
Nga Av. Arben Llangozi
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ndonëse është e zhytur në një krizë të thellë korrupsioni, vazhdon të befasojë qytetarët jo me përmirësime, por me forma të reja zhvatjeje të ligjëruara nga vetë shteti.
Qytetarët prej vitesh përballen me një sistem të kalbur, ku shërbimi nuk merret pa ndërhyrje, pa “mik”, pa ryshfet nën dorë, pa “kafe” për punonjësit. Janë me qindra raste kur qytetarët detyrohen të paguajnë në mënyrë informale për të marrë një shërbim që me ligj u takon.
Udhëzimi i ri i publikuar së fundmi përcakton se për të marrë vetëm një faqe dokumenti të pasurisë, qytetari duhet të paguajë 1000 lekë për faqe. Po, njëmijë lekë për një faqe!
Në një kohë kur gjithçka duhet të ishte e dixhitalizuar, transparente dhe pa kosto të larta, kadastra i kthen zyrat shtetërore në sportele zhvatjeje zyrtare.
Kjo nuk është tarifë shërbimi, kjo është një formë e sofistikuar e korrupsionit me vulë shtetërore. Pasi sa më shumë te rriten pagesat më i lartë do të jetë niveli i korrupsionit. Është përpjekja për ta kamufluar zhvatjen në emër të “përmirësimit të shërbimeve”.
Në vend që qytetarët të kenë akses të lirë, të shpejtë dhe të pandikuar te dokumentet zyrtare të pasurisë së tyre, Agjencia Shtetërore e Kadastrës zgjedh rrugën e kundërt: e tarifon çdo faqe dokumenti me 1000 lekë, duke e kthyer aksesin në një luks të shtrenjtë dhe duke zyrtarizuar atë që dikur quhej rryshfet nën dorë.
Në një sistem të kalbur nga korrupsioni, në vend që të lehtësohet procedura për qytetarët, ajo rëndohet edhe më shumë, duke i trajtuar njerëzit jo si pronarë legjitimë, por si burim fitimi për një administratë që vazhdon të funksionojë mbi baza zhvatjeje.
Imagjino të duhet të kryesh veprime regjistrimi, çregjistrimi, transaksione apo ndryshime pronësie që kërkojnë dhjetëra faqe dokumentacion, çdo faqe me tarifë 1000 lekë!
Kjo nuk është më thjesht burokraci, por një barrë e rëndë ekonomike mbi qytetarët, që në vend të aksesit të lehtësuar në të dhënat e tyre, përballen me një sistem që i penalizon financiarisht për çdo hap ligjor që ndërmarrin. Kadastra po e kthen të drejtën për informim dhe pronësi në një mall që blihet me çmim të kripur.