Dom Prek Ndrevashaj, figurë elitare e inteligjencës sonë të mërgatës!

Dom Prek Ndrevashaj, lindi në Brashtë të Shoshit me 24 qershor 1928, filiz i trungut të vjetër të Ndrevashës, vllaznie parike, e cila i dha Dukagjinit babanë e ndores shqiptare: Marash Tuci, i flijuar me 1806 pas një qëndrese epike me forcat turkoshake në Pazarin e Shkodrës.

Erdhi në jetë nga prindërit Sokol Prekë Sokoli (Ndrevashaj) dhe Mire Nikja (Vuksanj) nga shtëpia e mirënjohur e Sadri Lukës, Can Tahirit dhe Prel Nikës së Thethit. Konak i madh e shumë mbresëlënës edhe për udhëtaren amerikane Rose Wilder Lane.

Mësimet e para i mori në vendlindje, nga prifti gjerman Dom Alfons Tracki. Më pas ndoqi Kolegjin Papnor Saverjanë të etërve jezuitë në Shkodër së bashku me Martin Camajn, Lukë Kaçajn, At Zef Pëllumbin, Dom Ernest Troshanin, Dom Simon Jubanin e të tjerë.

Në Kolegj shërbeu si diakon ku ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore me At Marin Sirdanin patën strehuar Lef Nosin e At Anton Harapin. Në seminar mori dëshminë e maturës për shkak të mbylljes se këtij institucioni nga komunistët nuk mundi të vijonte më tej studimet, prandaj u detyrua të strehohet në Tiranë tek Padër Pjetër Mëshkalla, i cili e paraqiti si shërbëtor.

Pas zikzakëve të mundimshme e thërrasin të kryente shërbimin e detyruar ushtarak në Burrel. Vendi kishte nevojë për mësues, prandaj me anën e ca miqve mundit të fillonte punë si mësues në Dajç të Zadrimës dhe më pas në fshatin Ulanjet të Klosit, në rrethin e Matit.

Djaloshi ëndërrimtar Prekë Ndrevashaj shumë shpejt do të rebelohej, duke kapërcyer përtej mureve të ngurta, duke shtegtuar si dallëndyshe drejt botës së lirë. Ka qenë viti 1952, kur trimërisht u arratis së bashku me nënë Marie dhe motrën Pashkë (Albana). Pasi u vendos në Guci hapi shkollën shqipe ku punoi për katër vite të plota shkollore.

Prej aty me ndihmën e legatës italiane, me 1956 emigron në Itali. Atje me ndërhyrjen e Dom Zef Oroshit vijon studimet e larta teologjike në Kolegjin Propaganda Fide, Romë, dhe shugurohet meshtar më 1961, ku u brumos, u poq dhe gjithë jetën rrezatoi dritën e kulturës dhe lirisë oksidentale. Me 20 dhjetor të atij viti shugurohet meshtar, nga Kardinali Agaginiani, Prefekti Kongregatës Propaganda Fide. Punoi për tre vjet kapelaon i motrave në Romë dhe pastaj zëvendës famullitar në Propaganda Fide.

Duke parë zellin e Dom Prekës, Selia e Shenjtë, e emëroi Kapelan i emigrantëve shqiptarë për Evropën, detyrë të cilën e përmbushi për 12 vjet, duke u bërë strehë dhe stacion i sigurt per mijëra e mijëra refugjatët shqiptarë të dëbuar nga Jugosllavia dhe “parashutistët” të vendosur nëpër kampe të Italisë së Veriut si dhe kalimi të tyre në kryeqendrën e botës së lirë në SHBA.

Pasi priti e përcolli, me bujari gjithë ata bashkatdhetarë, shkoi në SHBA më 1970, ku shërben në famullinë e Detroitit periudhë kur bashkëpunoi gjatë me Dom Zef Oroshin më të vjetrin e meshtarëve shqiptarë katolikë në SHBA.

Më 1976 themeloi Kishën Zoja Pajtore shqiptare në Detroit, si qendra e dytë pas asaj të Nju Jorkut. Drejtoi revistën “Rreze Shelbuese”, në Detroit, ku botoi shkrime e sidomos vjersha patriotike e fetare, në shtratin e traditës. Dom Preka përkujdesej vetë për shtypin e revistës duke i shoqëruar shkrimet me vizatime e tablo nga salvimi i klerit.

Gazetari i vjetër i BBC në shqip, Frenk Shkreli, në lidhje me kontributin e Dom Prekës në ndihme të emigracionit shqiptarë ka shkruar: “Duhet të falenderojmë të Madhin Zot, që dërgoi në mesin tonë Dom Prekë Ndrevashajn — që përveç thirrjes së tij si meshtar për tu kujdesur për nevojat shpirtërore të popullit të vet — Ai pranoi të merrte përsipër gjithashtu edhe rolin për të vendosur fatin e mijëra refugjatëve shqiptarë të shpërndarë nëpër kampet e Italisë. Ai nuk kishte nevojë të pranonte një detyrë të tillë plot kokëçarje, pasi mund të shërbente si famullitar në ndonjë kishë të Romës dhe të kalonte një jetë në paq dhe pa turbullira.”

