Prokurori amerikan Jack Smith, i njohur për ngritjen e aktakuzave ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Hagës, po përballet me një hetim zyrtar në SHBA.
Lajmi është konfirmuar nga një email i zbuluar nga The New York Post, dërguar nga këshilltari i lartë Charles Baldis, ndërsa Associated Press, NBC News dhe media të tjera amerikane raportojnë se hetimi po zhvillohet nga Zyra e Këshilltarit të Posaçëm në Shtetet e Bashkuara.
Kjo agjenci federale e pavarur ka hapur hetimin ndaj Smith bazuar në Aktin Hatch, ligjin federal që ndalon përfshirjen e zyrtarëve në veprimtari politike, për akuzat e përdorimit të detyrës në mënyrë të paligjshme gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024.
Smith, i emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland në nëntor 2022, drejtoi dy çështje kundër Donald Trump: për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara dhe për rolin në ngjarjet e 6 janarit 2021. Të dyja rastet janë rrëzuar nga gjykatat pas rikthimit të Trump në presidencë.
Senatori republikan Tom Cotton ka qenë ndër zërat kryesorë që kërkuan nisjen e hetimit. Ai e ka cilësuar veprimin e Smith si “abuzim të pastër me pushtetin” dhe e ka akuzuar për përdorim të ligjit si armë kundër kandidatit republikan. Në një postim në platformën X, Cotton tha se “Smith është një “demokrat partizan” që ka përshpejtuar hetimet në momente kyçe të fushatës, si kaukuset në Iowa, për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve.”
Smith nuk ka komentuar për hetimin, por më herët ka deklaruar se veprimet e tij kanë qenë të pavarura dhe në përputhje me ligjin. Ai dha dorëheqjen në janar 2025, pas rikthimit të Trump në detyrë.
Jack Smith është prokurori i Pokurorisë Speciale të Hagës që ngriti aktakuzat ndaj krerëve të UÇK-së
Prokurori amerikan Jack Smith, i cili kishte qenë prokuror i nivelit të lartë në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, mori detyrën si kryeprokuror në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë në shtator 2018 dhe kaloi dy vitet pasuese duke vazhduar hetimin e Thaçit dhe të tjerëve.
Më 24 qershor 2020, ndërkohë që hetimi ishte ende duke u zhvilluar, Thaçi ishte rrugës për në Uashington me ftesë të presidentit Trump për t’u takuar me të dhe presidentin serb Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor në përpjekje për të afruar të dyja palët, një mundësi historike.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, zyra e Smith lëshoi një deklaratë për shtyp ku thuhej se ishte ngritur një aktakuzë kundër Thaçit (dhe tre veteranëve të tjerë të UÇK-së), duke bërë që Thaçi të kthehej menjëherë në shtëpi dhe takimi në Shtëpinë e Bardhë të anulohej, sigurisht një mundësi e humbur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Deklarata për media ishte e paautorizuar sepse gjyqtari i procedurës paraprake ende nuk e kishte konfirmuar aktakuzën, duke shkelur konfidencialitetin statutor. Mund të supozohet se Smith hamendësonte se Thaçi e kishte marrë vesh për aktakuzën dhe mund të përpiqej të arratisej.
Por aktakuza u konfirmua më pas më 26 tetor 2020, duke akuzuar Thaçin dhe tre të tjerë me akuza të shumta për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, dhe u bë publike më 5 nëntor, kohë në të cilën Thaçi dha dorëheqjen nga presidenca.
Më pas, katër të pandehurve iu dorëzuan urdhër arrestet më 4 dhe 5 nëntor dhe ata u dorëzuan në gjykatën e Hagës dhe u vendosën në paraburgim. Thaçi dhe të tjerët janë vetëdeklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.
Që atëherë, të katër kanë mbetur në paraburgim gjatë të gjithë procedurës paraprake dhe gjatë vetë gjykimit, i cili filloi më 3 prill 2023 – një periudhë prej mbi 1,150 ditësh që nga momenti i shkrimit të këtij shkrimi, me përjashtim të disa vizitave të shkurtra në Kosovë për arsye dhembshurie.
Rregullorja e procedurës së gjykatës kërkon që paraburgimi të rishikohet çdo dy muaj. Shqyrtimi i fundit për Thaçin, i 12-ti, ishte më 15 dhjetor 2023 dhe paraburgimi i tij u vazhdua nga trupi gjykues edhe për dy muaj.
Smith dhe lidhja e tij me demokratët
Jack Smith, është i martuar me një regjisore dokumentarësh e cila ka punuar në një film të vitit 2020 për ish-Zonjën e Parë, Michelle Obama, dhe ka dhuruar fonde për fushatën e Presidentit Joe Biden në vitin 2020. Katy Chevigny ka qenë producente në dokumentarin Becoming, sipas IMDb, ndërsa të dhënat publike të Komisionit Federal të Zgjedhjeve (FEC) tregojnë për donacionet e saj të mëparshme në fushata elektorale.
Dokumentari Becoming është përqendruar në turneun e vitit 2019 të ish-Zonjës së Parë për promovimin e librit të saj me të njëjtin titull, dhe është përshkruar si “një dokumentar intim që shfaq jetën, shpresat dhe lidhjen e saj me të tjerët.”