GJEDNJ del me vendim, rrëzon paktin Rama-Meloni.

Gjykata e Drejtësisë së BE-së në Luksemburg ka dhënë sot vendimin mbi marrëveshjen për emigrantët Itali-Shqipëri.

“Një vend anëtar i BE-së mund të shpallë vende të origjinës së sigurt përmes një akti legjislativ, me kusht që kjo shpallje të jetë subjekt i një kontrolli të efektshëm gjyqësor.” Këtë e ka vendosur Gjykata e Drejtësisë së BE-së në vendimin për protokollin Itali-Shqipëri dhe përkufizimin e vendit të origjinës së sigurt. Çka do të thotë se i jep të drejtë gjykatës së Romës të shqyrtojë rast pas rasti nëse transfermimi është i ligjshëm apo jo.

Vendimi rrëzon kryeministren Italiane Meloni e cila ndryshoi dy herë ligjin për të evituar vendimmarrjet e gjykatave në shqyrtimin e transferimeve të emigrantëve drejt kampit të Gjadrit në Lezhë.

“Për Brukselin, përcaktimi i vendeve të treta si vende të origjinës së sigurt duhet të vlerësohet nga një gjyqtar, dhe një vend mund të konsiderohet i sigurt vetëm nëse e gjithë popullsia në të gëzon mbrojtje efektive”.

Pse rrëzohet pakti Rama – Meloni?

Ky vendim i rëndësishëm i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, prek marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e kampit të pritjes së migrantëve në Lezhë. 

Në vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GjED) mbi Protokollin Itali-Shqipëri dhe mbi përkufizimin e një “vendi të sigurt origjine”,  gjyqtarët theksuan se një shtet anëtar nuk mund të përfshijë në listën e vendeve të sigurta të origjinës një shtet që “nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për të gjithë popullsinë e tij”.

Gjykata sqaroi më tej se ky kriter mbetet në fuqi deri në hyrjen në fuqi të rregullores së re të BE-së, “e cila lejon përjashtime për disa kategori personash të identifikueshëm qartë”, me afat të parashikuar më 12 qershor 2026. Megjithatë, “legjislatori evropian mund ta përshpejtojë këtë datë”.

Për rrjedhojë, GjED e konsideron problematike marrëveshjen dypalëshe mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e kampit të pritjes së migrantëve në Lezhë. Edhe pse kjo marrëveshje është firmosur mes dy shteteve fqinje, ajo nuk mund të kufizojë kompetencat e gjykatave italiane për të vendosur në mënyrë përfundimtare në çdo rast individual.

Italia, megjithëse ka të drejtën të përcaktojë një vend si “të sigurt origjine” përmes një akti legjislativ – siç ka bërë në rastin e Shqipërisë – është e detyruar që ky përcaktim t’i nënshtrohet një shqyrtimi gjyqësor të plotë dhe efektiv.

Në një tjetër pjesë të vendimit, GjED godet në mënyrë të tërthortë Shqipërinë, duke ngritur dyshime serioze mbi situatën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vend.

Gjykata shprehet se: “Një shtet anëtar nuk mund të përfshijë në listën e vendeve të sigurta të origjinës një vend që nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për të gjithë popullsinë e tij” 

Në këtë mënyrë, duke shqyrtuar ligjshmërinë e kampit të ngritur në territorin shqiptar, GjED lë të kuptohet se Shqipëria nuk përmbush kriteret për të qenë një vend i sigurt për pritjen e migrantëve të huaj, aq më tepër kur vetë qytetarët e saj përballen me sfida serioze në ushtrimin e të drejtave të tyre themelore.

Shpërndaje