Ish-udhëheqësi i Bektashinjve në Miçigan Baba Rexhepi me shumë nderim u tregon pasardhësve se; “Dom Preka qe meshtari shembullor, bari i thjeshtë dhe shumë i përvuajtur, që punoi gjithë jetën si argat i shëlbimit. Dom Preka i donte me gjithë shpirt, vëllezërit e motrat e tija shqiptare nga të gjitha viset e Shqipërisë, pa dallim feje, ndaj dashuria e pa kufijshme që ushqente për ta nuk kishte si të mos shpërblehej me dashuri të ndërsjelltë”.

Papa Pali i VI-të në vitin 1967 u angazhua seriozisht për të përkujtuar 500 vjetorin e largimit nga Shqipëria të figurës së Zonjës së Shkodrës. Në ketë eveniment të rëndësishëm në emër të 250 shqiptarëve të mbledhur në sallën e Kremtimeve, përshëndeti Dom Prek Ndrevashaj, i cili në prezencë të Papës Pali i VI-të pati deklaruara: “Janë këtu para Shkëlqësisë Tuaj përfaqësuesit e tri besimeve fetare të popullit shqiptar, i cili nuk e harron ndihmën e dobishme që pati nga Papët e Selisë së Shënjtë si dhe Skenderbeu mbrojtësi i lirisë së atdheut e atlet i Krishtit. Sot në kohë më të kobshme e shumë më të trishtueshme se ato të periudhës së kaluar po e mundojnë popullin tonë të pafat, i cili në shekullin e 15-të mbrojti Evropën. Në këto ditë të vështira, ky popull nuk dëshiron tjetër veçse një vend të vetin në familjen evropiane”.

Më 6 korrik të vitit 1992 Dom Preka, pas 40 vitesh kthehet në vendlindje. Erdhi përsëri edhe pas 12 vjetësh, u çmall me miq shokë të moshës së tij dhe vdiq në mënyrë krejt të pa pritur me 1 tetor 2004, në Shkodër, aty ku e kishte lënë amanet miqve të vet në Amerikë ta varrosnin.

Dom Preka u nda fizikisht nga kjo botë në moshën 76 vjeçare.

Imzot Rrok Mirdita, Ipeshkv i Durrësit e Tiranës në fjalimin mortor pat deklaruar “Nuk është krejt e rastësishme që Zoti e thirri vëllain tonë pikërisht në vendin e vet. Tërë jeta e tij ka qenë e lidhur me dashuri të thellë, të sinqertë e prekëse për Shqipërinë e shqiptarët”.

Intelektuali i shquar shqiptaro-amerikan Mërgim Korça, Rexhep Qosja dhe Mahmut Bakalli, kur mësuan lajmin e vdekjes së mësuesit të tyre shembullor do të shpreheshin: “Lum për ne që e patëm Dom Prekën! Ai ishte një nga prijësit më të nderuar të shqiptarëve të Amerikës.”

PREKË NDREVASHAJ POETI DHE NOVELISTI I JEZERCËS GJUHËSORE VERIORE

Dom Prekë Ndervashaj ishte një figurë elitare e inteligjencës sonë të mërgatës, njohës me themel i filozofisë, sociologjisë, politologjisë dhe së drejtës. Zotëronte më së miri latinishten, italishten, serbo-kratishtën dhe anglishten.

Emri i tij ishte i mirëpritur tek “Shejzat” e Koliqit, “Jeta Katolike” e Zef Oroshit, “Krahu i Shqiponjës” i Lidhjes Çame në Amerikë me botues Bilal Xhaferrin, tek “Dielli” i Vatrës, “Lidhja e Antonio Beluscit”, të arbëreshëve të Italisë e të tjera. Në këtë shembull ai botoi revistën Rreze “Shelbuese” 1971.

Dom Prekë Ndervashaj shquhej per oratori të shkathët, ligjërime metaforike produkt i leksikut të larmishëm dhe komunikimit me gjuhën e thjeshtë të emigrantëve tanë.
Krijimtarinë letrare e filloi herët, ishin kontaktet dhe diskutimet e tij të para me shokun e klasës së jezuiteve Martin Camajn.

“Nata e Buzmit”, njihet si poezia e parë e botuar në Romë te revista “Shejzant” me pseudonimin Fuska duke vijuar me ciklet poetike si: “Të shumtet”, “Mbishenat në dimër”, “Kah ja mbanjën kojrilat!”, “Dasëm Përte lumit”, “Tamarra za Marrun”, “Lamtumirë Kosovë”, “Malësia jonë”, “Krishtlindje pa vendlind” e “Amerika”.

Dom Prekë Ndervashaj, është shquar si një novelist, vazhdues i denjë i traditës letrare të vendlindjes së tij, në të cilën janë botuar disa novela me motive nga Shqipëria veriore.
Te “Shejzat” ka botuar edhe novela dhe poezi, të cilat nuk kaluan pa lënë gjurmë si novelat: “Mbishenat”, “Një pendim” , “Bluti i Helmuem”, “Guri i pushimeve” dhe “Kur çerdhja e Shqipeve”.

Shpërndaje