, tek urtësia e Konfucit, rebelimi i Niçes dhe kritika morale e Tolstoit, krijohet një mozaik mendimesh që sfidojnë çdo kohë, për të na bërë të reflektojmë mbi marrëdhënien mes njeriut dhe shtetit.
Sokrati i flet Aristotelit:
“Deri sa të jetoni mes njerëzve, nëse do të mendoni se më mirë është as të mos qeverisni, e as të mos jeni nën qeverisjen e dikujt, atëherë do ta shihni shpejt se i forti di t’i shndërrojë të dobëtit në robër.”
Aristokseni:
“S’ka asgjë më të keqe se anarkia; sepse njeriu, sipas natyrës, nuk është krijuar që të mbahet vetë, pa udhëheqje. Për ata që udhëheqin dhe për ata që udhëhiqen, Aristokseni mendon kështu: ata që udhëheqin duhet të jenë jo vetëm të arsimuar dhe të zotë në profesionin e tyre, por edhe miq të njeriut; ndërsa ata që udhëhiqen, jo vetëm të dëgjueshëm, por edhe besnikë ndaj udhëheqësve.”
Konfuci:
“Ata që janë në pushtet kurrë nuk guxojnë të jenë të pabrengosur. Sepse, njëherë kur gabojnë, e gjithë bota i mohon. Për këtë arsye sundimtari, para së gjithash, duhet ta mbikëqyrë karakterin e vet. Nëse ka karakter, do ta ketë popullin pas vetes; nëse e ka popullin pas, do ta ketë pushtetin mbi vendin; nëse e ka pushtetin mbi vendin, atëherë do të ketë pasuri; e me pasuri mund të bëhen shumë të mira. Pra, karakteri është themel, pasuria është pasojë.
Nëse pushtetari i anashkalon themelet dhe synon vetëm sukseset e jashtme, ai e çon popullin drejt plaçkitjes së ndërsjellë. Kur pushtetari grumbullon pasuri personale, ai e humb popullin; por kur humb pasurinë personale, atëherë e fiton popullin. Po ashtu, nëse në fjalim është dinak e gënjeshtar, ai do të marrë përgjigje dinake e të rreme; nëse pasurinë e ka fituar me rrugë të këqija, po në rrugë të këqija do të tretet.”
Konfuci (sërish):
“A mund ta paramendosh mediokrin si ministër? Para se të arrijë në pozitë, ai është plot brenga për të arritur aty; pasi e merr, është plot brenga për të mos e humbur; e kur fillon të brengoset për ta ruajtur, atëherë nuk ka gjë që nuk do të bëjë për ta mbajtur.”
Sokrati:
“Në akuzën time, Meleti shkroi me cinizëm se unë po paraqes diçka hyjnore dhe djallëzore. Kjo është njëfarë zëri që më shoqëron që nga rinia; sa herë që paraqitet, më paralajmëron të mos bëj atë që kam ndër mend, por kurrë nuk më detyron. Kjo është arsyeja që më ndalon të merrem me punët e shtetit. Dhe më duket se është një fat i vërtetë që më pengon.
Besomëni, o qytetarë të Athinës: po të kisha hyrë herët në punët shtetërore, unë do të isha vrarë moti, dhe as ju, as unë nuk do të kishim përfituar gjë nga unë. Mos më qortoni që ua them të vërtetën: nuk ka njeri që do ta shpëtonte jetën, nëse do t’i kundërvihej hapur dhe me dinjitet turmës apo tubimit popullor, duke u përpjekur të ndalojë padrejtësitë dhe shkeljet e ligjit që ndodhin në shtet. Përkundrazi, ai që lufton vërtet për drejtësi, edhe nëse dëshiron të jetojë, duhet të kufizohet vetëm në punët e veta private dhe të shmangë pjesëmarrjen në jetën publike.”
Zhan Zhak Ruso:
“Demokracia e vërtetë kurrë nuk ka ekzistuar dhe kurrë nuk do të ekzistojë.”
Monteskje:
“Nëse e ngacmoni krenarinë e popullit, mund të bëni me të çfarë të doni. Romakët e sunduan popullin me panem et circenses – bukë dhe cirk. Sundimtarët tanë mjafton të na sigurojnë cirkun katërvjeçar, ndërsa ne vetë do të sigurojmë bukën dhe tatimin.”
F. Niçe:
“Unë e quaj shtet atë ku të gjithë dehen me helmin e së mirës dhe së keqes; shtet, ku askush nuk e njeh veten, as i miri, as i keqi; shtet, ku vetëvrasja e ngadalshme e të gjithëve quhet – ‘jetë’.”
Zarathustra:
“Ende ka popull… por tash ekzistojnë shtetet. Shtetin e quajnë përbindëshi më i ftohtë nga të gjithë përbindëshat. Dhe ai përbindësh i ftohtë gënjen, duke thënë: ‘Unë, shteti, e përfaqësoj popullin!’ – kjo është gënjeshtër!
Krijuesit ishin ata që krijuan popujt; populli u besoi dhe i deshi; ata u shërbyen me jetën e tyre. Por shkatërrimtar janë ata që ngritin kurthe për shumë njerëz dhe e quajnë këtë shtet. Shteti është gënjeshtar, çfarëdo gjuhe të mirës apo të keqes të përdorë. Posa ta hapë gojën, ai gënjen. Ai ka vjedhur gjithçka… Ku mbaron shteti, aty ngrihet njeriu, që nuk është i tepërt. Atje, ku mbaron shteti, shikoni, vëllezër – a nuk e shihni ylberin dhe urën drejt mbinjeriut?”
Tolstoi:
“Shteti është shoqatë individësh për ruajtjen e pasurisë së tyre nga ata që kanë më shumë nevojë për të.”
Will Durant:
“Shkalla e fundit e demokracisë është pushteti i përfituesve. Kriminelët lulëzojnë në qytetet tona më të mëdha, sepse u është garantuar mbrojtja dhe bashkëpunimi i ligjit. Nëse janë anëtarë partie, ose kanë miq në të, ata mund të jenë të sigurt se nuk do të arrestohen; edhe nëse arrestohen, nuk do të gjykohen; edhe nëse gjykohen, nuk do të dënohen; edhe nëse dënohen, do të falen; dhe nëse nuk falen, do të lejohen të ikin. E nëse ndonjëri prej tyre vritet në ‘profesionin’ e tij, ai do të varroset me ceremoni solemne, si i denjë për një shtresë të lartë shoqërore, madje do t’i ngrihet edhe lapidar. Ky është fundi i demokracisë.”
Këto zëra të ndryshëm, ndonëse të ndarë nga shekuj e kultura, bashkohen në një pikë të përbashkët: kujdesin e pandërprerë për njeriun dhe për fatin e tij në raport me pushtetin. Demokracia, shteti, drejtësia dhe qeverisja nuk janë thjesht struktura abstrakte, por përvoja konkrete që prekin jetën e përditshme të secilit. Në fund, filozofia na kujton se shteti është aq i drejtë dhe aq i fortë sa janë të drejtë dhe të fortë njerëzit që e ndërtojnë dhe e mbajnë gjallë. Dhe nëse çdo brez rikthehet tek këto zëra, nuk është për të gjetur receta të gatshme, por për të mësuar se pyetjet mbi pushtetin dhe lirinë mbeten gjithmonë të hapura.