Ky shtet edhe të vret, edhe të merr peng, edhe të q…

Nga Reldar Deda

Përmes mediave online, ekraneve televizive dhe rrjeteve sociale, shqiptarët ndjenë drejtpërdrejt atë që deri dje dukej metaforë: vdekjen faktike të shtetit shqiptar. Një shtet në hjekë, i mbërthyer prej vitesh në grykën e krimit të organizuar, u shemb para syve të qytetarëve pikërisht në çastin kur zhdukja enigmatike për dhjetë orë e një ish-zyrtari të lartë, njeriut që kishte pasur në dorë sigurinë kibernetike të vendit, u shpjegua nga autoritetet si një konflikt banal dashurie.

Mesazhi i tij i fundit  -“po më arrestojnë”- kishte tingëlluar si akti final i një njeriu që e ndiente rrethimin. Më pas, heshtja. Dhe pas heshtjes, një rikthim i turbullt, i mbushur me dyshime dhe pikëpyetje. Policia u ngut të japë versionin e saj, një “dramë dashurie”, siç institucionet shqiptare gjithmonë kanë gati një skenar banal për të mbuluar plagët më të thella të shtetit. Por publiku e ndjeu se pas këtij versioni fshihej një peshë më e rëndë. Sidomos kur, pak muaj më parë, një ish-zv.kryeministër deklaronte publikisht se ky njeri ishte kërcënuar personalisht nga Kryeministri për të mbyllur gojën.

Në çdo vend tjetër, një zhdukje e tillë do të ishte trajtuar si alarm kombëtar, si sinjal i një rreziku për vetë sigurinë e shtetit. Në Shqipëri, përkundrazi, ajo u kthye në një telenovelë. Ky ishte momenti kur qytetarët e kuptuan se peng nuk ishte vetëm individi që u zhduk për dhjetë orë, por i gjithë shteti. Sepse kur qytetarët detyrohen të heshtin nga frika, dhe kur zyrtarët që dinë sekretet zhduken e rishfaqen me versione të fabrikuara, atëherë është vetë shteti që ka marrë rolin e pengut. Dhe një shtet i mbajtur peng nuk ka as siguri, as drejtësi, as të ardhme.

Ky nuk është rasti i parë. Më herët, një vajzë e brishtë, e pambrojtur, për të shpëtuar jetën hoqi dorë nga e vërteta. Sot, është një ish-zyrtar i lartë që zhduket pa gjurmë, për t’u rikthyer më pas me një rrëfim të kontrolluar. Në të dy rastet, fjala dhe e vërteta janë diktuar nga krimi dhe nga pushteti që ka pranuar të funksionojë sipas ligjeve të tij.

Rikthimi i tij pas dhjetë orësh, mes ankthit të familjes dhe të shoqërisë, nuk ishte shenjë normaliteti, por paralajmërim. Sepse nuk ishte peng i një pasioni personal, por viktimë e një shteti që sot shfaqet haptazi me natyrën e tij mafioze. Strukturat nuk patën forcë as ta gjenin, as ta hetonin, as ta gjurmonin. Ai u kthye vetëm kur duart që e mbanin peng vendosën ta dorëzonin, sikur të ishte një thes i zakonshëm para dyerve të policisë.

Ky episod, si shumë të tjera, vulos të vërtetën e hidhur: shteti shqiptar ka firmosur vdekjen e tij. Danieli, si çdo qytetar tjetër, na tregoi se sot shoqëria shqiptare është një shoqëri e mbajtur peng. Se secili prej nesh është peng i një shteti mafioz, që të zhvat, të rreh, të shantazhon, të q…, të vret, nëse guxon të mos heshtësh. Ky shtet ka hequr edhe laskrën e fundit të asaj çka duhet të përfaqësojë për qytetarët. Ai nuk fshihet më pas fasadave, por shfaqet hapur, lakuriq: si mafia.

Shpërndaje