Nga Leon Molla
Më 10 gusht 1988, në një Shqipëri ende të mbyllur nën regjimin e Hoxhës dhe pasuesve të tij, u krye një nga aktet më të turpshme dhe mizore të diktaturës komuniste: ekzekutimi i poetit disident Havzi Nela.
Ky ishte një krim jo vetëm kundër një individi të pafajshëm, por edhe kundër lirisë së fjalës dhe shpirtit krijues të popullit shqiptar.
Havzi Nela, i lindur në Kollovoz të Kukësit më 1934, ishte mësues dhe poet, një njeri që kishte guximin të fliste dhe të shkruante ndryshe nga propaganda zyrtare.
Për të, fjala ishte e shenjtë dhe e lirë, dhe kjo e bëri atë një rrezik për një regjim që nuk duronte asnjë mendim të pavarur. Për shkak të bindjeve të tij dhe përpjekjeve për të kaluar kufirin drejt lirisë, u arrestua dhe kaloi vite të tëra në burgje e internime, i torturuar fizikisht dhe shpirtërisht.
Pas një arratisjeje të dështuar dhe rikthimit në internim, regjimi vendosi ta godiste përfundimisht. Më 9 gusht 1988, Gjykata e Kukësit e dënoi me vdekje për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”.
Vendimi u firmos edhe nga Kristaq Rama, atëherë anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor – dhe babai i Kryeministrit aktual të Shqipërisë, Edi Rama.
Ky fakt tregon një vijimësi të errët në historinë politike të vendit: bijtë e atyre që firmosën vrasje politike në diktaturë, sot vazhdojnë të drejtojnë vendin.
Në agimin e 10 gushtit 1988, Havzi Nela u pushkatua publikisht në qendër të Kukësit, trupi i tij u la varur për orë të tëra për të terrorizuar popullin, ndërsa poezitë e tij u ndaluan, u shkatërruan ose u fshehën nga frika.
Por regjimi nuk mundi t’ia shuajë zërin.
Poezitë e Havzi Nelës, të mbushura me dhimbje, dashuri për atdheun dhe etje për liri, sot janë dëshmi e një shpirti që nuk u përkul kurrë.
Ekzekutimi i Havzi Nelës, vetëm pak muaj para rënies së murit të Berlinit dhe ndryshimeve të mëdha në Europë, tregon se regjimi shqiptar ishte ndër më të egërtit dhe më të vonuarit në historinë e komunizmit.
Ai mbeti i pandryshuar deri në fund, duke vrarë poetë kur bota po çlirohej nga diktaturat.
Sot, kujtimi i Havzi Nelës nuk është vetëm për të nderuar një poet të vrarë, por për të kujtuar se liria ka një çmim dhe se të vërtetat e dhimbshme të historisë nuk duhet të fshihen.
Në çdo 10 gusht, ne nuk përkujtojmë vetëm një njeri, por të gjitha viktimat e pafajshme të komunizmit, duke mos harruar se drejtësia ende nuk është bërë plotësisht.